Pas skandalit të publikuar nga Report tv, për futjen e mbi 66 mijë krerë zogj nga pika kufitare e Hanit të Hotit, në kundërshtim me urdhrin e dhënë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panarit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shkarkuar inspektoren Tatjana Dizdari.
 
Para 3 ditësh, në datën 6 shkurt, Report tv ka denoncuar kalimin e pikës kufitare të Hanit të Hotit, të 66 300 zogjve.
 
Më herët, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, për shkak të sëmundjes së Influencës Aviare që prek shpendët nxori urdhrin Nr. 671, datë: 06.01.2017 “Për disa masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së Influencës Aviare (me patogjenitet të lartë H5N8) ku ndalon importin dhe tranzitin e shpendëve të gjalla shtëpiake dhe të egra nga shtetet Greqi, Bullgari dhe Mal i Zi për në Republikën e Shqipërisë.
 
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit njoftoi edhe shkarkimin nga detyra të inspektores Tatjana Dizdari.
 
Shkarkimi i saj është bërë pasi ka lejuar kalimin e 66 mijë zogjve në pikë kufitare Hani i Hotit, në një kohë kur ishte urdhëruar ndalimi i futjes në territorin shqiptar të shpendëve nga vendet Greqi, Mal I Zi dhe Bullgari.
 
Duke mos toleruar asnjë lloj shkelje të cilat mund të sjellin pasoja në shëndetin e konsumatorëve shqiptar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjore deri në procedim penal ndaj inspektores Tatjana Dizdari.
 
Në vazhdim të njoftimit thuhet se: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet e rrepta në mënyrë që të zbatohet urdhri i Ministrit Nr. 671 si dhe zbatimi me rigorozitet i dispozitave ligjore, në mbrojtje të konsumatorit Shqiptar.
 
Ndërkohë ende nuk ka asnjë reagim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për këtë cështje.
 
Sasia e zogjve ka hyrë përmes pikës kufitare te Hanit të Hotit në Shkodër një kohë kur ishte urdhëruar ndalimi I futjes në territorin shqiptar të shpendëve nga vendet Greqi, Mal I Zi dhe Bullgari.
 
Report tv mëson se ende nuk ka asnjë masë disiplinore për punonjësit e pikës kufitare te Hanit të Hotit që lejuan futjen e sasisë së zogjve.

Ndërkohë, që Ministria e Bujqësisë pas lajmit në lidhje me lajmin për praninë e Gripit të Shpendëve në Qarkun e Fierit deklaron se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të pranisë së Virusit Aviar dhe se, menjëherë janë marrë të gjitha masat e duhura për të verifikuar situatën.