Mediat greke vijojnë të publikojnë detaje të tjera sa i përket vrasjes së çiftit shqiptar Halitaj në Greqi, ndërsa dy grabitës hynë në shtëpi.
 
Të përditshmet helene kanë zbardhur dëshminë që djali 28-vjeçar me probleme mendore i kësaj familje ka dhënë para autoriteteve.
 
Mësohet se i riu në momentin kur u hapi derën grabitësve është shprehur "Mami mami, Policia”. Pasi dhe vetë keqbërësit dyshohet se janë paraqitur si punonjës policie.
 
28-vjecari ishte shpresa e policisë se ai mund të identifikonte autorët por në këtë pikë çështja vështirësohet për shkak të gjendjes së tij.
 
Madje gjatë natës tragjike të 3 shkurtit autorët goditën me një mjet prerës edhe djalin. Edhe vajza 18 vjeçare e cila qëndronte në dhomë ka dëgjuar të shtënat dhe të folurën në shqip kur grabitësit hynë në dhomën e prindërve dhe kanë kërkuar paratë.
 
Një natë e kobshme ishte data 3 shkurt për familjen shqiptare e cila jetonte në rrugën OLIMP në Athinë ku dy grabitës hynë në shtëpi duke vrarë me plumb në kokë gruan dhe kryefamiljarin i cili humbi jetën pak ditë më pas.
 
Sipas policisë autorët kanë arritur të marrin një shumë prej 9000 eurosh. 
 
Familja shqiptare është cilësuar një familje e qetë, 53 vjeçari kryefamiljari një njeri punëtor që kujdesej për ta dhe veçanërisht për djalin e sëmurë.
 
Policia helene i ka shtrirë hetimet brenda rrethit të shoqërisë së familjes duke hedhur dyshimet se grabitësit kishin dijeni për kursimet e familjes ndërsa pritet që provat materiale të zbardhin më tej ngjarjen tragjike.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com