Gjykata e Lartë ka shpallur thirrjen publike për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në kuadër të përtëritjes së përbërjes së këtij organi kushtetues.

Sipas njoftimit, më 12 dhjetor 2026 përfundojnë mandatin e plotë pesëvjeçar tre anëtarë të KLGJ-së, një i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, një nga gjykatat e apelit dhe një nga Gjykata e Lartë.

Në zbatim të nenit 9 të ligjit nr. 115/2016, Kryetari i Gjykatës së Lartë ka shpallur më 26 qershor 2026 thirrjen për paraqitjen e kandidaturave. Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën e tyre me shkrim deri më 13 korrik 2026.

Kandidatët, krahas shprehjes së interesit, duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës. Ky dokumentacion përfshin, ndër të tjera, CV-në e përditësuar, deklaratat e mbështetjes nga gjyqtarë të tjerë, formularin e vetëdeklarimit, platformën personale të objektivave, deklaratat për integritetin dhe informacionin mbi konfliktin e mundshëm të interesit.

Dokumentet mund të dorëzohen në adresën elektronike [email protected] ose me postë pranë Gjykatës së Lartë, në adresën: Rruga “Ibrahim Rugova”, Nr. 20, 1001, Tiranë.

Në përfundim të njoftimit, Gjykata e Lartë u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që plotësojnë kriteret ligjore të shprehin interesin për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KLGJ-së, me synimin për të garantuar një përbërje të bazuar në profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri.