TIRANË- Një ditë pas sulmit nga grupi i hackerave iranianë “Homeland Justice”, qeveria thotë se shërbimet e Postës Shqiptare vijojnë normalisht. Ministri Ervin Demo, pas mbledhjes së qeverisë tha se ekspertët e Postës Shqiptare në bashkëpunim me AKSHI-n po bëjnë një analizë, por deri më tani nuk janë në dijeni grupi iranian të ketë marrë të dhëna të rëndësishme dhe se shërbimet e postës kanë akses të plotë në to.

“Është duke u zhvilluar një analizë nga AKSHI dhe ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht. Nuk ka të dhëna, deri më tani, që ka informacione të enkriptuara të cilat janë të paaksesushme nga posta. Por, duhet të presim raportin e institucioneve për sa i përket asaj çfarë ka ndodhur brenda postës. Ajo çfarë dua të nënvizoj është që autoriteti i luftës kibernetike i ka kapacitetet dhe i rrit garancitë dita-ditës sa i përket integritetit të të dhënave publike të institucioneve shqiptare. Jo të gjithë institucionet janë të përfshirë në ombrellën e kësaj mbrojtje”, tha Demo.

Sulmi në shërbimet e Postës Shqiptare nga grupi i hackerave iranianë vjen pas sulmit ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë dhe në një kohë kur vendi ynë është rreshtuar krah SHBA dhe Izraelit pas sulmeve që nisën në Iran. Në postimin e grupit iranian, pasi sulmit kibernetik, thuhej se "zyrtarët e Postës Shqiptare janë shndërruar në shërbëtorë dhe skllevër të terroristëve të Kampit Ashraf 3 për disa muaj".

Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet financues të terrorizmit, ndërsa Kuvendi i ka kërkuar qeverisë që të shpallë organizata terroriste Gardën Revcolucionare dhe Hezbollahun.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:47
Paketa e Maleve/ Demo: Në total 11 bashki kanë shpallur zonat prioritare! Gati 500 aplikime, qëllim zhvillimi ekonomik lokal

 

Ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ervin Demo në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, sqaron se 9 bashkive që tashmë kanë shpallur zonat prioritare lidhur me Paketën e Maleve (Berat, Dimal, Durrës, Himarë, Kavajë, Librazhd, Mirditë, Rrogozhinë, Vlorë), i janë bashkuar dhe 3 të tjera, Pukë Bulqizë dhe Lezhë. Demo thotë se numri i qytetarëve që kanë shprehur interes është gati 500.

“Kishim 3 bashki të tjera Pukë, Bulqizë dhe Lezhë, kemi pothuajse gjysmën e bashkive në vend me zona prioritare të miratuara. Numri i interesimeve në territor i është afruar numrit 500. Duke filluar me bashkinë e Shkodër janë në përfundim të shpalljes së zonave prioritare”, tha Demo.

Ministri Demo thotë se Paketa e Maleve ka për qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe si projekt. Demo tha se me Paketën e Maleve nuk do të ketë tjetërsim prone, theksuar këtu dhe rastet e mbivendosjes së pronave. Për të fituar të drejtën për të investuar përmes Paketës së Maleve, aplikanti të paktën dhet ta ketë zotëruar territorin për 10 vite, ose pron që kërkon të shfrytëzojë të mos ketë asnjë pronar privat.

“Paketa e maleve është nocion më i gjerë sa i përket zhvillimit ekonomik lokal. Janë vetë bashkitë që e nisin procesin e zonave që janë prioritare për zhvillimin lokal. Qeveria bën miratimin e zonave, janë bashkitë që ndjekin procedurat sa i përket zhvillimit në territor.  Nuk është nismë për zgjidhjen e pronësisë, është instrument për zhvillimin lokal. Duhet të kuptojmë dy momente, nuk ka në asnjë rast mundësi që paketa e maleve t’i mbivendoset një toke që është e regjistruar. Çdo aplikant duhet të plotësojë dy kushte, ose duhet ta ketë zotëruar atë territor për së paku 10 vite, ose me dijeni të gjerë të publikut, si në veri, ku njerëzit i kanë ndarë tokat, dhe nuk ka asnjë pronar privat. Procesi ka disa tregues, sidomos për të garantuar që komuniteti të jetë i përfshirë”, tha Demo.

Ora 10:47
Sterilizimi i kaloi shtetit pas 10 vitesh, Sala: Po funksionon shumë mirë! Brenda 2027-ës, rimbursim trajtimi për personat e prekur nga diabeti tipi 1

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala u pyet nga gazetarët për koncesionin e sterilizimit, i cili pas 10 vitesh i ka kaluar shtetit. Sala tha se po mbahet në monitorim dhe se deri më tani ka funksionuar shumë mirë.

“Koncesioni i ka kaluar shtetit, ka 3 javë që i ka kaluar shtetit. U ngrit kapaciteti dhe po funksionon shumë mirë. Është ngritur shoqëria dhe po bëhet punë shumë e mirë, po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha Sala.

Ndërkohë, ajo tha se brenda vitit 2027 synojnë të rimbursojnë trajtimin për personat e prekur nga diabeti tipi 1.