Grabitet Luvri, muzeu më I vizituar në botë, në zemër të Parisit. Janë vjedhur nëntë pjesë nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe të perandoreshës. Nuk ka pasur të plagosur, por disa dëshmitarë tregojnë se policia vraponte pranë muzeut të famshëm dhe përpiqej të hynte në Luvër nga dyert anësore prej xhami, por ato ishin të mbyllura me çelës dhe ishte e pamundur të hapeshin. Brenda, “të gjithë vraponin dhe godisnin dyert prej xhami për të dalë jashtë”. Në fund, policia dhe xhandarmëria arritën të rikthenin qetësinë, por grabitësit tashmë kishin ikur me motoçikleta Yamaha T-Max, duke marrë drejtimin e autostradës A6 drejt Lionit.

Presidenti i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, e quajti ngjarjen “një poshtërim të padurueshëm për vendin. “Luvri është një simbol botëror i kulturës sonë. Deri ku do të shkojë shkatërrimi i shtetit?”.

Më e kujdesshme ishte Marine Le Pen, e cila deklaroi: “Kjo vjedhje në Luvër është një tjetër provë për vendin tonë. Nuk është momenti për polemika. Megjithatë, përgjegjësia na detyron të pranojmë se muzetë tanë dhe ndërtesat historike nuk janë të mbrojtura në mënyrë të përshtatshme përballë kërcënimeve që rëndojnë mbi to. Duhet reaguar,” – tha ajo.

Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, nga radio Europe 1, midis orës 9:30 dhe 9:40, grabitësit me fytyra të mbuluara dhe të veshur si punëtorë ndërtimi sulmuan muzeun nga ana e Senës, ku po kryhen punime restaurimi.

Ata vendosën një ashensor lëvizës për zhvendosje sendesh pranë një salle të Galerisë së Apolonit, ku ruhen bizhuteritë, më pas hapën dritaret duke përdorur sharra elektrike. Dy prej autorëve hynë brenda, ndërsa një i tretë qëndroi roje jashtë.

Grabitësit vodhën një varëse, një spile, një diademë dhe bizhuteri të tjera të Napoleonit, të ekspozuara në vitrinat kushtuar monarkëve francezë. Sipas një burimi të brendshëm të Luvrit, të cituar nga Le Parisien, diamanti i famshëm “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është vjedhur.

Dëmi ende nuk është vlerësuar, por ekziston frika se bizhuteritë do të çmontohen menjëherë dhe ari do të shkrihet, siç ndodhi një muaj më parë me thërrimet e arit të vjedhura nga Muzeu i Historisë Natyrore.

Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, mbërriti menjëherë në vendngjarje. Në një intervistë ajo sqaroi se vjedhja ka ndodhur në vetëm katër minuta, pra në një kohë edhe më të shkurtër se sa deklarata e mëparshme e ministrit të Brendshëm Laurent Nuñez, i cili në mëngjes kishte folur për “një grabitje të rëndësishme, ku janë vjedhur bizhuteri me vlerë të paçmuar gjatë një operacioni që zgjati shtatë minuta.”

Sipas Nuñez, i cili sapo është emëruar në qeverinë Lecornu pas disa vitesh si prefekt i policisë së Parisit, bëhet fjalë “qartësisht për një bandë profesioniste që kishte bërë më parë vëzhgime dhe planifikim të detajuar.”

Dy prej bizhuterive të vjedhura janë gjetur. Njëra prej tyre është kurora e perandoreshës Eugenia, e cila është dëmtuar rëndë. Ministri i Brendshëm pranoi se “ekziston një dobësi e madhe sigurie në muzetë francezë”.

Ai shtoi: “Po bëjmë gjithçka të mundur për të gjetur sa më shpejt autorët dhe jam i bindur se do t’ia dalim, duke përdorur pamjet e kamerave të sigurisë dhe duke krahasuar të dhënat me raste të ngjashme, në mënyrë që të ngushtojmë rrethin e hetimeve.” Sipas të dhënave të gazetës Le Parisien, policia ka gjetur në vendin e grabitjes dy sharra elektrike rrotulluese, një bombol me flakë oksidike, sasi karburanti, disa palë doreza, një radio dhe një batanije, përveç kurorës së përmendur më parë. Pak më larg nga vendngjarja është gjetur edhe një jelek i verdhë, të cilin grabitësit e kishin përdorur si pjesë të maskimit të tyre për t’u paraqitur si punëtorë ndërtimi./Corriere della Sera

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Vjedhja në Muzeun e Luvrit, Macron: Bizhuteritë do gjenden, autorët para drejtësisë

1757441335_emmanuelmacron.png

Pas vjedhjes në muzeun e Luvrit, presidenti francez Emmanuel Macron premton se autoritetet do të gjejnë tetë bizhuteritë e vjedhura.

Përmes një postimi në X, ai thekson se autorët do të nxirren para drejtësisë.

“Vjedhja e kryer në Luvër është një fyerje ndaj një trashëgimie kulturore që ne e duam, sepse është pjesë e historisë sonë. Ne do t’i gjejmë veprat dhe autorët do të nxirren para drejtësisë. Po bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme, kudo, për ta arritur këtë, nën drejtimin e prokurorisë së Parisit”, thotë presidenti francez.