Gurakuqi: Shkodra, selia e
vjetër e mbretënvet t’Ilyris

Gurakuqi: Shkodra, selia e<br />vjetër e mbretënvet t’Ilyris
Nji nga çâshtjet kryesore, nji nga pikat mâ me rândësì, mbi të cilat do të japë vendim Asemblea konstituente, âsht edhe ajo e kryeqytetit. Tue qenë se Shkodra e jonë e njeh, si nji të drejtë të pakundërshtueshme, zgjedhjen e saj për kryeqytet, e vetmja herë qi do të kisha dëshiruem me qenë prej nji ane tjetër të Shqipnìs, do t’ishte kjo e sotshmja, për arsye qi të mos bâhem si nji C i c e r o p r o d o m o s u a, qi të mos kuptohen keq fjalët e mija.

Por, ndonsè shkodranë, po ap besën se, për pakë orë, do të mundohem t’a harroj cilsìn t’ime, e se do të përpiqem t’a shqyrtoj ketë çâshtje vetëm nën pikëpamjen e interesavet të përbashkme të kombit, tue sjellë arsye e tue përdorun argumenta, qi t’i a nxjerrin në shesh e t’i a shugurojnë Shkodrës ketë të drejtë, jo pse na pëlqen nè, jo pse e duem na, por pse kështu e kërkon e mira e Atdheut dhe e Shtetit.

            Askush nuk mund t’a mohojë influencën bâmirse, qi kanë qytetet mbi përparimin e qytetnimin e nji populli. Qytetet lëshojnë e përhapin rrezet e veta përparimsjellse mbi katundet e malsìt qi kanë për qark; tue nisun prej tyne, qytetnimi ndên krahët e hjedh dritën e vet mbi të gjitha pjesët e kombit. Por, ndërmjet qytetevet, ai qi ka rândësì mâ tepër, nën ç’do pikëpamje, âsht, domosdo, kryeqyteti. Ky âsht truni me të cilin mendon kombi i tânë, âsht zêmra ku mblidhet e rreh gjaku i gjith popullit. Nji shembull i vetëm mjafton, shembull i Parisit. Pjesën kryesore, qi ka pasun e ka Parisi në historìn e shkëlqyeshme të Francës, e njohin dhe e çmojnë të gjithë.

            Por, në qoftë se qytetet, e sidomos kryeqyteti, kanë influencë e rândësì të çmueshme kudò edhe ndër Shtetet e mëdhaja, do të kenë, domosdo, edhe mâ tepër në ketë Shqipnin t’onë të vogël e të mbetun mbrapa nga përparimi e qytetnimi, ku qytetet, qi të meritojnë këtë emën, s’mund të jenë mâ tepër se dy, e ku kryeqyteti do të jetë njeni prej këtyne, në mos i vetmi.

            Për zhvillimin e kryeqytetit e për përparimin e tij, nën ç’do pikëpamje, do të punojë, do të derdhë djersën e vet kombi i tânë. Pra, sa mâ shpejt të zhvillohet kryeqyteti, aqë mâ fort do t’i lehtësohet barra kombit, aqë mâ i shpejtë do të jetë edhe përparimi i këtij. Sa mâ fort të përhapet qytetnimi në kryeqytet, aqë mâ e madhe, aqë mâ bâmirse do të jetë edhe influenca e tij mbi qytetnimin e kombit përgjithësisht.

            Për të gjitha këto arsye, e tue marrë para sysh, sidomos, gjêndjen ekonomike e shkallën kulturore të kombit t’onë të vogël, besoj se, për kryeqytet të Shqipnìs, duhet zgjedhun ai vend, qi, të ketë ato kondita, qi të përmbledhë në vetvete ato cilsì, qi janë të nevojshme për me i dhânë shkas përparimit, e qi mund të ndihmojnë e të shpejtojnë zhvillimin e qytetnimit. Të gjitha këto kondita, të gjitha këto cilsí, – ndë nji shkallë mâ të naltë e mâ t’ultë e relativisht me konditat e përgjithëshme të Shqipnís, e me cilsìt e kombit shqiptar – i ka Shkodra, selija e vjetër e Mbretënvet t’Ilyrìs, nji nga qytetet mâ të mëdhaja e mâ me rândësì të Shqipnís së sotshme.

            E shtrueme në breg të liqenit, jo fort larg prej detit, me të cilin e lidhë Bojana, lum i lundrueshëm, me kujtime historike, me meritime kombtare e me tradicjone kulturore, ekonomike e tregtare të shkëlqyeshme, Shkodra, e ndihmueme pakëz, mund të bâhet shpejt nji qendër qytetnimi e përparimi me rândësì të madhe. Populli i saj, kryenaltë për gjuhë, e për gjak e kombsì të vet, i ushqyem me ndiesì burrnore e liridashëse, i pregatitun për pranimin e kulturës e të përparimit e i prirun nga tregtija e industrija, kishte me treguem vullnetin mâ të mirë, e kishte me dhânë, me gjithë zemër, aktivitetin e ndihmën e vet të çmueshme për me përkrahun mundimin e Shtetit e të kombit për zhvillimin e kryeqytetit e, ndëpër mjet të tij, t’Atdheut.

