Bollino: Guximi i gazetarit Julian Shota nuk është i dorës së dytë

Bollino: Guximi i gazetarit Julian Shota nuk është i dorës së dytë

Foto ilustruese

Mëngjesin e 3 shtatorit korrespondenti i Report TV Julian Shota u kërcënua me vdekje ndërsa bënte punën e tij si gazetar në Laç: pronari i lokalit ku gjatë natës kishte shpërthyer një eksploziv, jo vetëm e pengoi të filmonte dëmet e shpërthimit, por fotografoi gazetarin dhe targën e makinës së tij për ta identifikuar dhe më pas nxorri pistoletën me plumba në grykë duke ja vendosur në kokë Julianit e duke e urdhëruar të largohej. “Harroje këtë histori – i tha – me policinë e kam rregulluar, nuk ka për të dalë në asnjë media”.

Juliani, që ishte bashkë me të atin, edhe ai gazetar për një tjetër televizion, u përpoq t’i telefononte disa herë shefit të policisë së komisariatit të Laçit për të kërkuar ndihmë, por polici preferoi të mos përgjigjet. Dhe për të mos u bezdisur më tej, oficeri nisi një sms: “Jam me pushime. Te fala”.

Në fund të fundit u tregua edhe i sjellshëm, sepse standardi aktual i marrëdhënieve mes shtypit dhe institucioneve nuk parashikon as një sms përgjigje. Norma e përgjithshme është që gazetarëve nuk u duhet përgjigjur veçse me kërcënime apo batuta ironike apo ofenduese. Një modë tashmë e përhapur me urdhër edhe mes policëve, që po zbatojnë gjithnjë e më shumë një politikë "censure" jo vetëm mbi hetimet në zhvillim e sipër (gjë normale kjo), por edhe mbi ngjarjet: Ata kanë marrë si urdhër që lajmet nuk duhet të jepen (veç atyre që lavdërojnë punën e policisë) dhe bisedat me gazetarët duhet të kufizohen sa më shumë.

I forti i Laçit që kërcënoi Julian Shotën me pistoletën në dorë tregoi të njëjtën përbuzje ndaj media, edhe pse me forma të ndryshme, që tregojnë përditë politikanë, ministra e përfaqësues të institucionesh. Prova e këtij konstatimi të rëndë është më e qartë me atë që ndodh më pas. Ndryshe nga çfarë ndodhi disa ditë më parë me një tjetër kërcënim po kaq të rëndë drejtuar koleges Klodiana Lala, nuk dëgjuam asnjë zë solidariteti për Julian Shotën nga ana e njerëzve të drejtësisë apo përfaqësuesve të qeverisë, ambasadat e huaja heshtën, OSBE po ashtu, deri tek policia që denoncoi në prokurori sjelljen e të fortit, duke shmangur akuzat e “armëmbajtjes pa leje”, dhe duke u mjaftuar ta akuzonte për “kanosje”. Më pas e la të lirë. Si të thuash që, e konsiderojnë atë kërcënim shumë të rëndë me armë njësoj si një politikan që në një moment nervozizmi i ulëret me fjalë të rënda një gazetari shumë këmbëngulës.

Ndaj kercenimit për Julian Shotën dhe babain e tij nuk u soll më mirë as kategoria jonë. Përveç ndonjë përjashtimi të rrallë (para të gjithëve Artan Hoxha, i cili me kërcënime është i detyruar të bashkëjetojë përditë dhe e kupton se për çfarë bëhet fjalë), nuk lexuam asnjë editorial denoncimi apo solidariteti për atë që ndodhi në Laç, madje Unioni Shqiptar i Gazetarëve (USHG), shoqata që pretendon të përfaqësojë të gjithë kategorinë, mbi këtë ngjarje në mënyrë të pabesueshme, heshti. Ndërsa në një deklaratë të pazakontë denoncoi se 46 gazetarë te tjera kanë kërkuar azil politik jashtë vendit ose përgatiten për kërcënimet e marra: “12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera. Pothuajse të gjithë këta kanë plotësuar dosjet me prova dhe dokumenta për kërcënime në detyrë dhe po përgatiten të largohen” - tha Aleksander Çipa, kryetari te USHG.

Nuk e dimë nëse në 46 dosjet për të cilat është i informuar Çipa ka edhe vërtetime të lëshuara nga USHG, por zbulojmë se pikërisht shoqata e Çipës bën lista me gazetarë të serisë A dhe të serisë B dhe bën dallime mes kërcënimeve me vdekje që meritojnë solidaritet dhe ato që janë të pranueshme dhe që me heshtje, në fund të fundit, i legjitimon.

Nëse dikush guxon të vërë në dyshim denoncimin e Julian Shotës dhe të babait të tij, është e qartë që nuk ka eksperiencën minimale se çfarë do të thotë të bësh gazetarin në terren dhe, aq më pak, çdo të thotë të përballesh me banda kriminelësh, eksperiencë që sigurisht u mungon analistëve dhe teoricienëve të informacionit, shumë prej të cilëve në terren nuk kanë punuar kurrë. Julian Shota nuk denoncoi në mënyrë të përgjithshme një kërcënim anonim (siç ka ndodhur në pothuajse shumicën e rasteve të gazetarëve që më pas kanë marrë azil politik jashtë vendit duke paraqitur copëza gazete apo vërtetime të ndonjë shoqate), por denoncoi agresorin e tij me emër e mbiemër. Vetëm një i çmendur ose një inkoshient mund ta çonte nëpër mend të akuzonte publikisht në Shqipëri një “të fortë” për një krim që nuk e ka kryer. Edhe kriminaliteti ka një kod të vetin dhe gazetarët që merren me këto lajme e njohin shumë mirë: denoncimi fallco ose tradhëtinë e fjalës së dhënë është një nga fajet që “të fortët” nuk ta falin kurrë. Pra, denoncimi i Julian Shotës është akoma më konkret se goditjet me kallashnikov kundër shtëpisë së babait të Klodiana Lalës. E megjithëkëtë të shumtë janë ata që hezitojnë të japin edhe një xhest të thjeshtë solidariteti.

Rreziku i vërtetë është se në këtë mënyrë ushqehet opinion publik me një paradigmë të padurueshme që i klasifikon gazetarët e Tiranës më të rëndësishëm dhe të denjë për mbrojtje se ata që punojnë në periferi, të trajtuar si gazetarët që punojnë rehat. Realisht, shumë shpesh është e vërtetë e kundërta, por këtë gjë ka të ngjarë që akademikët e informacionit nuk do ta kuptojnë kurrë. Për ta, rrethet janë vetëm vende kalimtare për pushime, për dreka e darka, ndonjë leksion gazetarie teorike dhe e shumta ndonjë konferencë e financuar me fonde donatorësh. Pastaj kthehen në shtëpi në kryeqytet. Ndërsa për gazetarët që mbeten në ato anë duke punuar, profesioni është i rëndë, shpesh tepër i rëndë dhe në rastin e Julian Shotës dhe të shumë të tjerëve, jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Pas atentatit në shtëpinë e prindërve të Klodiana Lalës pata lëshuar një apel, duke risjellë në mendje se rreziku më i madh për një gazetar pasi kërcënohet është ai i të mbeturit vetëm. Dhe shtova se opinion publik tani ka detyrimin të zgjedhë nga cila anë të qëndrojë: nga e Mira o nga e Keqja. Për fat të keq shumica, në rastin e Julian Shotës dhe babait të tij, zgjodhën të qëndrojnë komodë në mes, në tokën e askujt, vend që në një betejë zakonisht frekuentohet nga humbësit ose nga dizertorët.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat