Ish çifti i bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, do të gjykohen në një proces, të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gjykata e Posaçme ndau më vete me gjykim të shkurtuar tre të pandehurit e tjerë. Edhe në këtë seancë gjykata i nxori kamerat jashtë duke mos lejuar transmetimin live. Ilir Meta u shfaq sërish brenda kafazit të qelqtë, çka sipas avokatit shkel dinjitetin njerëzor.

***

Brenda kafazit të qelqtë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme, ish-presidenti i pandehur, Ilir Meta, mundi të komunikojë vetëm me shenja, siç tregojnë fotot e shkrepura para çeljes zyrtarisht të seancës. Kjo është e vetmja mënyrë, në kushtet kur mikrofoni brenda kafazit është i mbyllur, dhe mund të hapet vetëm kur gjyqtari i jep fjalën. 

Me avokatin, iu desh të komunikojë duke u përkulur për të arritur një hapësirë disa centimetërshe në xham. Më i qeshur, në këtë seancë të dytë të gjyqit në themel, Ilir Meta përshëndeti gazetarët dhe të pranishmit në sallë, me gjestin e shqiponjës dykrenare.

Përballë tij, në sallë përkrah avokatit të saj, ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, me të cilën sërish nuk pati asnjë përplasje shikimesh. Nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe i pandehuri tjetër në proces, Pirro Xhixho, u përfaqësuan vetëm me avokat.

Mediat e kanë kërkuar zyrtarisht, por edhe palët në proces dhanë dakordësi që seanca të jetë live, por pa dhënë shpjegime, gjyqtarja Etleva Deda kërkoi që kamerat, të cilat u lejuan vetëm gjatë në diskutimeve teknike të procesit, të dalin jashtë. Vendimi solli reagimin e avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakrani.

"Ky është procesi i vitit, mediat duhet ta transmetojnë live. Nuk duhet t'i ndalini mediat për transmetim live. Nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live të mediave", tha Çakrani.

Në përgjigje gjyqtarja Etleva Deda tha se nëse seanca do të transmetohej live, do të krijonte presion publik dhe mediatik.

Avokati Kujtim Cakrani, i kujtoi se procese me rëndësi të veçanta në Shqipëri janë bërë të hapura, por gjyqtarja theksoi se kamerat nuk do të lejohen, dhe se kushdo që dëshiron ta ndjekë gjykimin në sallë, mund ta bëjë atë.

“Salla është e vogël, mbase do të vijë e gjithë partia, por këtu nuk ka vend, ka vend vetëm për 30 veta”, tha Cakrani duke shtuar se janë 200 vetë sipas tij që ndodhen jashtë e duan të shohin nga afër procesin.

“Miting ne nuk bëjmë këtu tani”, u përgjigj gjyqtarja, e cila autorizoi sigurinë të verifikojë nëse ka persona jashtë, por nuk rezultuan.

Edhe Monika Kryemadhi instistoi për një proces të hapur, duke thënë se “me këtë intimidim dhe linçim që sipas saj i është bërë, duhet të jetë një seancë e hapur që shqiptarët të shohin provat. 

“Në Amerikë -theksoi ajo - edhe vrasësi ulet jashtë kafazit, duke shtuar se pa një vendim të formës së prerë prezumohet e pafajshme”.

Avokati i Ilir Metës ironizoi edhe 4 sallat e reja gjyqit të inauguruara këtë të hënë, por sërish me kafazet e qelqta të të paraburgosurve. Ai ju drejtua togave të zeza duke pyetur se ku e kanë “dinjitetin njerëzor më sallat e reja, kur presidenti qëndron në kafaz me xhama”.

Monika Kryemadhi kërkoi të gjitha përgjimet, ndërsa gjyqtarja tha se çdo gjë qe ka ardhur nga seanca paraprake, palët do e marrin.

Më pas seanca vijoi me leximin e parashtrimeve nga ana e prokurorëve, të cilët kujtuan edhe një herë provat ndaj të pandehurve për aferën e CEZ-DIA, lobimin në SHBA, apo edhe marrëdhënien korruptive me biznesmenin Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit. Vetëm për këtë marrëdhënie SPAK tha se ish çifti përfituan rreth 526 mijë dollarë, 234 mijë dollarë blerje nga Kryemadhi me kartën e kreditit dhe pjesa tjetër për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nxiti reagimin e ish kryetares së LSI e cila akuzoi prokurorët si mashtrues, ndërsa Presidenti i PL Meta i kujtoi edhe një herë gjykatës që është i divorcuar nga Kryemadhi dhe s’mund të mbajë asnjë përgjegjësi për veprimet e saj.

“Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj: në seancën paraprake edhe zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin ‘i divorcuar’. Unë mos të mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam prej para 20 vitesh. Nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre”, tha ai, duke pretenduar se edhe orën e ka të vjetër prej 20 vitesh

Gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, mikeshë e saj, të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:50
Seanca në GJKKO/ Meta: Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për lobimin 1 milionë dollarë! Do ç’montohen njëra pas tjetrës të gjitha akuzat

1777388293_Sequence01.08005617.Still382.jpg

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se ditën e sotme vetë Prokuroria e Posaçme ka rrëzuar akuzën kryesore ndaj tij, atë për 'lobimin 1 milionë dollarë për një foto me Presidentin Donald Trump' (gjatë mandatit të tij të parë si President i SHBA).

Komentet Meta i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, pas seancës së sotme të zhvilluar në GJKKO për dosjen ‘Meta-Kryemadhi’.

Duke theksuar se kallëzimi ndaj tij është ngritur nga akuza të rreme, Meta premtoi se edhe akuzat e tjera të ngritura ndaj tij do të ‘çmontohen’ njëra pas tjetrës.

Reagimi i Metës:

Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.

Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.

Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.

Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.

 

Ora 17:52
Avokati Cakrani pas seancës në GJKKO: Dënoj mbajtjen në kafaz të Ilir Metës! Kemi 120 dëshmitarë dhe prova që vërtetojnë pavlefshmërinë e procesit

 

Avokati i ish-Presidentit Ilir Meta është shprehur se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të gjykohen me gjykim të zakonshëm, pasi sipas tij, kërkojnë që të provojnë pafajësinë.

Komentet avokati Kujtim Cakrani i bëri gjatë fjalës së tij pas përfundimit të seancës në GJKKO për çështjen ‘Meta-Kryemadhi’, ku tha se Meta ka rreth 120 dëshmitarë dhe prova të mjaftueshmë për të provuar pavlefshmërinë e procesit.

“Çështja do të hidhet në short, dhe presim që trupi i ardhshëm të shqyrtojë cështjen në themel për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Ne do paraqesim provat tona, për pavleftshmëri, por edhe për marrjen e provave. Kemi rreth 120 dëshmitarë nga ana jonë.

Metën dhe Kryemadhin i bashkon gjykimi i zakonshëm, dhe ne normal që do shkojmë me gjykim të zakonshëm se duam të provojmë pafajësinë. Prokurori s’kishte prova për të fajësuar zotin Meta, sepse ai nuk hynte në asnjë bisedë telefonike, e-mail apo takime”, tha mes të tjerash Cakrani.

Teksa dënoi mbajtjen e Metës në kafaz xhami gjatë seancës gjyqësore, Cakrani tha gjithashtu se gjendja fizike e ish-Presidentit është shumë e mirë.

Lidhur me deklaratën e Metës ‘nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e ish-gruas’, avokati Cakrani tha se Kryemadhi e ka marrë vetë përgjegjësinë (për veprimet e saj) që kur është pyetur në Prokurori gjatë hetimeve paraprake.

“Pavarësisht se Meta është i izoluar në kafaz për turpin e kësaj drejtësie, ishte shumë mirë dhe nga ana fizike, ishte palestrato, padyshim edhe nga ana mendore.

Përgjegjësinë Kryemadhi e ka marrë vetë që kur është pyetur në prokurori gjatë hetimeve paraprake. Nuk besoj që merret prokurori me shtëpinë, besoj se merret bashkëshortja e prokurorit”, është shprehur Cakrani.

Ora 17:35
Kryemadhi pas seancës në GJKKO: Filloi të na pikojë kondicioneri te salla e re! Ilir Meta është top formë, i kishin çuar kostumin e gabuar javës së kaluar

 

Monika Kryemadhi është shprehur se ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, është në ‘top formë’ nga ana fizike.

