Gjyqi, Muho zbulon takimet me
Shullazin:Ç'diskutuam për “Vollgën”
Tarja: Çfarë më thoshte Ylvi për miqësinë me Danin

Ish-kryeregjistruesi i përgjithshëm i hipotekave, ka pranuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda se ka takuar Alban Dabullën dhe Emiljano Shullazin, për çështjen e ish-hotel Vollgës në Durrës. Ilirjan Muho, ka deklaruar se në muajin gusht, kur është rregjistruar kjo pasuri, ai ndodhej me pushime dhe se ishte vënë në dijeni për rregjistrimin e saj nga Alban Dabulla.

Sipas dëshmisë së Muhos, dhënë në gjykatë, personi që ka firmosur shkresën që rekomandonte hipotekën e Durrësit, të rregjistronte pronën, është Besnik Hysenbelliu, i cili kishte marrë dhë mendimin e zyrës e drejtorisë Juridike.

Gjithashtu ish-kryeregjistruesi ka treguar dhe konfliktin që ka pasur me Dabullën në zyrën e tij, për të cilin më pas ka urdhëruar që ta nxjerin jashtë. Sot gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dëshminë e Ilirjan Muhos, ku tregon me detaje të gjithë ecurinë, takimet, debatet dhe bisedat në kafe me protagonistët e çështjes Vollga.

Prokurorja: Dëshmitar mund të na thoni me çfarë profesioni jeni dhe ku keni shërbyer, çfarë detyre keni mbajtur gjatë viteve 2014 e më tej?
Muho: Jam me profesion jurist. Nga viti 2014 e deri në muajin Maj të 2017, kam qënë në funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave.
Prokurorja: Gjatë detyrës tuaj në krye të hipotekave,ju kujtohet çfarë qëndrimi është mbajtur për rregjistrimin e një pasurie në Durrës, ish-hotel “Vollga”. Mund ti tregoni para gjykatës si është rregjistruar kjo pasuri?

Muho: Unë kur është rregjistruar hotel Vollga nuk kam qënë në punë. Në mos gaboj ka qënë 10 ditëshi i dytë i gushtit i vitit 2014, kur unë kam qënë me pushime së bashku me familjen. Gjatë kohës së pushimeve më ka telefonuar një person dhe më ka vënë në dijeni duke më thënë që prona ishte rregjistruar në emër të Ylvi Beqjat. Menjëherë sapo kam mbyllur bisedën me këtë person, kam telefonuar ish-kryeregjistruesin e Durrësit në atë kohë Jurgis Çyrbja, duke i kërkuar informacion në telefon lidhur me këtë rregjistrim pasurie që kishte bërë. Jurgisi, më thotë se kishte vepruar sipas rekomandimeve që jepeshin në një shkresë të ardhur dhe firmosur nga zyra qëndrore e hipotekës.
Prokurorja: Kush ishte personi që kishte firmosur këtë shkresë, gjatë kohës që ju nuk ndodheshit në punë por ishit me pyshime?

Muho: Shkresa ishte firmosur nga zv/drejtori i hipotekës në atë kohë Besnik Hysenbelliu.
Prokurorja: Ishte konsultuar me ju apo me drejtorinë juridike zv/drejtori që kishte firmosur këtë shkresë, me rekomandime për drejtorinë e hipotekës Durrës?
Muho: Çështja e rregjistrimit të hotel Vollgës është analizuar gjatë në Drejtorinë Juridike, dhe mendoj se ishte një procedurë normale dhe ligjore e drejtë, për rregjistrimin e kësaj pasurie.

Prokurorja: Pak më parë thatë se ishit me pushime kur është rregjistruar kjo pasuri dhe se ju kanë marë një person në telefon duke ju vënë në dijeni për rregjistrimin e pasurisë?

Muho: Po më ka marë përfaqësuesi i subjektit tjetër që kishte interes dhe pretendonte pronësinë e kësaj prone. Ai ishte Alban Dabulla.
Prokurorja: Çfarë subjekti përfaqësonte Alban Dabulla, ndonjë kompani apo çfarë…?

Muho: Nuk e di me saktësi, por më ka thënë që mbronte interesat e shtetasit tjetër në këtë histori, një Zanmir Hasa.
Prokurorja: Kishte ndonjë akt përfaqësimi Alban Dabulla të lëshuar nga Zanmir Hasa?

Muho: Jo nuk më ka treguar asnjë akt përfaqësimi. Atë ditë kur kam folur në telefon, i kam thënë që do e shikoj rastin dhe do e prisja në zyrë, sapo të kthehesha në punë.
Prokurorja: Jeni takuar me Alban Dabullën? Në çfarë vendi dhe kush ka qënë prezent në këtë takim?

