Dosja  e vjedhjes së 700 mijë € në Postën e Durrësit tashmë është në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Tiranë. Prej disa ditësh prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencë dhe e depozitoi në SPAK pasi janë gjetur elementë funksionimi si grup i strukturuar kriminal, ndërkohë që gjatë hetimit kanë lindur dyshime se janë të përfshirë në skemën e vjedhjes edhe ish-zyrtarë që sot kanë imunitet parlamentar.

Të kontaktuar nga Report Tv, burime zyrtare nga Prokuroria e Durrësit konfirmuan se gjatë hetimit ka lindur nevoja që të merren në pyetje si të dyshuar ish zyrtarë, që aktualisht kanë imunitet, duke mos përmendur emra.

Report Tv konfirmoi gjithashtu se moskompetenca nga ana e Prokurorisë së Durrësit është ngritur për shkak të subjektit dhe veprës penale, sipas nenit 75/a, germat b dhe c të Kodit të Procedurës Penale. Pra referimi i është bërë SPAK-ut me argumentet se duhet të vlerësonte nëse jemi përpara grupit të strukturuar kriminal dhe nëse zyrtarët e lartë të dyshuar janë të përfshirë apo jo. Dosja deri më tani është hetuar nga prokurori Gazmend Frëngu i Prokurorisë së Durrësit. 

Skandali i vjedhjes në Postën e Durrësit shpërtheu korrikun e kaluar, kur u arrestua drejtoresha e atëhershme në detyrë, Elisabeta Mataj e akuzuar se se në bashkëpunim me vartësit përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak. 

Vetëm dy muaj më pas ajo u la në arrest shtëpie, ku ndodhet edhe aktualisht. Në arrest shtëpie janë edhe ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.

Pak ditë para se Mataj të lirohej nga qelia, bashkëshorti i saj Fetaj Mataj u promovua në poste drejtuese në Bashkinë e Durrësit, duke u emëruar Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.

Pamjet e Matajt teksa i merrte paratë në zyrë me qese të zeza bënë xhiron e rrjetit, ndërsa fondet e shtetit regjistrohet sikur ishin dërguar për pensionet. Prokuroria po hetonte edhe dyshimet se paratë mund të jenë shpenzuar në kazino nga ish-drejtoresha e Postës së Durrësit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë