Bashkim Rajku, babai i Noizy-t dhe motra e tij u paraqitën këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu.
Ata janë në mesin e 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po gjykohet si kreu i një grupi kriminal për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Bashkim Rajku dhe e bija Anisa janë thirrur në GJKKO për tritolin e vendosur në lokalin e Noizyt, ku dyshohet se porositës është Laret Haxhiu e të tjerë bashkëpunëtorë të tij. Babai i reperit ka dëshmuar në GJKKO se nuk ka dijeni për autorin dhe se nuk di që i biri të jetë në konflikt me të tjerë persona.
Bashkim Rajku: Në Durrës kemi patur një dyqan rrobash, në lagjen 13. Unë e kam lokal me qira, investim i joni është. Unë jam pronar i biznesit, vajza është administratore. Përpara 4 vitesh në 2022, ndodhi një ngjarje, shpërtheu diçka te lokali dhe e gjetëm të shkatërruar. Unë kam qenë në banesë duke fjetur në katin e 5 të të njëjtit objekt, zhurmën e dëgjova. Ecurinë e aktivitetit e ndiqte administratorja, vajza ime Anisa. Në atë periudhë ajo ka qenë jashtë shteti. Përveç Anisës, kam djalin Rigelsin është muzikant. Djali ka qenë në gjumë , nuk ka parë gjë. Lokali ka qenë i mbyllur, i tillë ka qenë orari. Djali jeton vetëm, e ka shtëpinë afër nesh dy kate poshtë nesh. Kur dëgjova zhurmën zbrita poshtë. Djalin e pashë mbrapa pasi u mblodhën të gjithë njerëzit. Ne dëgjuam zhurmën dhe zbritëm poshtë.
Në atë moment nuk e kisha mendjen te komshinjtë, e kisha te halli im. Ishte prishur gjithçka, ishin thyer xhamat. Ne pritëm kur erdhi policia dhe bënë verifikimet. Lokali është 100 metra2, i vendosur në katin e parë të pallatit. Ngjarjen nuk e di pse ndodhi, përderisa nuk kam parë gjë nuk di gjë. Me djalin fola, nuk kemi patur probleme me askënd. Djali artisti është, ku di unë tani. Konflikt me njerëzit nuk kemi, çështje xhelozie a rinie nuk e di tani. Personat që kemi marr vesh në media, nuk kishim lidhje me ta. Kleviol Ahmetin e kemi dëgjuar, e di që merret me muzikë. Ka patur xhelozi pune me djalin tim, nuk di gjë më shumë. Ky është nga Lushnja më duket. Pasi ndodhi ngjarja, nuk kam patur dyshime sepse s’kisha hasmëri me njeri që të më vinte tritolin.
Dëshmitari tjetër ishte Raido Kajdo, i cili dha deklarime për vrasjen e mbetur në tentativë të Kujtim Metës në prill të vitit 2022 në Lushnjë. Kajdo tregon se ndodhej në lokal së bashku me të vëllain dhe se autori ishte i maskuar.
“Kam qenë duke pirë kafe në një lokal kur është qëlluar me armë Kujtim Meta, e njihja. Lokali ndodhej pranë stacionit të trenit. Kujtoj momentin që kam qenë me vëllain duke pirë kafe me vëllain, po qëndroja në telefon dhe dëgjova zhurmën, u ngritëm dhe u larguam. Kujtim Meta ka qenë ulur dy tavolina më tutje. Pashë një person me kapuç dhe maskë, kur ngrita kokën pashë pronarin e lokalit që iku me vrap. Zhurmë si kapsoll. Kam ikur me vrap, vetëm një të kërcitur dëgjova, vëllai qëndroi aty unë ika me vrap. U ktheva te lokali për vëllain. Gjeta vëllain dhe pastaj kërkuam ndihmë për të dëmtuarin. I zoti i lokalit dhe dy persona të tjerë që punonin aty, e ndihmonin, e çuam me makinën time në spital. Vetëm rënkonte, Juxhini vëllai im, dhe i zoti i lokalit ndodheshim në makinë. Nuk kam dëgjuar asgjë vetëm se rënkimet e të dëmtuarit. Kam kaluar tronditje dhe trauma nga kjo ngjarje. Marjus Tafanin se njoh e kam parë në lajme”, tha ai.
Seanca u shty për në datën 28 maj ku do të thirret përsëri si dëshmitar Noizy, Kleviol Ahmeti dhe të tjerë persona.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