Muho: Jemi takuar në zyrën time. Me sa më kujtohet prezent ka qënë kryeregjistruesi Jurgis Çyrbja, Drejtoresha e zyrës Juridike e hipotekës dhe zv/kryeregjistruesi i përgjithshëm Besnik Hysenbelliu. I kisha thirur dhe këta që të diskutohej dhe të dëgjoheshin pretendimet.
Prokurorja: Çfarë keni diskutuar në këtë takim, çfarë pretendime kishte Alban Dabulla?

Muho: Kemi biseduar për çështjen e rregjistrimit të ish-hotel Vollgës. Biseda që në fillim nisi shumë keq, pasi Alban Dabulla doli jashtë kontrollit, duke bërtitur dhe ofenduar Jurgys Çyrbej”…jo ma more pronën… gjëra të këtij lloji…”. Ai pretendonte se ishte cënuar prona e tij me këtë rregjistrim. Dabulla kërkonte që të mos rregjistrohej pasi me palën ntjetër janë ende në proces gjyqësor. Situata u përkeqësua dhe kam urdhëruar që Dabullën më pas ta nxjerin jashtë…

Prokurorja: Po pas bisedës që bëtë me shtetasin Dabulla, ju morët ndonjë vendim tjetër, gjithmonë për rastin e kësaj prone?
Muho: Kam urdhëruar që menjëherë të pezullohet veprimtaria, dhe të mos lejohet shitja dhe tjetërsimi i kësaj pasurie. Kam ngritur një grup pune për të verifikuar dokumentacionin, pasi palët ishin ende në proces gjyqësor, pavarësisht se apeli i Durrësit i kishte dhënë të drejtë palës tjetër.

Prokurorja: Po çfarë ju shtyu juve që të pezullonit këtë pasuri, në mënyrë që të mos tjetërsehej. Pse e bërë juve këtë veprim në këtë moment?
Muho: Çështja ishte çuar në Gjykatën e Lartë dhe se duhej të pritej se si do përfundonte dhe të merte zgjidhje plotësisht çështja.
Prokurorja: Po me shtetasin Ylvi Beqja dhe me Emiljano Shullazin keni njohje. Keni pasur kontakte për çështjen e kësaj pasurie?

Muho: I njoh të dy personat. Jam telefonuar nga Shullazi, dhe më kanë ftuar për kafe, pasi kishin një problem për të diskutuar. Unë jam tip pa komplekse dhe çdo ftese apo çdo njeriu që kërkon të takohet me mua, për të diskutuar diçka, e kam mirëpritur dhe e kam mirëpres në zyrë. I kam takuar që të dy.
Prokurorja: Çfarë vendi është kryer takimi mes jush, Ylvi Beqja dhe Emiljano Shullazin?

Muho: Ka qënë një lokal afër qëndra “Gloobe”, që ndodhet poshtë 21 “dhjetorit”.
Prokurorja: Telefonata dhe kërkesa për të pirë kafe është bërë pasi ju kishit urdhëruar pezullimin dhe mos shitjes së kësaj prone?
Muho: Po, pas kësaj.

Prokurorja: Pasi jeni takuar, çfarë keni biseduar me Ylvi Beqjan dhe Emiljano Shullazin?
Muho: Ata kishin pretendimet e tyre, pasi urdhëri i pezullimit i kishte penguar. Shullazi më është prezantuar si bashkëpronar i “Vollgës”. Më kanë treguar dhe një sërë dokumentash si dhe një kontratë porosie, ku Shullazi bëhej bashkëpronar i kësaj prone.

Prokurorja: Po gjatë takimit në lokal,ka pasur persona të tjerë në këtë diskutim ose jashtë lokalit?
Muho: S’më kujtohet mirë, por edhe mund të kenë qënë nja katër vetë.
Prokurorja: Pas këtij takimi që bëtë në kafenë, çfarë mbyllët në fund të diskutimit?

Muho: Asnjë gjë. Thjesht i kam thënë ato dokumenta që keni, ejani dorëzojini në zyrën e hipotekës nëpërmjet avokatit që ata kishin për këtë çështje.
Prokurorja: Ka ardhur avokati apo jo?

Muho: Ashtu ka ndodhur pas tre apo katër ditësh avokati së bashku me Ylviun, ka ardhur dhe ka dorëzuar dokumentat, që ata kishin?
Prokurorja: Po i pandehuri Gilmando Dani, atë ditë ishte me ta, e keni parë në hipotekë?
Muho: Se di me saktësi. Mund të ketë qënë një çun, mbase që i shoqëronte, por se kam vënë re dhe nuk e njoh.

Dëshmitarët
Ilirian Muho ish-kryeregjistruesi i Përgjithshëm i Hipotekave
Romeo Tarja ish-bodigardi personal i Ylvi Beqjat
Fatmir Sinanaj, biznesmeni i kompanisë “Sinani Sh.p.k”
Themi Zakaj, babai i biznesmenit Jani Zakaj
Adriatik Sinanaj djali i Fatmirit
Ardi Sinanaj, djali i Fatmirit
Kreshnik Sinanaj, djali i Fatmirit
E. Çollaku, roja i garashit

Ish-truproja: Beqja ishte entuziast kur pine kafe me Danin
Ish-truproja personale e Ylvi Beqjat,Romeo Tarja, ka treguar para Gjykatës së Krimeve të Rënda se nuk kishte konstatuar kërcënime dhe veprime të dyshimta nga të pandehurit, gjatë kohës kur ata takoheshin me Beqjan. Sipas këtij dëshmitari, Beqja Gilmando Danin dhe Endrit Qyqjan i konsideronte miq, madje në një rast i kishte thënë se ishin me fat që i kishte bërë miq.

Ish-truproja, ka pohuar se në një rast me urdhër të Ylvi Beqjat ka thyer çeqe bankare, 50 deri në 70 mijë euro, dhe pasi i kishte tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë, ia ka dhënë këto shuma financiare Ylvi Beqjat. Romeo Tarja, ka treguar para gjykatës se nuk e ka njohur shtetasin Emiljano Shullazi dhe ende dhe sot nuk është në gjëndje ta njohë këtë person. Emiliano Shullazi dhe katër të bashkëpandehurit e tij akuzohen për “gjobëvënie”, “kanosje” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dëshminë e ish-truprojës Romeo Tarja.

Prokurorja: Dëshmitar çfarë pune bëni dhe a keni pasur kontatkte apo njohje me shtetasin Ylvi Beqja. Nëse keni pasur njohje në çfarë rrethanash jeni njohur me këtë shtetas?
Tarja: Unë me Ylvi Beqjan njihem prej vitit 1999.Unë punoj prej shumë vitesh si truprojë. Fillimisht kam qënë si përgjegjës sigurie në një kompani të rajtjes fizike, e cila administrohej nga Ylviu dhe më pas kam kaluar truprojë personale e tij. Ai kishte vlerësim për punën time por edhe unë për. Për shkak të shumë viteve punë, ai si punëdhënës dhe unë si punëmarës kishim krijuar një raport shumë të mirë, miqësia jonë ishte si vllezër. Tashmë prej një viti, jemi ndarë sikush në punët e veta.
Prokurorja: Pse ka ndodhur kjo ndarje mes jush, ka pasur një arsye?

Tarja: Por për arsye të ndryshme. A filloi të jetë në vështirësi ekonomike, plus që nuk po më paguante rrogat mujore, por edhe për çështje konceptesh u ndamë.
Prokurorja: A e njihni shtetasin Emiljano Shullazi?

Tarja: Jo nuk e njoh.
Prokurorja: Gjatë kohës që keni qëndruar me Ylviun, nuk ju ka përmendur ndonjer në biseda të ndryshme këtë emër, apo që ta keni parë të takohet me Ylvi Beqjan?
Tarja: Jo me këtë person nuk e kam parë asnjëherë. Unë Emiljano Shullazin e kam parë dhe dëgjuar vetëm në televizur. Të ma nxjerin përpara sinqerisht nuk e njoh kush është…

Prokurorja: Dëshmitar po shtetasin Gilmando Dani a e njihni?
Tarja: Këtë person e njoh prej Ylviut. Edhe Endrit Qyqjan e njoh prej Ylviut.

Prokurorja: Pasi takohej me Gilmando Danin vinit re ndonjë shenjë shqetësimi tek Ylvi Beqja, ose ju tregonte ndonjë detaj që mund ti sillnin probleme këta persona?
Tarja: Jo jo asnjë shqetësim. Në atë kohë Ylvi kishte shqetësim dhe probleme me gjyqet. Kishte vështirësi në gjykata. Madje kur takohej me Gilmandon dhe pinin kafe, flisnin normalisht dhe ishte shumë entuziast. Gjatë bisedave ndonjer me të më ka shpjeguar duke më thënë se :“… jemi me fat që i kemi miq…”.
Prokurorja: Gjatë punës tuaj sa kohë shpenzoje ti me Ylvi Beqjan, pra sa qëndronit bashkë?

Tarja: Kjo varej nga ditët, sepse ndryshonin. Kur ikte jashtë shtetit, kryesisht Turqi, Malin e Zi, se ikte shpesh, i lëvizja familjen me makinë. Po kishte dhe ditë që së bashku rinim nga mëngjesi deri në darkë.

Prokurorja: Gjatë kohës që keni qënë me Ylvi Beqjan, a ka pasur ndonjë rast që tju ketë dhënë Ylviu çeqe bankare?
Tarja: Po më sa më kujtohet më ka dhënë.

