Gjyqi i Shullazit, Tahiri e Çako
do dëshmojnë javën tjetë

TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda vendos të thërrasë për të dëshmuar në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit, shtatë dëshmitarë VIP mes tyre dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Këta dëshmitarë janë kërkuar nga prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Eneid Nakuçi dhe pritet të hedhin dritë në lidhje me kërcënimin ndaj akademikëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. 

Sipas flet-thirrjeve të nisura nga gjykata të martën janë ftuar për dëshmi ish ministri Tahiri, akademikët Dhori Kule, Mynyr Koni, Klodeta Dibra, Shezai Rrokaj, Majlinda Keta dhe kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako. Në prill 2016 ish kryeministri Berisha denoncoi në media se Mynyr Koni ishte kërcënuar me jetë për t’u tërhequr nga gara për Rektor në Universitetin e Tiranës, e pas kësaj akuze me kërkesë të Prokurorisë u arrestua Emiliano Shullazi.
 
Prej Prill 2016 Shullazi mbahet në qeli ndërsa veç dyshimeve për kërcënim të akademikut Koni Prokuroria e akuzon dhe për krime të tjera përfshi dhe krijimin e grupit të strukturuar kriminal. Një ditë më parë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu e përmendi Shullazin si një person të rrezikshëm që vazhdon të drejtojë aktivitetin kriminal edhe nga qelia e paraburgimit, por i pranishëm para gjykatës Shullazi nuk bëri asnjë koment për këtë akuzë.
 
Tritoli, biznesmeni: Shullazi më solli njerëz
Këtë martë në gjykatë dëshmoi dhe biznesmeni nga Lushnja Adriatik Kërçuku në biznesin e të cilit është hedhur tritol. Por para togave të zeza Kërçuku u shpreh se Shullazin as e njihte dhe as e kish takuar më parë, por dy ditë para se t'i ndodhte shpërthimi në biznesin e tij dy persona të panjohur i kishin shkuar në Lushnje duke i deklaruar se kërkonte ta takonte Shullazi.
 
Nga ana tjetër, Kërçuku ka thënë se nuk e njeh personalisht Shullazin, ndryshe nga deponimi i mëparshëm kur u shpreh se i akuzuari e kishte kërcënuar dhe sharë në telefon. "Nuk e njoh Shullazin. S'e kam takuar ndonjëherë. Dy ditë para tritolit më erdhën dy persona në emër të tij dhe më thanë kërkon të të takojë", është shprehur Kërçuku në gjyq. "Vetëm folëm në telefon e më tha takohemi në Tiranë, por s’më dha ndonjë numër, pasi foli me numrin e rojes së firmës time. Unë isha në Durrës”, është shprehur Kërçuku. Një muaj nga kjo telefonatë, në 25 janar 2016, në biznesin e tij shpërtheu një sasi tritoli i cili shkaktoi dëmtime materiale por pa të lënduar në njerëz.

Një tjetër dëshmi e administruar në gjyq ishte dhe ajo e Romeo Tarjas menaxherit të biznesit polici private të dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqaj. Tarja deklaroi se s’ka njohje me Shullazin dhe s’ka dëgjuar kurrë nga Beqaj që kishte konflikte me këta persona, por kishte dijeni vetëm se pronari i tij Beqaj se regjistronte dot në hipotekë pronën ish hotel Vollga.

kercuku
(Adriatik Kërçuku sot në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda)
kercuku
(Adriatik Kërçuku sot në ambientet e gjykatës)

Dëshmia e Romeo Tarjes në sallën e gjyqit

Prokurorja: Keni njohje me Ylvi Beqajn dhe si jeni njohur me të?
Romeo Tarja: E njoh që prej vitit 1999. Por tani nuk kemi më komunikim. Në fillim kam qenë truproja e tij. Më pas kam menaxhuar shoqërinë e tij të ruajtjes fizike. Me kalimin e viteve, u bëmë miq të mirë dhe bashkëpunëtorë. Kam punuar me të deri para një viti.

Prokurorja: Keni dëgjuar ndonjëherë për Emiljano Shullazin dhe Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Shullazin nuk e njoh dhe as ai nuk më njeh. Edhe sikur ta kem përballë Emiljano Shullazin, nuk e njoh. Ndërsa për Gilmando Danin, mund të them se e njoh nga Ylvi Beqja. Deri para vitit 2015, pinin kafe së bashku. Ata takoheshin miqësisht edhe gjatë vitit 2016. E njoh vetëm nga Ylvi.

