Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e kalojë në seancë plenare çështjen e monopatinave, e cila ishte dërguar nga organizata Drejtësi Sociale dhe Qëndresa Qytetare.

Dy organizatat kërkuan shfuqizimin e Udhëzimit nr. 169, datë 13.10.2025, të firmosur nga ish-ministrja e Brendshme Albana Koçiu, duke argumentuar se udhëzimi për ndalimin e monopatinave elektrike cenon disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e lëvizjes, lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës.

Sipas tyre, masa administrative që pasoi udhëzimin – përfshirë sekuestrimin e monopatinave nga policia – ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë sektor.

Debati për monopatinat elektrike shpërtheu në tetor 2025, pasi policia nisi një aksion të gjerë në Tiranë dhe disa qytete të tjera për sekuestrimin e tyre, duke argumentuar se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i parregulluar dhe përbënte rrezik për sigurinë rrugore.

Vendimi u mor në një kohë kur monopatinat elektrike po përdoreshin gjithnjë e më shumë në kryeqytet si alternativë transporti për distanca të shkurtra, veçanërisht mes të rinjve.