Gjykata Kushtetuese rrezikon
negociatat,shtyn Vetingun në 2017

Gjykata Kushtetuese rrezikon<br />negociatat,shtyn Vetingun në 2017
Pavarësisht presionit të pazakontë të Perëndimit për zhbllokimin dhe zbatimin e Vetingut, Gjykata Kushtetuese ka lënë dje në fuqi vendimin për pezullimin e ligjit, i cili parashikon pastrimin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Kushtetuesja ka rrëzuar dje kërkesën e Kuvendit për heqjen e masës së pezullimit ndaj ligjit të Vetingut, duke mbështetur kërkesat e PD dhe gjyqtarëve, të cilat janë kopje të njëra-tjetrës.

Kërkesa për zhbllokimin e ligjit u parashtrua dje gjatë seancës, ku u dëgjuan palët e përfshira në proces. Ndërsa Partia Demokratike dhe gjyqtarët kanë kërkuar shfuqizimin e Vetingut, duke pretenduar se ai shkel Kushtetutën.

Pas dëgjimit të palëve, në prani edhe të dy ambasadorëve, atij të SHBA, Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin, trupa e Kushtetueses i ka qëndruar vendimit të 25 tetorit, që çoi në pezullimin e efekteve të ligjit. Ky vendim i Kushtetutës shtyn automatikisht zbatimin e ligjit të Vetingut edhe për disa muaj.

Gjykata do të vendosë zyrtarisht për fatet e Vetingut, pas marrjes së opinionit të Komisionit të Venecias, lidhur me çështjen nëse Kushtetuesja ka tagër për të shqyrtuar këtë ligj apo jo.

Proceduralisht, Venecia pritet të kthejë përgjigje pas 2 muajsh. Por, një kohë të caktuar, ndoshta tre muaj, do të duhen që Kushtetuesja të dalë me një vendim. Referuar këtyre afateve, vendimi përfundimtar për Vetingun mund të merret në fillim të pranverës së 2017. 

Pasojat e rënda
Pasojat pritet të jenë të shumëfishta. Ndikimi i parë mund të reflektohet në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE, të cilët në dhjetor do të vendosin për rekomandimin e Komisionit Evropian, për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Nisja e zbatimit të ligjit të Vetingut ishte kushti i vetëm i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Me këtë vendim, nuk ka asnjë mundësi që ligji i Vetingut të zbatohet brenda vitit 2016. Së dyti, bllokimi i ligjit, pritet të çojë edhe në “ngritjen” e fondeve të BE për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Së treti, zbatimi i Vetingut është përcaktues për ngritjen e institucioneve të reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Me shtyrjen e zbatimit të ligjit, shtyhet automatikisht edhe shembja e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, kusht për avancimin e Shqipërisë në rrugën e BE.

Seanca
Demokratët u përfaqësuan në seancë nga deputeti Oerd Bylykbashi si dhe ekspertët ligjorë Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso. Ndërsa PS u përfaqësua nga tre deputetët Pandeli Majko, Vasilika Hysi si dhe Fatmir Xhafaj, njëherazi kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese ka bërë palë në proces edhe Unionin e Gjyqtarëve, të cilët, ashtu si PD, kanë ankimuar Vetingun në Kushtetuese, ndërsa u përfaqësuan në seancë nga kreu i UGJSH, Gerd Hoxha.

Pandeli Majko
Deputeti socialist, Pandeli Majko, kërkoi nga Kushtetuesja heqjen e masës së pezullimit të ligjit të Vetingut. "Kuvendi, para se të parashtrojë pretendimin e saj, kërkon tërheqjen e masës së pezullimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Në çfarë motivesh është bazuar Gjykata Kushtetuese që ka pezulluar ligjin? Një standard i gjykatës që nuk gjendet në ligj", u shpreh Majko. Ai theksoi se qëndrimi i Kushtetueses është ndërhyrje ekstreme në vullnetin e ligjvënësve. "Vendimi i Kushtetueses është ndërhyrje ekstreme në vullnetin e ligjvënësit, rrezikon këtë institucion pasi nuk evidentohet asnjë efekt negativ i ligjit.

Pse nuk ka marrë për baze gjykata parimin e propocionalitetit? Gjykata nuk ka marrë në konsideratë asnjë nga 4 kushtet bazë për pezullimin e ligjit, kërkojmë shfuqizimin e këtij vendimi", tha Majko.

Gjyqtarët dhe PD  
Kundër kërkesës së Kuvendi u pozicionua kreu i Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, Gerd Hoxha. "Jemi kundër kërkesës së Kuvendit për heqjen e masës së pezullimit të ligjit. Ligji është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën", tha Hoxha.

Në koherencë të plotë me Unionin e Gjyqtarëve janë demokratët. "Ne jemi kundër kërkesë së Kuvendit pasi bie ndesh me Kushtetutën. Vendimi i Gjykatës nuk mund të vihet në dyshim nga askush, por respektohet dhe bazohet. Vetë Kuvendi pranon vendimi për pezullim nuk publikohet menjëherë, por kur mbyllet shqyrtimi", tha eksperti ligjor i PD, Gazmend Bardhi.




dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në Turqi, 21 të plagosur, mijëra të evakuuar

Zjarret në Turqi, 21 të plagosur, mijëra të evakuuar