Bologna mposhti 2-0 Fiorentinën për ndeshjen e javës së 21-të në Serie A, duel ky i prapambetur. Në "Renato Dall'Ara" djemtë e Thiago Mottës dominuan takimin dhe nuk i dhanë asnjë mundësi për pikë "Vjollcëve" të Italianos.
Sfida u vendos në dy ekstremet e saj. Ishte Orsolini në minutën e 12-të që zhbllokoi ndeshjen me një gol fantastik. Pasimi i Ferguson nga më shumë se 50 metra u kontrollua nga sulmuesi, që para se të gjuante portën dribloi bukur dhe ia la topin pas shpine Terracianos.
Në minutën e 36-të, sërish Orsolini shënoi te Bologna, por VAR e anulloi për pozicion jashtë loje. Goli që "arkivoi" tri pikët e vendasve u shënua nga Odgaard në të 90+5 minutë.
Me 42 pikë, Bologna merr vendin e pestë, me pikë të barabarta me Atalantën e vendit të katërt. Nga ana tjetër, Fiore me 37 pikë qëndron në pozitën e tetë.