Është caktuar pas hedhjes së shortit, treshja e gjyqtarëve të cilët do të gjykojnë dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kryesuese do të jetë gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy gjyqtarët e tjerë do të jenë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Ëngjëllushe Tahiri është duke gjykuar edhe dosjen 'Plumbi i Artë'. Ndërsa Rudina Palloj, e cilësuar si gjyqtare e dosjeve ‘big’, po gjykon aferën 'Partizani', ku është i përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha.
Palloj ka pasur edhe çështje të tjera të rëndësishme në dorë si inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, “Toyota Auris” me dënimin e ish kreut të prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, lënia në burg për SASPAC e ish ministrit Beqaj apo edhe çështje të krimit të organizuar si vrasja e Vajdin Lames dhe dosja e trafikut të drogës nga Kolumbia.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Komente












