ATHINË, 10 mars /ATSH-ANA-MPA/- Ministri grek i Financave, Janis Varufaqis e cilësoi takimin e eurogrupit si një hap të rëndësishëm për zbatimin e vendimit të 20 shkurtit, në një deklaratë pas takimit me ministrat e Financave të zonës euro.
Varufaqis theksoi se do të ketë tashmë specifikim të programit të reformave që do të zbatojë qeveria greke katër muajt e ardhshëm, ndërkohë që duhen krijuar kushtet e nevojshme për negociatat që do të çojnë në marrëveshje për periudhën pas qershorit.
Varufaqis shtoi se marrëveshja e 20 shkurtit nuk mund të përmbushej në një ditë, mirëpo qeveria greke synon arritjen e një marrëveshjeje me institucionet evropiane mundësisht para datës 20 prill.
Lidhur me letrën dërguar kreut të Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem, ministri grek i financave theksoi se kërkonte fillimin e menjëhershëm të bisedimeve me institucionet.
Drejtuesi i zonës euro, Jeroen Dijsselbloem i kërkoi dje Greqisë të pumonte më shpejt me reformat duke akuzuar autoritetet e vendit se po humbin kohë që prej marrëveshjes së arritur në fund të muajit shkurt për zgjatjen deri në verë të programit të financimit./
"Shumë pak progrese janë bërë në dy javë, që prej takimit të fundit të Eurogrupit, nuk duhet të humbet kohë dhe duhet të fillojmë të diskutojmë seriozisht", konfirmoi Dijsselbloem, pas mbërritjes në një takim të ministrave të Financave të zonës euro në Bruksel.
/ec/











