Situata epidemiologjike në vend paraqitet normale dhe e pritshme për mjekët në këtë periudhë të vitit. Megjithatë, nga epidemiologët është vënë re një trend në rritje si i rasteve të gripit dhe i infeksioneve respiratorë.
“Janë rreth 12.000 raste në jave me këto infeksione respiratorë, por jemi shumë larg pragut epidemik, i cili nga eksperienca e viteve të kaluara, arrihet nga fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt. Prekur është gjithë popullata, por kryesisht janë dy grupmoshat, grupmosha pediatrike, 0-14 vjeç dhe grupmoshat mbi 65 vjeç që kjo është situatë e përvitshme', tha Artan Simaku, epidemiolog.
Por cilat janë shenjat kryesore të gripit?
“Temperatura e lartë, dhimbje muskulare, kollë, rrjedhje hundësh, lotim sysh dhe dobësi e theksuar e organizmit dhe këto janë ato karakteristikat kryesore qoftë për të rriturit, por edhe për nënat me fëmijë të vegjël që me fillimin e shenjave të para të gripit të merret kontakti direkt me mjekun e familjes sepse është ai që vlerëson gjendjen dhe jep trajtimin e duhur', tha ai.
Ndërkohë, marrja e medikamenteve pa rekomandimin e mjekut të familjes mbetet një nga shqetësimet kryesore, pasi shpesh çon në komplikacione.
“Pra mos të marrin një medikament vetë dhe ndërkohë që presim që të bëhemi mirë, ndërkohë instalohen komplikacionet dhe kërkohet dhe shtrimi në spital. Dhe një fenomen tjetër që vërehet që në urgjencat e spitaleve pediatrike ka grumbullim rastesh për një vizitë të thjeshtë që mund të kryhet pra në thelb ë 95% e tyre nuk janë raste urgjente janë raste që një vizitë e thjeshtë që mund ta kryejë tek mjeku i familjes në vendbanimin e tyre”, tha Artan Simaku, epidemiolog.
Sa i përket situatës së COVID-19, autoritetet shëndetësore thonë se qarkullimi i virusit mbetet në nivele të ulta dhe të qëndrueshme. Megjithatë, pavarësisht se aktualisht COVID-19 shfaqet kryesisht me simptoma të lehta, personat që i përkasin grupeve të riskut, veçanërisht mbi 65 vjeç, mbeten të rrezikuar dhe duhet të respektojnë masat mbrojtëse.
Komente








