Përmes një kërkese Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i ka kërkuar Grupeve Parlamentare që që brenda datës 3 prill 2026, të propozojmë ndryshime që vlerësojmë të nevojshme në Rregulloren e Kuvendit.
Në përgjigje të kësaj kërkesë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka paraqitur paqartësinë e tij duke kërkuar sqarime se për çfarë procesi bëhet fjalë, nga kush është ndërmarrë dhe po kryhet ky proces vlerësimi dhe si ka lindur kjo nevojë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka sjell në vëmendjen e Kryetarit të Kuvendit se: “Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në datë 23.02.2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit.”
Me tej, Bardhi thekson se Kryetari i Kuvendit duhet të tregojë maturi institucionale, të mos pranojë të keqpërdoret dhe duhet të respektojë autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat duhet të kalojnë për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë.
“Çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë. Përsa më lart, mbetemi në pritje të sqarimit tuaj se për çfarë “procesi të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit” bëhet fjalë dhe kush e ka inicuar këtë proces, pa pritur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.” – e mbyll Bardhi përgjigjen e tij.
Komente












