Deputetja Rudina Hajdari, gjatë një takimi me qytetarët në Gramsh, ka theksuar se ata po e kuptojnë që vendi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor në politikë. Hajdari tha se njerëzit janë lodhur nga politika e bërë në këto 30 vite që solli sipas saj pasurimin e një grupi njerëzish në kurriz të shqiptarëve duke shtuar se tashmë ato po zgjohen.

Hajdari tha se Gramshi duhet të ishte qendër e rëndësishme turistike dhe zona duhet të kishte marrë zhvillim bujqësor e blegtoral, por është lënë prej vitesh pas dore.

“Faleminderit Gramshi! Së bashku me kandidatin tonë Rushan Rama, takova dhe bisedova me qindra qytetarë sot në Gramsh, të cilët më dhanë kurajo dhe mbështetje.

Kryefjala e çdo takimi është lodhja nga politika e cila 30 vite pasuroi pak njerëz në kurriz të gjithë shqiptarëve.Gramshi sot duhet të ishte qendër e rëndësishme turistike dhe zona duhet të kishte marrë zhvillim bujqësor e blegtoral. Fatkeqësisht Gramshi është lënë mbas dore, investimet kanë qenë të pakta dhe askush nuk i ka dhënë rëndësinë e duhur.

Jam e bindur se bashkë me Rushanin dhe gjithë skuadrën tonë në Gramsh, do ta ndryshojmë me rrënjë këtë realitet. Njerëzit po zgjohen dhe po përqafojnë idetë tona. Kjo na jep energji të punojmë edhe më shumë”, shkruan Hajdari në facebook.

Një ditë më parë Nisma Thurje prezantoi kandidatët kryesorë që do të kryesojnë listat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, ku Rudina Hajdari do të jetë në Elbasan.