Vendimi i Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e "arrestit me burg" ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duhet të shoqërohet me një arsyetim të qartë se përse kjo masë prevalon mbi të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t'u drejtuar nga kryetari i zgjedhur prej tyre. Kështu u shpreh avokati Ledio Braho gjatë një interviste në emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV.

Sipas Brahos, vetëm pasi të zbardhet vendimi i arsyetuar do të kuptohet pse Gjykata e Lartë ka vlerësuar se Veliaj duhet të vijojë të gjykohet në arrest me burg.

"Duhet të shohim arsyetimin e Gjykatës së Lartë pse është e rëndësishme që Veliaj të gjykohet në arrest me burg dhe pse prevalon kundrejt të drejtës së qytetarëve të Tiranës që ata të drejtohen nga kryetari i zgjedhur prej tyre. Veliaj ka të drejtë t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Është një betejë si e çdo qytetari që zgjat me dekada për të marrë drejtësi. Veliaj po provon atë që provon çdo qytetar shqiptar me sistemin e drejtësisë", tha Braho duke shpjeguar se kryebashkiaku ka të drejtë të vazhdojë betejën në Kushtetuese

Duke komentuar edhe vendimin e GJKKO-së për Ilir Metën, Braho ngriti pikëpyetje për standardet e ndjekura nga gjykata lidhur me gjykimin në kafazin e qelqtë.

"Jam i mendimit që parimi duhet të jetë që të gjtihë të gjykohen jashtë kafazit që cënon të drejtat e personit, për sa kohë që nuk jemi në kushtet e rrezikshmërisë së lartë. Është krejtësisht normale të gjykohen jashtë kafazit në praninë e mbrojtësit. Ky është cënim i të drejtës dhe prezumimit të pafajësisë si në rastin e Metës, Beqajt dhe Veliajt. Është e tepruar sidomos kur gjykimet zgjasin me orë të tëra dhe avokatit i duhet të komunikojë me klientin pa xham. Në atë gjykatë është me 2 standarde edhe përdorimi i telefonit nga avokatet. Këto janë absurditete shqiptare që patjetër duhet të zgjidhen nga Gjykata Kushtetuese. ” tha Braho

Avokati kritikoi edhe rregulloren e re të GJKKO-së për ndalimin e telefonave, duke bërë të ditur se për këtë arsye avokatët kanë nisur bojkotin e seancave.

"Ne po bojkotojmë të gjitha seancat në GJKKO për shkak të një absurditeti që avokatëve u ndalohet mbajtja e telefonit. Në GJKKO sekuestrohen telefonat. Këto janë absurditete shqiptare që patjetër duhet të zgjidhen nga Gjykata Kushtetuese. Ka nevojë për ndërmjetësim", tha Braho.