Prokurorja: Duke qenë se keni qenë i afërt me Ylvi Beqajn, a ju ka thënë ndonjëherë ai se ndihej i kërcënuar?
Romeo Tarja: Nuk ka patur asnjë konflikt. Madje, ai tregohej shumë entuziast kur takohej me Gilmando Danin. Nuk më ka shprehur kurrë asnjë ndjesi negative. Prokurorja: Keni patur dijeni për rastin e ish-hotelit “Vollga”?

Romeo Tarja: Po, kam dëgjuar se ai kishte shumë probleme me “Vollgën” për ta regjistruar nëpër gjykata. Madje, u ndje keq kur nuk e bënte dot regjistrimin pas vendimit të Gjykatës.

Prokurorja: Po për takimet me Shullazin dhe Danin, ju ka thënë gjë?
Romeo Tarja: Ai ndjehej mirë kur takohej me Emiljanon dhe Gilandon. Më thoshte mua se këta janë njerëzit që do të na rrinë në krah. “Jemi më fat që i kemi miq”, më thoshte.

Prokurorja: Çfarë dinit për regjistrimin e “Vollgës”?
Romeo Tarja: Kisha dijeni që ai nuk e bënte dot regjistrimin e pronës dhe kaq. Asgjë më shumë.

Prokurorja: Sa kohë shpenzonit me Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Rrinim bashkë thuajse gjatë gjithë ditës. Madje, edhe në darkë rrinim shumë kohë bashkë.

Prokurorja: A ka thyer ndonjë çek në emrin tuaj Ylvi Beqaj?
Romeo Tarja: Po, kam thyer tre çeqe dhe kam kryer disa transferta dhe tërheqje bankare në emër të tij. Paratë që kam tërhequr, diku te 5070 mijë euro, ia kam dhënë në dorë Ylvi Beqjës dhe askujt tjetër.

Avokati: Cila qe arsyeja që i shkëputët marrëdhëniet me Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Situata e tij financiare sa vinte edhe përkeqësohej. Por ne u ndamë edhe për çështje konceptuale. Unë jam i martuar, kam edhe dy fëmijë, ndaj vendosa se duhet t’u kushtoja më shumë kohë atyre.

Avokati: A ju ka shfaqur ndonjëherë shqetësim Ylvi Beqaj për Emiljano Shullazin?
Romeo Tarja: Jo, asnjëherë.

Avokati: Po ndonjë kërcënim për ish-hotel “Vollgën”?
Romeo Tarja: Jo, asnjëherë, as për “Vollgën”. I vetmi rast kur është ndjerë i kërcënuar, ka qenë para 11 vjetësh. Për aq kohë sa shoqërohej me mua, nuk më ka përcjellë asnjë shqetësim apo kërcënim nga
askush.

Avokati: Në çfarë kohe dhe ku jeni takuar me Gilmando Danin?

Romeo Tarja: Para dy vjetësh. Ishte Ylvi Beqja, që takoi Danin. Isha edhe unë, dhe takimi u zhvillua në një klimë shumë miqësore.

Avokati: Po për Shullazin, keni dijeni për bizneset apo bisedat që bënte kur përmendte atë?

Romeo Tarja: Vetëm për ish-hotel “Vollgën” dhe për asgjë më shumë nuk më kanë dëgjuar veshët.

Gilmando Dani: A të kujtohet dita kur jemi takuar bashkë ose vendi?

Romeo Tarja: Nuk e mbaj mend mirë, as vendin as ditën.

Gilmando Dani: A më ke dhënë ti mua ndonjë çek ose para?

Romeo Tarja: Në asnjë rast.

Gilmando Dani: A të ka thënë Ylviu të dërgosh lekë diku tjetër?

Romeo Tarja: Jo, vetëm atij i kam dërguar para.

Gjyqtari: Kur ka qenë takimi i fundit me Ylvi Beqajn?

Romeo Tarja: Para një viti e gjysmë, tek ish-Parku i Autobusëve. Ishim vetëm unë dhe ai.

Gilmando Dani: Ke dëgjuar gjë ti, pse u prish ai me ne?

Romeo Tarja: Absolutisht jo.

Gilmando Dani: A të ka kërkuar Ylvi Beqja të dëshmosh kundër nesh?

Romeo Tarja: Ylvi Beqja? Jo, jo!

Avokati: Po Blerim Shullazin, e njihni?

Romeo Tarja: Jo, nuk e njoh.
 
Dosja “Shullazi” Dëshmitarët VIP
Saimir Tahiri - ish ministri brendshëm
Dhori Kule - Dekan Fakultetit Ekonomik
Mynyr Koni Rector – Universiteti i Tiranës
Klodeta Dibra - Pedagoge
Majlinda Keta - Pedagoge
Shezai Rrokaj - Pedagog
Haki Çako kreu i Policisë së Shtetit
 

/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave