Mbi 100 mijë euro dyshohet se grabiti Robert Duka në dy filiale bankash në tiranë, më 2 qershor e 2 nëntor. Por shumicat e parave, 50-vjecari me origjinë nga Vlora, mendohet t’ia ketë lënë vesit. Burime nga grupi hetimor thonë për Report Tv, se gjatë dëshmisë në polici, pasi u arrestua më 9 nëntor, Duka ka deklaruar se një pjesë të konsiderueshme të parave të grabitura në banka nën kërcënimin e armës dhe i maskuar, i ka humbur duke luajtur në kazino.

Grupi hetimor do ta verifikojë këtë deklarim duke pyetur në kazinotë që ai ka treguar.

6 mijë euro nga paratë e grabitura ai thotë se ua ka dhënë 2 miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë secilit. Kjo dëshmi është verifikuar nga policia, të cilët kanë deklaruar se paratë që morën Robert Duka ua kishte borxh.

Megjithë lojërat e humbura në kaziono e borxhet ndaj miqve, hetuesit po verifikojnë nëse 50-vjecari i ka ndarë paratë te persona të tjerë, që mund të kenë përfituar nga grabitjet.

Kur efektivët e arrestuan më 10 nëntor në një banesë me qira në Tiranë, i gjetën vetëm 8200 euro. Bashkëshortja e Dukës, e cila për ironi të fatit punon në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, ka deklaruar në polici, se shuma e parave në banesë, ishin kursime familjare të siguruara nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.

Grabitësi i bankave ka një profil të errët edhe në Greqi. Në vitin 2010 ai është arrestuar atje, me 3 shqiptarë të tjerë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, që mendohet se kishin kryer 28 grabitjeve në supermarkete në të gjithë rajonin e Atikës. Në 3 vite, nga 2007–2010 ky grup, dyshohet se ka vjedhur mbi 1.2 milionë euro produkte.

Robert Duka u arratis nga burgu i Tirinthës në vitin 2016 së bashku me disa të dënuar të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në 2019-ën, u lirua nga burgu me kusht.

50-vjeçari i grabiti dy bankat në Tiranë me të njëjtën skemë. Shkon me monopatinë, i veshur me të zeza, i maskuar dhe me kokore motori, nxjerr armën, kërcënon rojën e sigurisë, dhe më tej merr në arkë paratë. Në të dyja rastet u largua sërish me monopatinën elektrike, të cilën pas një distance, e fuste në një makinë që merrte me qira për të shmangur policinë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë