Gjykata 'gjen' fantazmën Çlirim Gjata pas shkrimit të Carlo Bollinos, i cili i përgjigjet

Gjykata 'gjen' fantazmën Çlirim Gjata pas shkrimit të Carlo Bollinos, i cili i përgjigjet

Çlirim Gjata

Në një editorial të para pak ditësh që u botua në Shqiptarja.com dhe pati jehonë në shumë media të tjera, u denoncua rasti i Çlirim Gjatës, i cili për të shmangur përballjen me drejtësinë për shpifje pas denoncimit të gazetarit Carlo Bollino, u fsheh për 15 muaj, ndërkohë që gjyqtarja Manjola Xhaxho nuk e ka gjetur ende. Në artikull u denoncua edhe fakti që në seancën e 19 qershorit gjykatësja kishte vendosur të procedonte “me shpallje”, pra duke informuar fantazmën Çlirim Gjata për procesin në vazhdim përmes njoftimit publik.  Pavarësisht atij njoftimi, Çlirim Gjata vazhdoi të mbeste një fantazmë dhe rreth procesit për shpifje nuk u mësua asnjë lajm. Pas editorialit reagoi gjyqtarja e medias Edlira Petri. Publikojmë reagimin e saj dhe më poshtë një përgjigje të Carlo Bollinos. 

''Te nderuar,
Marre shkas nga një shkrim i botuar në median tuaj, me titull "Bolino : Shpifi dhe fshihet, kush e njofton Çlirim Gjatën që gjykata po e kërkon prej 15 muajsh?!", është vendi për t'ju sqaruar mbi disa aspekte procedurale, sikurse do të ishte me vend qe Ju te rishikoni qëndrimin ndaj gjyqtares që po shqyrton çështjen.

Paraprakisht Ju bej me dije se, në cilësinë e gjyqtares se medias mu percoll shqetësimi mbi disa komente të shkrimit të mesipërm dhe pasi mora informacionin e nevojshëm, në aspektin procedural rezulton sa vijon :

Ne seancën paraprake të datës 19.06.2020, gjykata në prani të përfaqësuesit të paditësit ka vendosur të vijojë njoftimin e të paditurit përmes shpalljes publike 20 ditore sipas nenit 133/b të Kodit te Procedures Civile, në lidhje me komunikimin e padisë,  akteve provuese. Po ashtu i është bërë e ditur të paditurit përmes shpalljes publike e drejta për paraqitjen e deklaratës së mbrojtjes dhe provave brenda një afati ligjor 30 ditor, sipas nenit 158 të këtij Kodi.

Pas përfundimit të këtyre afateve dhe njoftimeve përkatëse të veprimeve procedurale nga sekretaria gjyqësore, gjykata më datë 15.09.2020 ka vendosur në bazë të nenit 158/b të KPrC të caktojë zhvillimin e seancë përgatitore më  datë 13.11.2019 ora  13:30, e publikuar online dhe për të cilën janë kryer njoftimet e palëve ndërgjyqëse.

Sikurse konstatohet, gjykata është kujdesur te zhvilloje një proces te rregullt gjyqësor, gjë që është në interesin jo vetëm të të paditurit, por edhe te vete palës paditëse. Sillet në vëmendje se një proces i kontestueshëm nga pikëpamja procedurale, rrezikon fatin e vendimit përfundimtar, pavarësisht bazueshmërisë së tij.

Sa i përket gjyqtares se Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tirane, Zj. Manjola Xhaxho dhe posaçërisht komenteve ndaj saj, me lejoni t'ju sjell në vemendje se respekti ndaj autoritetit te pushtetit gjyqesor qendron ne baze te nje shoqerie demokratike.  Duke vlerësuar rolin e padiskutueshëm te medias ne zhvillimin e shoqërise, Ju ftoj te respektojmë autoritetin e gjykatës dhe te shmangim komente qe vene ne dyshim paanesine dhe integritetin e saj.

Për sa me sipër, do ishte e vlerësueshme qe Ju te rishikoni ne shkrimin Tuaj komentet mbi gjyqtaren e çështjes , Zj. Manjola Xhaxho, si një nga gjyqtaret me me integritet ne trupën gjyqësore, si dhe te fshini komentet e lexuesve lidhur me te dhe me funksionimin e sistemit gjyqësor.

Me konsideratën me te larte,

Gjyqtare e medias

Edlira Petri

Përgjigjet Carlo Bollino:

Falenderoj Edlira Petrin për përgjigjen e saj, që më lejon të zbuloj se gjykatësja Manjola Xhaxho 15 muaj pas fillimit të procesit ia ka dalë më në fund të informojë Clirim Gjatën për procesin e nisur në ngarkim të tij. Megjithatë për procedurën “me shpallje” (që në fakt mund të vendosej shumë muaj më parë) dhe as për seancën e re të fiksuar me 13 nëntor, avokati im Gavrosh Andoni nuk është informuar kurrë, dhe as ndonjë njoftim nuk është bërë online. Për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në heshtje në zyrat e gjykatëses, u desh denoncimi im publik. 

Kjo procedurë e çuditshme më kujton një proces të hapur ndaj meje në vitin 2012 nga një gjykatës i PD (i shkarkuar tashmë nga vettingu): atëherë isha unë pala e paditur për shpifje dhe pala paditëse ishte një përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike. Nuk isha unë autori i shkrimit që akuzohej për shpifje, nuk isha pronari i medias që e kishte publikuar, madje nuk jetoja as në Shqipëri prej 4 vitesh. Pra nuk kisha asnjë lidhje me shpifjen. Por Partia Demokratike kishte vendosur se do të dënohesha unë dhe askush tjetër. Dhe kështu ndodhi. Ekponenti i PD-së mbrohej nga avokatja e Sali Berishës (Erinda Ballanca, sot pabesueshmërisht Avokat i Popullit) dhe gjykatësi duke iu bindur urdhrave të saj, jo vetëm më dënoi me 70.000 euro dëmshpërblim (pa asnjë provë, jashtë çdo logjike juridike dhe përtej çdo logjike ekonomike duke konsideruar që Sali Berisha është dënuar për një shpifje ndaj meje vetëm me 800 euro), por pa qenë asnjëherë i informuar për procesin as unë dhe as avokati im. Praktikisht dënohesh padrejtësisht fshehurazi në sallë, në mungesën time dhe të avokatit tim mbrojtës.

Një mik dhe koleg dëgjoi rastësisht muhabetin e dënimit tim mes militantëve të PD-së që e deklaronin me mburrje dhe më informoi pak para se të skadonin afatet për paraqitjen e apelit. Ishte Apeli që më shfajësoi nga një dënim të padrejte në mënyrë flagrante. Kjo ishte drejtësia e PD-së, vetëm 8 vite më parë.

I.K/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike