Një grup prej të paktën 15 anarkistësh u arrestua sot në oborrin e Parlamentit grek, në qendër të Athinës, ku ata u futën për të manifestuar kundër "burgjeve të sigurisë të lartë" dhe për të drejtat e të burgosurve.
"Policët arrestuan menjëherë manifestuesit të cilët pas disa minutash arritën të vendosnin një banderolë para hyrjes të Parlamentit, mbi të cilën shkruhej 'Solidaritet për grevistët, permbushje të kërkesave të tyre", tha një burim policor.
"Ata u transferuan me makinën e policisë në Drejtorinë e Policisë të Athinës", sipas të njëjtit burim.
Pothuajse 20 të dënuar, të cilët ishin pjesëmarrës në grupet terroriste "17 nëntori" dhe "Komploti i celulave të zjarrit", prej ditësh po zhvillojnë një grevë urie në disa burgje të vendit duke kërkuar lirimin e disa prej shokëve të tyre "për arsye shëndetësore" si dhe mbylljen e burgjeve të sigurisë të lartë.
"Një nga grevistët u transferua sot në spital për mjekim", sipas një burimi policor.
Zëdhënësi i së majtës radikale SYRIZA, Gabriel Sakellaridis, i cilësoi veprimet e anarkistëve si "provokuese dhe të pakuptueshme", ndërsa qeveria e Aleksis Ciprasit, në pushtet që prej 25 janarit, vendosi « të përmirësojë kushtet nëpër burgje dhe të mbyllë burgjet e sigurisë të lartë".
Ministria e Drejtësisë ka komunikuar se po harton një projektligj për këtë çështje./ atsh/