Greqia ishte në qendër të diskutimeve të liderëve të Bashkimit Evropian siç tha dhe presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk gjatë konferencës për shtyp.
 
“Kemi bërë një kontroll mbi situatën reale në Greqi”, -tha Tusk duke shtuar se “palët tashmë kanë kuptuar që besimi reciprok është themeli për të zgjidhur situatën. Por jam shumë optimist për takimin”, -u shpreh ai. 

Vetëm një ditë më parë kryeministri grek Cipras mori pjesë në një minisamit me lojtarët kyç europiane pra Merkel, Hollande, Tusk, Junker dhe Dragi ku pas një maratone bisedimesh sot herët në mëngjes u njoftua se Greqia ka rënë dakord për një plan të ri reformash brenda disa ditësh për të garantuar fondet shtesë të ndihmës nga kreditorët ndërkombëtarë për të evituar falimentimin. 

Takimi zgjati deri në orët e vona të natës përkrah samitit të BE. I pyetur për sulmet në Tunizi që qytetarët europiane kërkojnë një aksion më të vendosur kundër terrorizmit, Tusk tha që nuk ka zgjidhje afatshkurtër për këto vende si Tunizia sepse situata është shumë e komplikuar. 

Ai tha se kryeministri italian Matteo Renzi do jetë një prej liderëve të procesit të mbrojtjes së kufijve të BE bashke me homologët në Greqi, Spanjë apo Maltë. 

“Nuk e stabilizojmë dot situatën në Libi pa një armëpushim dhe duhet të mbështesim qeverinë në Tunizi, demokracia më premtuese në Rajon ndaj duhet të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur. Pas këtij sulmi nuk mund të themi që Tunizia është e destabilizuar por mendojmë që mund të jetë shënjestra e radhës së ekstremistëve islamikë. Ndaj shefja e diplomacisë Mogerini po kujdeset për situatën”. 

Edhe Mogerini para takimit e cilësoi sulmin në Tunizi si një sulm ndaj Europës “duke qenë se viktimat ishin shtetas europiane ndaj dhe Europa do të përgjigjet”, -tha ajo. 

“Do të përgatisim të gjitha opsionet për të mbështetur një qeveri uniteti kombëtar edhe në nivel sigurie por jo një ndërhyrje ushtarake”, - tha Mogerini para gazetarëve. Dhe për këtë BE po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara. Por sipas saj situata në Libi përbën kërcënimin më të madh.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)