Prokurorja: Sa ka qënë numri i këtyre çeqeve që ju keni thyer në bankë?
Tarja: Se mbaj mend tani, por mendoj se kanë qënë 2 ose 3 çeqe.
Prokurorja: Sa kanë qënë shumat financiare që ju keni tërhequr dhe çfarë banke janë tërhequr?
Tarja: S’më kujtohet me saktësi. Por mendoj diku tek 50 apo 70 mijë euro. Tërheqja është kryer tek “T…. Bank”.
Prokurorja: si e morët këtë sasi eurosh, kujt ja çuat?
Tarja:Ja kam dorëzuar sërisht Ylvi Beqjat, që priste jashtë bankës

Ndërhyn gjykata
Gjykata: Dëshmitar, pse ju urdhëroi Beqja të thyenit ju çekun, ndërkohë ishte vetë 5 metra jashtë bankës?Nuk ju bëri ndonjë përshtypje kjo?
Tarja: Nuk më ka bërë asnjë përshtypje. Kjo pasi ndonjer rrinte ai në timon dhe i jepte makinës. Ndonjer s’kishe ku të parkoje dhe për shpejtësi mendoj se më ka urdhëruar mua, që të shkoja të tërhiqja lekët…

Pyet avokati Vladimir Meçi
Avokati: Gjatë kohës që ju keni punuar si truprojë pranë Ylvi Beqjat, a ka pasur dhe a ju ka shpjeguar në ndonjë moment se ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi dhe Gilamndo Dani?

Tarja: Jo në asnjë moment
Avokati: Gjatë kohës kur Ylviu pinte kafe me Gilamandon, ju si truprojë e tij vinin re ndonjë veprim kërcënues apo që do ju duhej të merrnit masa?
Tarja: Jo nuk ka pasur dhe as nuk më ka thënë…njerë që është kërcënuar, personi është gjetur dhe është dënuar. Unë kam qenë truproja e tij dhe Ylviu duhej të më thoshte për çdo raste nëse ka pasur kërcënime,pasi unë do merrja masa për garantimin e sigurisë së tij por edhe për timen.
Avokati: A e njihni shtetasin Besnik Musai?

Tarja: E njoh. Ka filluar dhe ai si truprojë e Ylviut. I jepte një pagë. Kishin dhe një lidhje miqësore me të, por si kam hyrë më tepër kësaj.
Gilmando Dani: A më ke dhënë ndonjëherë çeqe mua, të cilat ishin lëshuar nga Ylvi Beqja?
Tarja: Jo asnjëherë.

Dani: A ju ka mësuar Ylvi Beqja, që të dëshmosh kundër nesh?
Tarja: Jo asnjëherë
Dani: Kur jemi takuar bashkë për herë të fundit?
Tarja: Jemi takuar në vitin 2016 bashkë dhe prezent ka qenë dhe Ylviu.

Babai i Jani Zakës: Konflikt vetëm me familjen Sinanaj për garazhin
Dëshmitari Fehmi Zaka tregoi për konfliktet mbi pronësinë e një garazhi të djalit të tij Jani Zaka tek ish-parku. Dëshmitari tregoi se nuk e dinte vendodhjen e të birit, i larguar nga vendi pas shpërthimit me eksplozi në këtë parking në shkurt 2015. Në sallën e gjyqit, Zaka nuk përmendi ndonjë kërcënim nga Shullazi.

Në dëshminë e dhënë prej tij gjatë hetimit, Fehmi Zaka kishte pohuar se para largimit ne vendi i biri i kishte treguar bisedën që kishte zhvilluar me Shullazi, në një lokal që ndodhet në katin e 7 të një pallati. “Ai i kishte thënë të kalonte pronësinë e parkingut në emër të Blerim Shullazit”-kishte pohuar dëshmitari. Seanca vijoi me dëshmitarë të tjerë të akuzës.

Biznesmeni Fatmir Sinani, i mbëritur në gjykatë në një gjëndje jo shumë të mirë shëndetësore deklaroi se ka pasur vetëm një takim me shtetasin Blerim Shullazi, takim i cili sipas tij është ndërmjetësuar nga Pëllumb Shullazi. Sipas, Fatmir Sinanit, garazhi nuk është shitur por është vënë garanci, për një pronë tjetër. Momentalisht, sipas Sinanit, ai vijon të jetë pronar me letra i këtij garazhi.

Mirëpo teksa jepte dëshminë dhe ka përmendur emrin e shtetasit Blerim Shullazi, Fatmir Sinani, ka filluar të dridhet dhe ta ndjejë vetëm të pafuqishëm, për të dëshmuar. Është dashur ndërhyrja dhe ndërpreja e seancës gjyqësore për 5 minuta, derisa dëshmitari ta rimarë veten, pasi kishte konsumuar pak ujë.Pas përfundimit të dëshmisë së tij, në gjykatë kanë dëshmuar dhe tre djemtë e tij.

/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave