‘Gruaja e thyer’, artistët dhe publiku në provë me dramën ekzistenciale të De Beauvoir

Në teatrin “Eksperimental”, mbrëmjen e së premtes objektet reflektojnë gjendjen pezull të personazhit, që merr zë nga Adriana Tolka...

Vetmia, boshllëku, jeta lëmsh... drama e Murielit, si “Gruaja e thyer” e Simone de Beauvoir e vënë në skenë nga Endri Çela, impaktin e parë e transmeton vizualisht.

“Simone de Beauvoir është një zë i fuqishëm, që i flet qenies njerëzore, gruas, e zhbirilon atë. Unë dhe Adriana kemi dashur të paraqesim pikërisht këtë nisur nga një shpirt njerëzor, një individ, që ndodhet në një krizë identiteti”, shprehet regjisori Endri Çela.

Regjisori me ndihmën e skenografisë së Beqo Nanajt e kostumografisë së Sofi Karajt mbërthen përmes mizansenave rebelimin, dhimbjen, kompleksitetin e një gruaje, me një kalvar vuajtjesh, duke prekur në skutat e tragjedisë simbolikisht edhe vdekjen.

Dy martesa të dështuara, një vajzë e vetëvrarë, i biri që jeton me ish bashkëshortin... e Muriel që teksa zhytet në të shkuarën, shkëputet edhe më shumë nga e tashmja, dhe në vend të zgjidhjeve gjen fajtorë për gjithçka që ka ngjarë...

“Është një pjesë që i jep mundësinë një aktoreje që të shfaqë të gjithë bagazhin e saj profesional. Ka shumë ulje dhe ngritje , ka dhe humor. Ka skena të forta të trishtimit dhe të shpërthimeve emocionale, të revoltës. Kjo ishte një sfidë për mua por edhe kënaqësi”, shprehet aktorja Adriana Tolka.

Shpërthimet emocionale të personazhit janë të forta, drama ekzistenciale e Murielit, gruas së shkëputur nga shoqëria, vjen pa e zhveshur nga mizansenat ekstreme  e veprimet intime.

“Nuk mund të vendoset Simone de Beauvoir, nëse i heq këto gjëra dhe e zbukuron.  Është e vërtetë që publiku shqiptar ndonjëherë, jo gjithmonë e ka të vështirë t’i pranoj këto gjëra, por duhet guxuar, e nëse nuk guxojmë ne artistët, kush do ta bëjë”,  thotë Çela.

“Publiku e ka ndjekur me vëmendje , reagoi në çaste ekstreme dhe unë këtë kam dashur. Është një grua e mbyllur në shtëpinë e saj, në intimitet... Këto e vunë në diskomfort publikun dhe kjo mua më pëlqeu, se do të thotë që ka arritur të preket, dhe vijoi ta ndjekë shfaqjen”, thotë Tolka.

Një sprovë për aktoren Adriana Tolka, e cila është e vetëdijshme se pjesa mund të provokojë, deri në largim të spektatorit. Fudjava shënon përballjen e radhës.

“Më kanë ndihmuar të dhënat aktoriale, pasioni dhe adrenalina dhe njëherazi kam gjetur pika të përbashkëta me personazhin. Dhe jam e sigurt që çdo grua arrin t’i gjej. Ndonëse është shkruar në ’67-ën, pjesa ka shumë tema që janë aktuale sidomos vetmia, moskomunikimi ,intoleranca, që çojnë në veprime ekstreme”, shprehet Tolka.

Premiera u mbajt në kuadër të Pranverës Frankofone me mbështetjen e Aleancës Franceze.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës