Debati rreth të ardhmes së Partisë Demokratike, ndoshta për shumë veta është bërë i bezdisshëm. Për disa të tjerë duket i kotë, ndërsa për militantët e PDsë konsiderohet si akt tradhtie në kohën kur vendi ka emergjenca më të mëdha. Askush nuk do të kishte ndonjë mirakandje të merrej duke u engledisur më këtë çështje, sikur rruga për të përmirësuar vendin, për të çmontuar qeverisjen e korruptuar dhe për të hapur diapazonin politik, të mos kalonte nga opozita.
Që një qeveri të rrëzohet në demokraci ka disa mënyra, përmes zgjedhjeve, përmes protestave masive dhe të vazhdueshme, goditjeve nga sistemi i drejtësisë, si dhe presionit ndërkombëtar që shtyn drejt dorëheqjeve. Nga të gjithë këto elemente, më i sakti në tronditjen e telenovelës politike shqiptare ka qenë Prokuroria e Posaçme me rrufeshmërinë e saj elektrizuese. Mënyrat e tjera si zgjedhjet, protestat dhe presioni ndërkombëtar janë të lidhura pashmangshmërisht me opozitën, identitetin, natyrën dhe fuqinë e saj. Një opozitë me lidership të besueshëm, e fortë, me rrënjë në bazën e saj elektorale, garanton cilësi të mirë besueshmërie tek zgjedhësit, protesta tronditëse si dhe vëmendje të spikatur ndërkombëtare.
Ja pse jemi të dënuar të merremi me opozitën sepse përmes saj kalon rruga drejt ndryshimeve të mëdha dhe masa e këtyre ndryshimeve merr ngjyrën e identitetit, natyrës dhe fuqisë saj. Mirëpo, për të disatën herë në zgjedhje, për të pafundmen herë në protesta si dhe për qartësinë e qëndrimit ndërkombëtar, Partia Demokratike si thelbi i opozitës shqiptare, nuk trondit, nuk vetëtin, nuk të kërshërit. Tani, kur këtë përpiqesh ta diskutosh me përfaqësues të lidershipit demokrat, reagimet janë përtej habisë. Në rastin më të mire je një naiv që nuk kupton gjë, në rastin më të keq je shërbëtor i Ramës. Me pak fjalë, je subjekt i “veprës penale” si opozitë e opozitës.
Më shumë se sa narrativa, ajo që të shastis me lidershipin e PD-së, është bindja aq e zhurmshme e këtyre përfaqësuesve, në kufijtë e verbërisë, me të cilin arsyetimi shpallet i falimentuar. Situata të tilla më kujtojnë një shprehje në një vepër aforistiko-filozofike të Nietzche-s “Human, All Too Human”, ku ai thotë se, “bindjet janë armiq më të rrezikshëm të së vërtetës, sesa gënjeshtrat”. Bindja e verbër se e vërteta qëndron në njërin dhe vetëm njërin krah të ngjarjeve, do të duhej të çmontohej nga dështimet disavjeçare opozitare, por jo, ajo përsëri është aty dhe ushqen tribalizmin politik opozitar nga rrudhosja në rrudhosje. Kur këtë e sheh në nivel të komunikimit dhe PR të partisë më të madhe opozitare, atëherë shqetësimi merr formën e tij më alarmante.
Bindja e verbër shoqërohet me një retorikë politike justifikuese të pamundësisë për shkak të tjetrit. Nëse vëren linjën e alibisë politike të komunikimit publik të PD-së, ajo përqendrohet te teza e kapjes së institucioneve nga Edi Rama, gjë që bën që ekzekutivi të ketë një dorë të forte ndaj administratës, gjykatave si dhe parlamenti kthehet në një noter të qeverisë, për rrjedhojë opozita ngel e pafuqishme në raport më këtë ngërç. Por, ka shumë raste, jo larg, me opozitat fqinje, që kanë fituar ndaj qeverive të cilat kishin kapur institucionet edhe më keq. Në Maqedoninë e Veriut, qeveria Gruevski kishte kapur institucionet, median dhe kishte organizuar përgjime masive të mbi 200 mijë qytetarëve, të cilat u kthyen në skandal shtetëror. Opozita e asaj kohe me Zaevin dhe me “bombat” tij, arriti të faktonte kontrollin e rreptë të qeverisë ndaj institucioneve, mediave, falsifikimin e zgjedhjeve, korrupsionin e lartë duke fituar legjitimitet moral dhe arriti të ndërtonte një koalicion fitues. Nuk ishte vetëm skandali i Gruevskit, por ishte kapitalizimi që një opozitë e besueshme në popull të arrinte ta rrëzonte atë pas 10 vitesh në pushtet. Këtu tek ne “bombat” i plas SPAK, dhe opozita nuk kapitalizon përmbajtjen e tyre, por sulmon institucionin që i plas ato.
E njëjta gjë në Mal të Zi me rastin e partisë-shtet 30-vjeçare të Gjukanoviç, ku në 2020-n, opozita u organizua, zgjodhi kauzën e duhur me fokus sistemin dhe arriti të zhbënte epokën Gjukaniviç, duke krijuar momentin politik. Po ashtu në Serbi, opozita fitoi zgjedhjet lokale dhe arriti të kërcënojë realisht pushtetin e Vuçiç mbi çdo institucion dhe media dhe me anë te besueshmërisë dhe këmbënguljes po trondit realisht pushtetin e tij. Ndërsa për të shkuar më tej tek rasti i Polonisë në 2023, kur qeveria kishte kapur gjykatat, mediat, administratën publike etj.. Opozita polake u bashkua nga liberalët deri te konservatorët dhe në mënyrë të besueshme shkaktoi një pjesëmarrje rekord të popullit në zgjedhje duke i dhënë mundësinë opozitës të ndërtojë qeverinë.
Problemi i narrativës së komunikimit publik të Partisë Demokratike është se ajo arrin të shpjegojë një pjesë të arsyeve të humbjes, por jo të gjithën. Ajo arrin me bindjen e verbër ndaj liderit të radikalizojë një pjesë të bazës por jo të mobilizojë të pavendosurit, skeptikët dhe të zhgënjyerit. Ajo arrin të tregojë mundësisht deri në detaje pse Rama është i fortë, por nuk rreket aspak, bile refuzon të analizojë pse PD është e dobët. Me këtë formë komunikimi ajo radikalizon bërthamën, por shpërbën frutin. Ajo jep shumë arsye pse Rama duhet të rrëzohet, por pak ose aspak arsye pse PD duhet të vijë në pushtet. Nga njëra anë feston 8 Dhjetorin si simbolin e guximit të shqiptarëve për të rrëzuar diktaturën më gjakatare në Evropë, nga ana tjetër qahet për një popull frikacak që nuk reagon. Këndej thotë se media është e kapur, ndërkohë që secili noton i lirë në hapësirën e tij dixhitale për t’u shprehur, edhe pse historia moderne na mëson se qeveritë e korruptuara janë përmbysur nga revolucioni dixhital i rrjeteve. Nga njëra anë thotë se varfëria është pika me të cilën Rama manipulon njerëzit, nga ana tjetër nuk tregon se pse në qendrat mëdha votuesi i kamur urban nuk i voton.
Vërtet, verbëria në raport me të vërtetën është më e rrezikshme se sa gënjeshtra, sepse mund të gënjesh dhe mund të përgënjeshtrohesh më pas, por kur nuk sheh, je i pashpresë./Panorama/ *Titulli është redaksional. (Titulli i autorit: Bindjet e vjetra, më keq se gënjeshtrat)
Komente