Komentet Kryemadhi i bëri pas daljes nga ambientet e GJKKO-së, ku u zhvillua seanca gjyqësore për dosjen ‘Meta-Kryemadhi’.

Teksa komentoi pretendimet për një rënie fizike të Ilir Metës gjatë qëndrimit në qeli, Kryemadhi tha se gjatë seancës së kaluar ish-Presidentit i kishin çuar gabimisht një kostum më të madh që e tregonte të dobët.

Një episod 'i veçantë' i ndodhur gjatë seancës gjyqësore, sipas Kryemadhit ishte rrjedhja e ujit të kondicionerit mbi kokat e të pranishmëve. Duke folur për dosjen, ajo tha se hetimi ndaj saj dhe Ilir Metës është politik dhe nuk ka prova për fajësimin e tyre.

“Nuk kishte tensione. I vetmi tension ishte që filloi të na pikonte kondicioneri i ri te salla e re. Ishin blloku tubat. Normalisht që 3 të tjerë do veçoheshin sepse ajo është një çështje politike dhe do një durim strategjik. Gjyqi mes meje, Ilir Metës dhe drejtësisë së re është një gjyq politik dhe ne që kemi qenë edhe shkaktarët e Reformës në Drejtësi, do paguajmë ato faturat tona, që do i paguajmë dhe po i paguajmë. Por s’kemi pse marrim me vete edhe njerëz të pafajshëm. Ndarja e çështjes është diçka pozitive. Analiza financiare e bërë për mamanë time, e tregon dhe ja jep të sakta që ajo ka burime financiare dhe të ardhura në të gjithë jetën e saj. Edhe çështja për shoqen time, Ema Çokun, është një pretendim që thonë ata pse ke bërë ti një deklaratë noteriale në 2024. Po normal sepse në 2010 ata nuk ishin subjekt i një hetimi pasuror. Pretendimet për abuzim nga mamaja ime nuk qëndrojnë, sepse është hetuar që atëherë nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë.

Bëhet fjalë për operacionet shëndetësore të mia dhe vajzës sime, por edhe një operacion të Metës. Këto kanë qenë të deklaruara. Ilir Meta, për fatin e tij të mirë, duke qenë burrë shteti, ai nuk është marrë kurrë me gjërat e shtëpisë, s'është pjesë e asnjë lloj shpenzimi apo marrëdhënies tim me kushëririn tim Adrian Shatku. Edhe ajo është histori tjetër, fati i atij qylaxhi ai gjithë jetën, ka për të fituar nga 10 milionë euro tani në SHBA, se do të hapen të gjitha letrat, se është shkelur privatësia dhe gjithë marrëdhënia e mirëbesimit midis spak dhe departamentit të drejtësisë, se dokumentacionet janë marrë pa vendim të SPAK, që është e dënueshme në SHBA. Fati i keq i Metës, është që për hir të politikës ka kaluar shumë pak kohë me fëmijët e tij.

Kemi menduar se duke iu dhënë të tjerëve më shumë, do të kontribuonim më shumë për vendin, por s’ka problem. Iu bëj thirrje gjithë prindërve të rinj që të kujdesen për fëmijët, sepse hallet e politikanëve s’kanë për të përfunduar kurrë. Politikanët e rinj i kanë faturat më të shtrenjta se ne të vjetrit të gjithë bashkë. Ilir Meta është top formë. Në posturë është drejt. I kishin çuar kostumin e gabuar javës së kaluar. I kishin çuar masë të madhe, 56. Duhet t’ja çonin 52-53. Unë jam si të verbërit vëlla, që me dorë e njoh Ilir Metën”, tha mes të tjerash Kryemadhi.

Ish-çifti i bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, do të gjykohen në një proces, të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gjykata e Posaçme ndau më vete me gjykim të shkurtuar tre të pandehurit e tjerë.

Ora 15:19
Afera CEZ-DIA/ SPAK: Meta i çoi SMS Kastriot Ismailajt, i shkruan ‘Dua 200’ ! Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut

Në gjyqin në themel në ngarkim të Ilir Metës, prokurori i SPAK i është referuar provave ng dosja hetimore për të vërtetuar lidhjet e ish-presidentit me aferën CEZ-DIA dhe lobimet në SHBA. Aty flitet dhe për shpenzime që ka bërë Monika Kryemadhi me kartën e kushëririt të saj, biznesmeni Ardian Shatku.