            Mund të më thuhet se disa nga këto kondita e cilsì, i kanë edhe vênde të tjera. Unë, qi kam pasun fatin me pamun gadi të gjitha qytetet e Shqipnìs e me hymun në përpjekje me banorët e tyne, nuk jam ai qi do t’u mohojë të tjervet meritimet qi kanë, e, aqë mâ pak, Korçës, kryevendit të famshëm të Shqipnis jugore, e qytetarvet të saj. Shtoj vetëm se, për Shkodër, ka edhe arsye të tjera mjaft të vlefshme, qi i sigurojnë parapëlqimin.

            Në Shqipnì të veriut nuk ka, sot për sot, përveç Shkodrës, asnji qytet tjetër, as nuk âsht shpresa qi të mund të themelohet e të mëkâmbet për pakë kohë. Por Shkodra, e cungëllueme në pjesët e tregjet e veta mâ të mira, e vorfënueme në mjetet e gjallnìs së vet, dhe e lânun mbas dore, nuk do të mundet me u mbajtun për shumë kohë; e prishja e saj, jo vetëm qi do të pengojë keq përparimin e Shqipnìs së veriut, por mund t’i sjellë kësaj dâme e mjerime edhe mâ të mëdhaja. Shkodra, kryeqytet, do të lulzojë vetë e, bashkë me tê, do të lulzojnë edhe krahinat e tjera të Shqipnìs së sipërme.

            Nji tjetër arsye, qi e porositë Shkodrën për kryeqytet të Shqipnìs âsht edhe çâshtja tregtare. Qyshë prej kohvet mâ të lashta, Shkodra ka qenë nji qendër në zâ, nji emporium, ku mblidhej e ngah përshkohej tregtia e nji pjese të madhe të gadishullës së Balkanit. Po të mëkâmbet Shkodra, po të përmirsohet gjêndja e saj ekonomike, po të rregullohen Drini e Bojana, po të lidhet me rruga, e po t’i ndërtohet nji hekurudhë qi t’a vêjë në përpjekje me hekurudhat e Jugoslavìs, Shkodra mund t’a fitojë prapë shkëlqimin e përparshëm në lâmë të tregtís, punë, kjo, qi do t’i ndihmonte fort zhvillimit ekonomik e tregtar të vêndit t’onë.

            Këtu ndokush do të mundej me më thanë se këto ndihma e këto mjete mund t’i jepen Shkodrës edhe pa nevojë me e bâmun kryeqytet. Edhe un nuk thom se jo; por të mos harrojmë se gjendja kritike, ku ndodhet sot kombi i ynë, nuk ep lêje me i përndamun në shumë vênde ndihma e mjetet e veta të paka. Pse të mos bâjmë mâ mirë si i thonë nji fjale të vjetër, nji rrugë e dy punë ? Kështu do të kemi, në Shkodër, nji qytet të madh e të përparuem, nji kryeqytet qi të meritojë këtë emën, nji qendër kulture, qi do të lëshojë rrezet e veta mbi gjithë Shqipnìn, e, sidomos mbi pjesën e saj veriore!

            Argumenti i kundërshtarvet, qi thonë se Shkodra âsht tepër në skâj, âsht tepër afër kufinit, nuk ka asnji themel.
Deri sa të mos kemi mjete komunikimi, kryeqyteti, kudo qi të jetë, ka me qenë larg. Kur bâhen udhat, largësimi nuk do të ketë kuptim në nji Shqipní, mjerisht, kaqë të ngushtë.
Afrimi i Shkodrës me kufî nuk bie prapë ndonjë pengim, mbasi edhe shumë Shtete të tjera të mëdhà e të vogla, i kanë pasun edhe i kanë kryeqytetet afër kufinit.

Po t’i ruhet pozita strategjike qi ka, Shkodra mund të forcohet mirë, mund të qindrojë. Të mos harrojmë se në kohë të luftës balkanike, Shkodra qe i mbrâmi qytet qi ra në dorë t’ushtrivet beslidhuna, ndonse nuk ishte e pregatitun për nji qendrim të gjatë.

            Për të gjitha këto arsye, qi hyjnë në rreth së mirës së përbashkëme të kombit, jam i sigurtë se misët e Kuvendit kushtetues nuk do t’i mohojnë Shkodrës të drejtën qi me e zgjedhun kryeqytet të Shqipnis.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar