Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari i është përgjigjur për herë të parë sulmeve të ashpra që i kanë ardhur nga ish-kryebashkiakja e Prrenjasit Miranda Rira disa ditë më parë. Në një intervistë në Report Tv, Hajdari u përgjigj po ashpër duke thënë se nuk ka komente për "çdo qen" që leh rrugës dhe që kanë probleme me drejtësinë si Rira, e cila është kallëzuar në SPAK duke u akuzuar për shpërdorim detyre. Kujtojmë se ish-kryebashkiakja e Përrenjasit Miranda Rira, sulmoi ashpër disa ditë më parë Rudina Hajdarin duke thënë se ajo është rritur me lekët e vjedhura të mamit dhe nuk i njeh hallet e qytetarëve.

"Miranda Rira është pjesë e LSI dhe nëpërmjet partisë së saj Rama erdhi në pushtet dhe nëpërmjet Ramës partia e saj ka përfituar postin e presidentit.  Nuk kam asnjë lloj komenti tjetër për çdo qen që më leh rrugës apo që kanë probleme me drejtësinë siç është zonja në fjalë", tha Hajdari.

Deklarata e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim që partitë të kenë kandidatë të pastër në zgjedhjet e 25 prillit, për Hajdarin është gjëja më normale dhe drejtë që duhet të bëjnë partitë. Ajo shprehet se partitë e vjetra janë të lidhura me krimin dhe kanë 30 vite që bëjnë vetëm show duke u pasuruar për vete.

"Çdo fjalim që ka dalë në foltore janë përqendruar në problemet e qytetarëve, kjo është arsyeja që vazhdoj ta bëj se duke evidentuar problemet shoqërore të gjemë një zgjidhje mbi këto probleme dhe të mos merremi me telenovela. Në 30 vite është bërë show politik, ku pasurohen vetë. Janë 4 veta që dominojnë politikën ndërkohë që vendi nuk përparon dhe i duhet një drejtim i duhur. Deklaratat e ambasadores Yuri Kim është e duhur dhe e drejtë për të pasur kandidatë të pastër, por politika në vend dhe partitë e vjetra janë të lidhura me krimin dhe kjo është fakt. Kemi kërkuar me kohë që krimi dhe pushteti të jenë të ndara por nuk ka ndodhur, përkundrazi krimi i organizuar është aleat për të mbajtur pushtetin", tha Hajdari

 

VIDEO/Intervista e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:13
Koalicion me Topallin në zgjedhje? Hajdari s'e përjashton si mundësi (VIDEO)

Rudina Hajdari gjatë një interviste për Report Tv është pyetur nëse e shikon si mundësi bashkëpunimin me partinë e Jozefina Topallit në zgjedhjet e 25 prillit për të krijuar një koalicion. Hajdari nuk e përjashtoi si mundësi, ndërsa tha se fillimisht i duhet të shoh programin e saj dhe më pas të jap një përgjigje

"Ende se kam parë programin e Topallit në momentin që do e shikoj do kem një përgjigje", tha Hajdari.

Ora 18:35
Rama tregon arsyet pse do mandatin e tretë, Hajdari: Nuk fillon çdo gjë nga zero se ikën ai (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari ka komentuar mbi deklaratën e kryeministrit Rama i cili tregon arsyet pse do mandatin e tretë.

Gjatë një interviste për Report Tv, Hajdari tha se nuk ka pse fillon çdo gjë nga fillimi vetëm se ikën një pushtet dhe nuk është detyra e Ramës që të çojë përpara angazhimet e vendit.

Sipas saj, ka shumë ekspertë të fushave të ndryshme që mund të kryejnë atë punë.

“Është jashtë realistes dhe ka plot njerëz që mund t'i marrë përsipër dhe nuk kanë pse fillon çdo gjë nga zero se ikën një pushtet, nuk është detyrë e Ramës të bëjë të gjithë këto gjëra pasi ka ekspertë të fushave dhe të mos bëhet keq se mund të iki, pasi ka plotë të tjerë që mund të kryejnë atë punë” – tha Hajdari.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Rama liston të gjitha punët që duhen bërë dhe e detyrojnë të kërkojë një mandat të tretë qeverisës. Ai thotë se asnjë nuk ka vullnetin dhe ambicien që PS-ja ka fituar për drejtimin e vendit.