Qeveria greke synon të marrë të ardhura me vlerë 3,7 miliardë euro nga zbatimi i reformave që u ka paraqitur kreditorëve të vendit dhe që përbën objekt diskutimesh në të ashtuquajturin Grupi i Brukselit (Brussels Group), njoftuan burime të kabinetit grek.
Ndërmjet reformave përfshihet tatimi i depozitave jashtë shtetit prej nga parashikohen 750 milionë euro të ardhura, rregullimi i detyrimeve të pashlyera, lufta kundër kontrabandës dhe licensimi i stacioneve televizive.
Gjithashtu, të ardhura me vlerë 1,5 miliardë euro vlerësohet se do të vijnë nga zbatimi i politikave për portin e Pireut, aeroportet rajonale dhe licencën e bastit të hipodromit.
Deri tani, bisedimet ndërmjet autoriteteve greke dhe përfaqësuesve të kreditorëve janë produktive.
Një regjistrim i parë i situatës aktuale do të bëhet sipas të gjitha gjasave në grupin e punës të eurozonës (Euro Working Group), që do të mblidhet me telekonferencë.
Bisedimet mes Greqisë dhe përfaqësuesve të kreditorëve vazhdojnë që nga e premtja në klimë konstruktive.
Deri tani nuk ka marrëveshje për listën e reformave./ atsh/