Derbi i ‘Ruhr-it’ në Gjermani mes Dortmund dhe Schalkes ka prodhuar një spektakël të vërtetë për tifozët e futbollit, por përfundimi ka qenë i hidhur për Dortmund pasi me këtë disfatë mund të ketë mbyllur llogaritë për titullin. Skuadra verdhezi që luante në Sigal Iduna Park edhe pse kaloi e para në avantazh në fund është mposhtur me shifrat 2-4.
Rezultatin e zhbllokoi Mario Gotze që finalizoi me kokë një aksion model, por në harkun e 10 minutave Caligiuri dhe Sane përmbysën rezultatin për Schalke-n. Kaq në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës të gjithë u shtangën kur kapiteni Reus bëri një ndërhyrje jo të personalitetit të tij, duke lënë ekipin me 10 lojtarë. Jo vetëm kaq, por goditja e dënimit e ekzekutuar nga Caligiuri do të kthehej në një gol mahnitës, duke vështirësuar bilancet për Dortmund. Për të vulosur humbjen mendoi Wolf, që ashtu si Reus mori karton të kuq.
Në vijimin e lojës Vitsel zgjoi përkohësisht shpresat për pikë te verdhezintë, por Embolo dy minuta më pas vuri pikat mbi I në këtë takim.