Gjykata e Athinës ka dënuar me burgim të përjetshëm 39-vjeçarin shqiptar, Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 32-vjeçare dhe nënës së fëmijëve të tyre, Alba Cenko.
Sipas vendimit të gjykatës, i akuzuari, një punëtor ndërtimi, gjithashtu do të vuajë 2 vite e 6 muaj burgim për mbajtje dhe përdorim armësh. Ai u shpall fajtor për vrasje me dashje, me shumicë votash (6-1). Një prej anëtarëve mendonte se krimi mund të ishte kryer në shpërthim emocional, por kjo nuk u pranua.
Prokurori theksoi gjatë gjyqit se i akuzuari veproi me qetësi të jashtëzakonshme mendore, planifikoi të mbulonte krimin dhe nuk tregoi asnjë pendesë. Viktima, sipas tij, ishte një grua punëtore që kishte vetëm qëllim të rriste fëmijët.
Gjatë mbrojtjes, 39-vjeçari deklaroi se kishte humbur kontrollin. Ai mohoi çdo planifikim paraprak, duke thënë se veproi në moment të zemërimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2024, në Ampelokipi. Pasi i gjuajti me çekiç në kokë shqiptari e fsheu trupin e Alba Cenkos, për një javë në papafingon e shtëpisë.
Teksa planifikoi se si do të justifikonte zhdukjen e saj, Kastriot Cenko përdori celularin e viktimës për të mashtruar djemtë e tyre të mitur dhe familjarët e Albës. Prej kohësh autori ishte i bindur se gruaja e tradhtonte me një shok.
Komente





