Greqia është bërë vendi i parë në botë që ka vendosur në orbitë një konstelacion satelitësh të dedikuar ekskluzivisht për zbulimin dhe monitorimin e zjarreve.
Katër satelitët e kompanisë OroraTech, secili më i vogël se një valixhe kabine, u vendosën në orbitën e ulët të Tokës në muajin maj. Ata janë të pajisur me sensorë termikë që mund të zbulojnë vatra të reja zjarri me përmasa deri në 4 metra, një aftësi shumë më e avancuar se ajo e satelitëve konvencionalë.
Sipas drejtorit ekzekutiv të OroraTech, Ioannis Landouris, imazhet e mbledhura nga satelitët analizohen nga modele të Inteligjencës Artificiale, të cilat përcaktojnë nëse bëhet fjalë për zjarr apo jo.
“Ne skanojmë një zonë, përdorim këto imazhe dhe ia dërgojmë modeleve tona të Inteligjencës Artificiale. Ato i analizojnë me saktësi deri në qeliza prej 4 me 4 metrash dhe më pas përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me një zjarr. Informacioni u dërgohet menjëherë shërbimeve zjarrfikëse ose autoriteteve të lidhura me sistemin”, tha ai.
Kur konstatohet një vatër zjarri, drejtuesit e operacionit marrin menjëherë një njoftim me vendndodhjen, përmasat dhe intensitetin e flakëve. Platforma u lejon gjithashtu të simulojnë mënyrën se si pritet të përhapet zjarri dhe të vendosin se ku duhet të angazhohen ekipet në terren.
Ministri grek i Qeverisjes Dixhitale, Dimitris Papastergiou, tha se sistemi do të jetë veçanërisht i rëndësishëm gjatë verës, kur Greqia përballet shpesh me zjarre të mëdha.
“Një zjarr në një qytet dallohet lehtë nga banorët, por një zjarr në një park kombëtar ose në një zonë të largët mund të zbulohet shumë më shpejt nga këta satelitë falë kamerave të tyre termike”, u shpreh ai.
Sistemi është projektuar edhe për të shmangur alarmet e rreme. Sensorët termikë mund të dallojnë edhe panele diellore, çati fabrikash të mbinxehura apo sipërfaqe shkëmbore të ngrohura nga dielli, por modelet e Inteligjencës Artificiale filtrojnë këto sinjale përpara se të dërgohet alarmi.
Sipas komandantes së Brigadës së Zjarrfikësve, Zisoula Dasiou, katër nanosatelitët do të ofrojnë të dhëna të reja çdo orë, pa boshllëqe në mbulim.
“Kjo është e rëndësishme jo vetëm për zbulimin e hershëm të zjarreve, por edhe për modelet që parashikojnë mënyrën se si ato do të përhapen. Çdo orë do të dimë se si po zhvillohet dhe ku po lëviz zjarri”, tha ajo.
Rrjeti i satelitëve kushton 200 milionë euro dhe financohet nga Bashkimi Evropian. Programi grek pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
Komente









