Guntram Koch: Ju tregoj misteret e
sarkofagut në Amantia të Vlorës

Guntram Koch: Ju tregoj misteret e<br />sarkofagut në Amantia të Vlorës
TIRANE- INTERVISTA/ Ndërsa po studion misteret e të vetmit sarkofag, prodhim vendas, të zbuluar në Amantia, Guntram Koch, (ne foto) duket se ka çelur një portë të rëndësishme të hipotezave të tij shkencore. Arkeologu Koch është profesor i Arkeologjisë së Krishterë dhe Historisë së Artit Bizantin në Universitetin e Marburgut.

Tema që e ka intriguar për t’u përfaqësuar në Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Arkeologjike Shqiptare, në ditën e dytë të tij, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, është ajo e 72 sarkofagëve të shekujve II-III të erës së re që janë zbuluar deri më sot në territoret shqiptare. Arkeologu që e ka eksploruar Shqipërinë që në vitin 1982, në kongres ka mbajtur një kumtesë për artin e sarkofagëve. Ajo që e mahnit Guntran Koch-un nuk janë vetëm skulpturat e bëra në to, por edhe investimi i madh që është bërë pikërisht për artin e këtyre sarkofagëve. Sarkofagët i përkasin periudhës romake dhe helenistike.

Janë me gurë të çmuar mermeri dhe peshojnë nga 5 deri në 7 tonë, dhe nëse shton edhe një kosto të jashtëzakonshme të transportit të tyre me “anije?!”, sepse vijnë nga fabrikat e provincave të Romës dhe të Azisë, konfirmohet edhe një tregues interesant për pasurinë e jashtëzakonshme që zotëronin ilirët në kohën e perandorisë romake. Duke ngelur i mahnitur në kurthin e misterit sesi transportoheshin këta sarkofagë kaq të rëndë, Guntram Koch ndalon pikërisht tek zbulimet e punishteve vendase për prodhimin e sarkofagëve, ku edhe pse punishtet janë zbuluar tashmë në territoret shqiptare, i vetmi fakt i ekzistencës së këtyre sarkofagëve është ai i Amantias.
 
Profesor Koch, tema juaj për sarkofagët është shumë specifike dhe ka një mister në këtë zbulim. A mund të na thoni diçka përtej asaj që ju prezantuat në këtë kongres?
-Në periudhën romake ka disa lloje skulpturash. Janë disa skulptura rrumbullake, të cilat janë kopje të skulpturave të vjetra greke, janë dhe më të sheshtat, relievet të periudhës romake. Këtu tek relievet futen shumica e relieveve të sarkofagëve, të cilët në fakt janë shumë pak nga periudha greke dhe janë me shumicë nga periudha romake. Janë disa sarkofagë shumë të rëndësishëm të periudhës romake dhe këto janë shumë interesante, dhe ato janë të ruajtura pothuajse në të gjitha provincat e perandorisë romake. Janë tri qendra kryesore që prodhonin sarkofagë dhe eksportoheshin kudo: së pari është Roma, së dyti Athina dhe së treti nga Dosiumi, Azi. Dhe këto prodhoheshin dhe eksportoheshin nga këto qendra kudo ku shtrihej Perandoria Romake. Eksporti i këtyre sarkofagëve nuk tregon vetëm relievet, por edhe sesi shkuan këto sarkofagë në Shqipëri dhe njihemi edhe me rrugët tregtare. Kështu Shqipëria ka pasur rrugë tregtare nga Azia e Vogël, që është Dosiumi, me mallra që kanë ardhur në perëndim. Kështu kemi rrugë tregtare edhe nga Roma dhe prandaj kemi prezencën e sarkofagëve këtu në Shqipëri.

Në Shqipëri kemi kryesisht sarkofagë të ardhur nga Atika dhe kemi 70 sarkofagë të ardhur prej andej dhe popullsia ishte shumë e pasur dhe shumë e kultivuar që porosiste sarkofagë të tillë. Për fat të keq sarkofagët janë bërë me mermerë dhe ato janë të thyera në copa, sepse mermeri është përdorur për fat të keq më mbrapa për të prodhuar gëlqere për disa ndërtime të tjera. Kështu kemi të ruajtur vetëm disa copa të vogla. Në Shqipëri janë zbuluar disa qendra ku prodhoheshin sarkofagë. Kemi një në Durrës dhe tani kemi zbuluar edhe një në juglindje që është afër Korçës që prodhohen sarkofagë edhe me gurë lokalë, përveçse mermerit të importuar nga Atika.
 
Paskeni të bëjmë me një histori interesante!
-Sarkofagët nuk janë interesantë vetëm për zbukurimet dhe për skulpturën, por edhe për artin edhe rrugët tregtare, por janë interesantë edhe sesi u transportuan këto, sepse janë me peshë shumë-shumë të madhe, që shkojnë nga pesë ton dhe tani në Salona është zbuluar një sarkofag, ku vetëm kapaku ka qenë  1,2 ton. Kështu pyesim si ka shkuar kapaku i sarkofagut deri në Amantia. Në kërkimet nënujore ne nuk kemi gjetur ndonjë anije me sarkofagë të përmbysur brenda që ta shohim. Të bën kuriozë sesi është bërë transporti detar, por edhe ai tokësor që ishte në atë kohë!
 
Pra, këtu qenka misteri?
-(Qesh)
 
A ka një hipotezë tuajën për mënyrën e sjelljes së tyre në trojet ilire?
-Hipoteza është me anije natyrisht, pavarësisht se nuk kemi gjetur këtë si fakt, por enigma është si ka qenë e mundur të mbarteshin me anije kur ishin kaq të rënda, sepse natyrisht ne kemi amfora të mbartura të asaj periudhe, por këto nuk kanë qenë shumë të rënda, pra si ka qenë e mundur të transportohej një gjë kaq shumë e rëndë siç ishte sarkofagu.
 
 
Profesor Koch, kur kanë filluar të shkatërrohen mermerët e këtyre sarkofagëve për qëllime ndërtimi?
-Ne nuk kemi ndonjë datë precize, por merret me mend se kanë nisur në antikitetin e vonë.
 
Ju rrëfyet artin e këtyre sarkofagëve, a mund të na shpjegoni kodin, filozofinë e tyre?
-Punën e artit e tregova. Filozofia mbetet e zbehtë, sepse vetëm pak mbishkrime ka në sarkofagë, ndoshta mund të kenë qenë brenda tek të vdekurit më shumë mbishkrime, por jashtë te guri ka pak mbishkrime. Skulpturat na japin të dhëna për njerëzit e varrosur, me kodet që kanë lidhje me profesionet e tyre, ose me realitetet e jetës së përditshme të njerëzve në sarkogafë. Të marrim rastin e një vizatimi të një sarkofagu në Durrës, që për fat të keq ka humbur dhe që ka të gdhendur një anije dhe emrin e pronarit të anijes.  
 
Mund të na thoni një numër sesa sarkofagë të punuar në vend janë zbuluar?
-Është vetëm një sarkofag që është zbuluar në Amantia. Konkretisht janë 72 sarkofagë të zbuluar nga periudha e Perandorisë Romake dhe prej tyre, janë 70 sarkofagë në mermer dhe njihen vetëm dy në gurë vendas, ku zbulimi më interesant është ai i Amantias. Periudha e hershme e krishterë, sidomos koha në mes të shekujve të tretë dhe të gjashtë, është një nga më interesantet në historinë e gjithë Perandorisë Romake dhe në Iliri. Studimi i artit në këto sarkofagë e më vonë ai i kishave është një tregues i pasurive të shekujve të parë të erës sonë.
 
Pse ju jeni marr pikërisht me sarkofagët e zbuluar në Shqipëri?
-Në vitin 1967, kur unë kisha Disertacionin propozova që të marr këtë temë, dhe që atëherë unë rashë në dashuri me këtë temë dhe propozova që mund të zgjidhem ndërmjet kandidatëve.
 
Po në Shqipëri kur keni qenë për herë të parë?
-Në ‘82-shin. Kanë kaluar shumë vite dhe tashmë unë kam një libër me 600 faqe për sarkofagët e Krishterimit të Hershëm në Perandorinë Romake, ku përfshihet edhe këto të Shqipërisë.

Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë