Futbollisti i Kombëtares, Eros Grezda ka dalë në një konferencë për shtyp me trajnerin e ‘Rangers’, Stiven Xherard.
Gjatë konferencës, trajneri Xherard nuk i kurseu vlerësimet për Grezdën, të cilin e cilësoi si një lojtar premtues.
Grezda është në 70-80 % të formës, kështu që ai do të jetë i gatshëm dhe mund të përfshihet në ndeshjen e nesërme. Ka bërë progres kohët e fundit. Është një lojtar premtues që do të bëjë për vete tifozët. Ne duam të gjejmë një plan që t’i përshtatet të gjithë lojtarëve tanë. Jam i kënaqur për klubin, me përkrahjen e tifozëve mund të ecim përpara.
Stiven Xherard, trajner
Grezda ka rreth dy javë që është transferuar në Skoci, nga kampionati i Kroacisë, gjë kjo që e ka kufizuar pak në lojë për shkak të ndryshimeve mes dy kampionatëve. Përveç ndryshimit të mënyrës së lojës, Grezda duket se ka pasur probleme edhe me anglishten.
Kur erdha këtu fillova të bisedoja dhe t’i pyesja për të mësuar gjithçka, sepse është një diferencë e madhe për mua të vij nga futbolli europian në futbollin britanik. Shokët më kanë ndihmuar në ditët e para, tani po përshtatem dhe gjithçka është në rregull. Nuk jam akoma gati, por po punoj shumë për t’u rikthyer. Por nëse do të luaj nesër, do të jap maksimumin tim dhe do bëj detyrën time.
Eros Grezda, futbollist