Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se në burgun e sigurisë së lartë '41 Bis', të dënuarit nuk janë futur në grevë urie.

Sqarimi i drejtorisë së Burgjeve për Report Tv, vjen pas një lajmi të publikuar në media se të dënuarit janë në grevë, ndërsa thekson se ato kanë refuzuar ushqimin. Greva në burgje ka të tjera rregulla, të cilat nuk janë plotësuar, pasi ato nuk kanë plotësuar as kushtet dhe as formular.

Ato kërkojnë televizor brenda në qeli dhe tashmë po shihet mundësia të vendoset televizor me kanale të kontrolluara. Ndërkohë frigorifer nuk lejohet pasi ligji e ka të sanksionuar vetëm ushqim nga regjimi i burgut.

Çfarë është regjimi i posaçëm '41-bis'
Ligji për regjimin e posaçëm njohur si "41-bis" i përshtatur nga Italia ka hyrë në fuqi prej Janar 2019 por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK që u ngrit vetëm në dhjetor 2019. Regjimi "41-bis" është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë.