Dosja e vjedhjes së 700 mijë € në Postën e Durrësit ka përfunduar në SPAK. Prej disa ditësh prokuroria e Durrësit e depozitoi në Prokurorinë e Posaçme pasi janë gjetur elementë funksionimi si grup i strukturuar kriminal, ndërkohë që gjatë hetimit kanë lindur dyshime se janë të përfshirë në skemën e vjedhjes edhe ish-zyrtarë që sot kanë imunitet parlamentar.
Të kontaktuar nga Report Tv, burime zyrtare nga Prokuroria e Durrësit konfirmuan se gjatë hetimit ka lindur nevoja që të merren në pyetje si të dyshuar ish zyrtarë, që aktualisht kanë imunitet parlamentar.
Skandali i vjedhjes në Postën e Durrësit shpërtheu korrikun e kaluar, kur u arrestua drejtoresha e atëhershme në detyrë, Elisabeta Mataj e akuzuar se përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pensionet. Vetëm dy muaj më pas ajo u la në arrest shtëpie, ku ndodhet edhe aktualisht.
Pak ditë para se Mataj të lirohej nga qelia, bashkëshorti i saj Fetaj Mataj u promovua në poste drejtuese në Bashkinë e Durrësit, duke u emëruar Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.
Mataj dyshohet se bashkë me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, të dyja në masën 'arrest në shtëpi', përvetësuan 700 mijë euro të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak.
Pamjet e Matajt teksa i merrte paratë në zyrë me qese të zeza bënë xhiron e rrjetit, ndërsa fondet e shtetit regjistrohet sikur ishin dërguar për pensionet. Prokuroria po heton edhe dyshimet se paratë mund të jenë shpenzuar në kazino nga ish-drejtoresha e Postës së Durrësit.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento