Real Madridi do të përballet sot me Benficën pa yllin e sulmit, pasi është konfirmuar mungesa e Kylian Mbappe për ndeshjen e kthimit në fazën play-off të Champions League, e cila do të zhvillohet sot në orën 21:00 në 'Bernabeu'.
Sulmuesi francez vazhdon të ketë probleme me gjurin e majtë dhe u detyrua të ndërpresë para kohe seancën stërvitore të së martës. Ekzaminimet mjekësore të kryera më pas treguan se gjendja e tij është ende larg rikuperimit, duke e bërë të pamundur aktivizimin kundër portugezëve.
Mungesa e tij është e pashmangshme, ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasë periudha e rikuperimit. Zbatimi i një protokolli të veçantë trajtimi është konsideruar i domosdoshëm për sulmuesin francez.
Paradoksalisht, vetëm pak orë më parë trajneri Alvaro Arbeloa kishte deklaruar se Mbappe ishte gati për të luajtur, duke vlerësuar përkushtimin e tij maksimal ndaj skuadrës. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar situatën.
Në mungesë të golashënuesit kryesor, pritet që nga minuta e parë të aktivizohet Gonzalo Garcia, i cili do të ketë barrën kryesore në repartin sulmues të “Los Blancos” në një duel vendimtar për kualifikimin.
Veç Mbappesë, për Realin në sfidën e sotme do mungojnë edhe Jude Bellingham, Dani Cabellos, Eder Militao, Dean Huijsen dhe Rodrygo.
Lajmi kryesor:
Champions League zhvillon sot katër ndeshjet e fundit play-off, Juventusit i duhen tre gola kundër Galatasarayt! Në fushë Real Madridi, PSG e Dortmundi