“Meta ka pranuar se e njeh Kastriot Ismailajn, ka mesazhe intensive, Meta ne 2009 i ka çuar sms dhe i ka shkruar "dua 200".

Meta e Kryemadhi kane mare përsipër te ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA qe kompania e Ardian Sharkut të futet ne treg. Ka komunikime te vazhdueshme, takim te Metës ne Marok dhe SHBA. Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave ne Shqipëri.

Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut. Ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë urdhrin nr. 1814, datë 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës.

Kryemadhi i k shkruar Shatkut se ne duam kontratën, duke u nënkuptuar se e do edhe Meta. Marrëdhënia e Metës me kompaninë e Shatkut dhe lobimi: LSI ka bërë lobim përmes ndihmës së kompanisë së Shatkut.

LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, duke raportuar se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e 4 muaj, por realisht ishte vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh që kaloi nga llogaria. Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, ka thënë prokurori i SPAK.

Ora 14:18
‘President si je?’ Meta-Leskajt nga kafazi i qelqtë: Akustika, akustika… xhami

1778502005_ËhatsAppImage20260511at13.48.10.jpeg

Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta është shoqëruar me momente tensioni dhe komunikime direkte nga salla, ndërsa gjykata ishte tërhequr për të shqyrtuar kërkesat e palëve. Gjatë ndërprerjes së seancës, Bujar Leskaj iu drejtua Metës nga salla.

Bujar Leskaj: President, si je? Je i fortë?

Ilir Meta: Jam mirë, jam i fortë. (Nuk dëgjohet kur përshëndet Nokën dhe mbështetësit në sallë.) Afrohet dhe thotë: Akustika, akustika… xhami.

Ora 14:00
Fotosekuenca/ Ilir Meta në kafazin prej xhami në GJKKO, mund të komunikojë vetëm me shenja

Këto janë disa foto të shkrepura nga gjyqi i ish-presidentit Ilir Meta, i cili edhe në këtë seancë mbahet brenda kafazit. Siç mund të shihet edhe në foto, Ilir Meta ka vështirësi për të komunikuar me avokatin e tij mbrojtës, Kujtim Cakrani. Ky i fundit në një moment dallohet i afruar pranë kafazit të xhamit dhe mundohet të flasë me Metën përmes një hapësirë të vogël në kafazin e xhamtë.

Në momente të tjera, Meta është fotografuar duke u munduar të flasë vetëm përmes shenjave me gazetarët që ndodhen brenda në sallën e gjyqit, kjo pasi mikrofoni brenda në kafaz është i mbyllur dhe hapet vetëm me miratimin e gjyqtares.

Ora 13:48
Gjyqi në GJKKO/ Meta kërkon transmetim live të seancës, e mbështet dhe Monika Kryemadhi

1778499699_meta.jpeg

Avokati mbrojtës i Ilir Metës ka kërkuar praninë e mediave dhe transmetimit live të seancës gjyqësore. Kësaj kërkese i është bashkuar dhe Monika Kryemadhi.

Monika Kryemadhi: Jam dakord që seanca të bëhet live. Ky intimidim dhe linçim që më është bërë mua dhe ish burrit tim, duhet të jetë e hapur që shqiptarët të shohin provat. 

Në Amerikë edhe vrasësi ulet jashtë kafazit. Edhe ne dhe prokuroria jemi palë. Duhet të prezumohem e pafajshme. Me duhen përgjimet ambientale dhe telefonike që ka bërë prokuroria. Të plota.

Ora 13:26
Ilir Meta prezent në gjyqin në themel në GJKKO, ish-presidenti përshëndet mediat nga kafazi me shqiponjë (VIDEO)

Ish-presidenti Ilir Meta është sot i pranishëm në seancën e dytë të gjykimit në themel të dosjes në ngarkim të tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi e të tjerë persona.

Ashtu si në çdo prezencë të tij në sallë të gjyqit, Ilir Meta ndodhet brenda në kafazin e qelqtë. Ai ka përshëndetur mediat duke bërë simbolin e shqiponjës me duar.