Gruaja Demokratike e Kosovës, mbajti sot Kuvendin Zgjedhor, ku u zgjodhen 127 anëtare të Këshillit Drejtues.
Unanimisht u miratua Deklarata e Kuvendit të IV-të Zgjedhor të Gruas Demokratike  si dhe Raporti i Punës.
"Barazia gjinore është ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës, prandaj është detyrë e tërë shoqërisë ashtu edhe e Partisë Demokratike të Kosovës si partia më e madhe në vend, që të menjanohen  pengesat duke garantuar sjellje dhe pozitë të barabartë për të dy gjinitë, në të gjitha sferat e jetës", thekson deklarata.
Në Kuvend morën pjesë më shumë se 500 përfaqësuese të të gjitha degëve dhe strukturave organizative të Gruas Demokratike.
Në  hapje të Kuvendit Zgjedhor të Gruas Demokratike, morën pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe zëvendëskryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ndërsa raportin e punës e lexoi Flora Brovina, duke theksuar se gruaja është zë i fuqishëm për proceset që po kalon vendi.
"Kemi bërë shumë punë por na mbetet të bëjmë edhe më shumë për të ndërtuar shoqërinë tonë, në veçanti promovimin e gruas si pjesë e shoqërisë, udhëheqëse dhe vendimmarrëse", theksoi Brovina./atsh/