Pesë shqiptarë dhe një britanike kanë pranuar rolin e tyre në një seri vjedhjesh në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, të cilat ndodhën në Worcestershire të Veriut.

Endrit Nikolli, 27 vjeç, Kristian Gropcaj, 30 vjeç, George Lleshaj, 31 vjeç, Krisjian Dedndreaj, 28 vjeç, dhe Sidorjan Lleshi, 26 vjeç, të gjithë u deklaruan fajtorë për komplot për vjedhje, gjatë seancave dëgjimore në Gjykatën e Kurorës në Chester më 28 nëntor 2025 dhe 6 janar.

Jade Tubb, 33 vjeçe, gjithashtu u deklarua fajtore për konspiracion për të poseduar pasuri kriminale. Nikolli dhe Lleshi pranuan gjithashtu një akuzë tjetër për vjedhje me dhunë, në lidhje me dy vjedhje në Staffordshire në mars 2024 dhe dhjetor 2023.

Ata futeshin në ambiente duke përdorur shkallë për të hyrë në dritaret dhe ballkonet e katit të parë, sipas një deklarate nga Policia e Cheshire.

Pasi hynin brenda, ata plaçkitnin bizhuteri, çanta firmato, ora dhe para, shkruajnë mediat britanike.

Hetime të mëtejshme zbuluan se të katër shqiptarët takoheshin rregullisht në një kafene në lagjen e bizhuterive në Birmingham.

Përveç kësaj, oficerët vërtetuan se Tubb ishte në një lidhje dashurie me Nikollin.

Gjatë bastisjeve, oficerët gjetën 13 çanta dore firmato, së bashku me 14 orë dore me vlerë gati 17,000 paund.

Gjatë urdhër-arresteve u sekuestruan gjithashtu disa telefona celularë, dhe gjatë analizës, oficerët gjetën qindra imazhe të sendeve të vjedhura, së bashku me mesazhe që përmbanin linqe për hartat e Google, të cilat korrespondonin me vendet ku u kryen vjedhjet/

Përveç kësaj, oficerët gjetën mesazhe që tregonin se kishte një anëtar të gjashtë të bandës , Sidorjan Lleshi, i cili jetonte në Sheffield.

Vlera totale e vlerësuar e sendeve të vjedhura është mbi 1 milion paund. Teksa disa sende janë rikuperuar, shumica dërrmuese besohet se janë shitur, sipas policisë.