Një muaj para se të nisë sezoni i ri Superliga shqiptare është në kolaps total. Përveç disa skuadrave të cilave nuk i dihet e ardhmja për shkak të borxheve apo peripecive të tjera, si Flamurtari, Vlllaznia apo Skënderbeu, së fundmi një lajm ekstrem ka ardhur nga Gjirokastra. Aksioneri më i madh i ekipit të Luftëtarit, Grigor Tavo, i cili së fundmi kishte kaluar kompetencat te djali i tij, ka njoftuar dorëheqjen. Me anë të një letre të hapur, përfaqësuesi i kompanisë ‘ANAST’, ku bëjnë pjesë edhe 3 donatorë të tjerë, shpjegon edhe arsyen duke thënë se e ka të pamundur të vazhdojë në këtë situatë, ku vetëm aid he bashkia e cila ka 25% të aksioneve financojnë.
“Ne keto kater vite edhe pse kemi nje shoqeri aksionere, me disa ortake, Luftetari eshte mbeshtetur dhe financuar vetem nga Grigor Tavo. Nuk mund te harroj ne kete rrugetim edhe Bashkine e Gjirokastres, e cila deri tani ka permbushur cdo obligim te sajin dhe ka plotesuar me se miri detyrimet dhe investimin qe i takon si aksioner tek K.F Luftetari.
I gjendur ne nje situate ku te gjithe aksioneret nuk e mbeshtesin Luftetarin as ne kuotat qe u takon si nje shoqeri aksionere, e kam te pamundur te vijoj drejtimin e skuadres dhe shoqerise ne teresi. Eshte nje vendim teper i dhimbshem per mua dhe jo vetem. Do te largohem nga presidenca e Luftetarit per ti hapur rruge investitoreve te rinj, qe ndoshta mund te bejne me shume per kete skuader dhe keto ngjyra qe secili prej nesh i ka ne zemer.”
Në katër vite nën drejtimin e Tavos Luftëtari arriti jo vetëm të ngjitej në Superligë, por edhe të merrte pjesë në Kupat e Europës. Gjithsesi sezoni i fundit ishte shumë i vështirë, teksa skuadra rrezikoi të zbriste nga kategoria. Në fund në mënyrë të çuditshme trajneri Ahmataj u largua, ndërsa sipas raportimeve nga Gjirokastra lojtarët që mbyllën sezonin kanë mbi 5 paga të pamarra. Mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet kjo situatë e vështirë, por nuk përjashtohet mundësia që klubi të shpallë falimentimin dhe te nisë nga 0 për të shmagur borxhet, por në këtë rast Luftëtari sezonin e ri duhet ta nisë nga Kategoria e Dytë.