Hajduti i protestës!

Hajduti i protestës!

Hajduti i protestës u zgjua edhe sot me dëshirën dhe idenë e tij të madhe për të vjedhur protestën. Ai ka ndërtuar një eksperiencë gati 30 vjeçare në ‘fushën e protestave’ dhe është bërë profesionist i vjedhjes, si në çdo fushë tjetër. Sigurisht, ai nuk është njeri i zakonshëm si shumica dërrmuese e qytetarëve dhe nuk duhet ngatërruar as me hajdutin ordiner të xhepave ose të pulave që pranon fajin dhe vuan moralisht e ligjërisht dënimin që meriton kur identifikohet nga shoqëria apo kapet në flagrancë nga shteti.

Ai para krizës së tërmetit, pandemisë dhe luftës në Ukrainë ‘spikati dhe shkëlqeu’ kur u fut në mes të protestës së studentëve, mbase e vetmja protestë masive ekonomike në këto 30 vite që nisi pa u veshur me ngjyra politike. Ndonëse nuk ishte student, mbase  kishte studiuar veset më të shëmtuara të shoqërisë, por ama, mjeshtër i madh në profesionin e tij, i pajisur brenda ditës me diplomë dhe gradë shkencore false, i dekoruar për çdo “arritje” ndryshe nga njerëzit e punës, hajduti i protestës më zë dhe figurë bërtiste çdo ditë duke dalë dhunshëm para opinionit publik se ishte me studentët.

Pasi e vodhi në fund protestën, pa e zgjatur shumë, të nesërmen hajduti i protestës harroi çdo hall të studentëve. Eksploroi në fusha të tjera, mbase mund të jetë bërë gjatë kësaj periudhe “specialist”, “ekspert”, “profesor” pse jo edhe “akademik”, ndërsa tani është ‘zgjuar’ sërish aty ku sheh se ka lindur një tjetër protestë qytetare, tërësisht në të drejtën e saj dhe në dukje me kërkesa po aq të drejta ekonomike, për ta vjedhur edhe atë.

Hajduti i protestës nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon kurrë transparencë për publikun. Ai nuk flet për mungesën dhe dobinë e saj, nuk përpiqet dhe as dëshiron institucione dhe mekanizma ligjore që do të mund të rregullonin gradualisht tregun e mallrave, shërbimit, punës; një treg që ta përcaktojë gara e vërtetë dhe e ndershme vlerën e gjithçkaje. Nëse kjo do të ndodhte, hajduti i protestës atëherë do të tmerrohej, sepse e di që atij nuk do t’i gjendej dot një vend as në radhën e fundit të shumicës së qytetarëve të thjeshtë e të ndershëm.

Me aq sa kuptohet ka diçka anormale që është zhvilluar gradualisht në dëm të interesit të gjerë publik dhe ky proces nuk është ndalur në asnjë çast, për shkakun kryesor të atij që po e quajmë sot thjesht “hajduti i protestës”.

Në jetën e përditshme hajduti i protestës identifikohet lehtë. Është ai që fajëson çdo qytetar të ndershëm i cili ka ngritur zërin karshi çdo padrejtësie që mund t’i jetë bërë atij dhe shoqërisë në përgjithësi, duke kontribouar në një padrejtësi të dytë dhe duke i shkaktuar një dëm më të madh të ardhmes së vendit.

Prandaj për të garantuar të ardhmen e tij, hajduti i protestës kërkon të vjedhë protestën me çdo kusht!

Hajduti i protestës e di se kudo tjetër, në çdo vend të Europës aktualisht janë duke u rritur me shpejtësi çmimet, por me ç’po sheh ai në asnjë vend tjetër nuk po zhvillohen protesta, përveçse në Shqipëri, aty ku për fatin e tij të madh është e bërë e zakonshme që të krijohet gjithmonë diçka për të grabitur.

Megjithatë hajduti i protestës kurrë nuk ka kërkuar t’ia dijë se çfarë prodhon ekonomia jonë, çfarë resursesh ka ajo, si shfrytëzohen ato, çfarë importohet, eksportohet etj. Ai nuk e bën dot asnjëherë dallimin mes cilësisë dhe çmimit, ofertës dhe kërkesës, rolit që duhet të luajë shteti në respektimin e rregullave të lojës, sepse të gjithë këto nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e tij.

Hajdutin e protestës dhe sojin e tij shumica dërrmuese e qytetarëve të thjeshtë mund ta kenë parë çdo ditë në këto 30 vite duke denigruar çdo njeri të ndershëm të këtij vendi, punëtor, të edukuar dhe paqësor, aq sa e ka detyruar atë të paguajë padrejtësisht një çmim ndoshta të parikuperueshëm në jetë.

Sikurse kemi parë këto ditë kudo në Europë po zhvillohen protesta në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe vetëm në Serbi apo në Mal të Zi kemi ndjekur po ashtu protesta sporadike që përkrahin pushtimin rus të territoreve ukrainase. E nëse inflacioni në rritje (për vendet normale) është gjysma e së keqes, destabiliteti mund të jetë katastrofa e vërtetë e ekonomisë së një vendi, llogari kjo që me siguri nuk i intereson aspak hajdutit të protestave.

Kemi parë edhe kur u dogj Parisi dhe Franca pak kohë më parë vetëm sepse çmimi i naftës u rrit në mënyrë abuzive me një cent ndërsa qeveria u detyrua të tërhiqej nga “marrëzia e lojës së çmimeve” në kurriz të popullit.

Hajduti i protestës në Shqipëri me siguri do të kishte qenë i ngopur ato ditë, por pas krizës së pandemisë dhe luftës në Ukrainë  po shfaqet më i etur se kurrë sot për të vjedhur diçka nga protesta e radhës.

Nuk e kemi shpikur ne tregun. As abuzimin! Qeveritë kudo në botë kanë ngritur mekanizma që kontrrollojnë tregun, duke mbrojtur konsumatorin mbi çmimin dhe cilësinë dhe përmes tyre në çdo rast abuzimi e godasin rëndë tregun oligopol (kur një produkt e afron një numër i kufizuar tregtarësh) ose atë monopol (një podhues i vetëm).

Është e thjeshtë t’i biesh shkurt dhe të thuash se tregu përcakton çmimet, bazuar mbi ofertën dhe kërkesën. Por çfarë ndodh me tregun kur nuk ekziston konkurenca e lirë dhe sidoemos atëherë kur ngrihen dyshime se abuzohet me cilësinë dhe çmimin në kurriz të konsumatorit?

Vetëm hajduti i protestave nuk ka një përgjigje. Prandaj duhej transparenca, që sot shqiptarët e ndershëm në vend që të merrnin si ofertë zgjidhjen më ideale të mundshme për të përballuar ‘çmimet e çmendura’ të një tregu global që po shkon në rritje të shkaktuara prej shpërthimit të luftës, fill pas krizës së pandemisë, që ata të kishin kuptuar me kohë se çfarë nuk shkon dhe jo të ishin sot të shqetësuar, ose në protestë ndryshe nga çdo vend tjetër normal i Europës, megjithëse shumica prej tyre e di që rrezikohet t’ju vidhet protesta nga hajdutët profesionistë të saj.

Sa naftë dhe burime të tjera energjitike prodhon Shqipëria, me çfarë cilësie, sa importon dhe sa eksporton, sa rezerva ka siguruar? Nga sigurohet nafta bashkë me burimet e tjera energjitike, shto edhe produktet e shportës së konsumit të përditshëm bazë, me çfarë çmimi dhe cilësie blihen dhe me çfarë çmimi shiten? Këtë çështje qeveria duhet t’ia kishte drejtuar vazhdimisht “ekspertëve” dhe “specialistëve” të shumtë të ekonomisë (disa të mbetur nga koha e piramidave si ideatorë të tyre), të cilët përveç ‘etiketës së pamerituar’ që mbajnë në ballë si dhe faktit që shumica prej tyre paguhen padrejtësisht nga taksapaguesit, ndoshta në mënyrë edhe më abuzive se çmimet e pashpjegueshme të tregut, me qëllim që dita e sotme të ishte një ditë sa më normale si kudo në Europë; që e sotmja dhe e nesërmja të mos ishin ditë protestash dhe hajduti i protestës të ishte i pashpresë.

E tronditur gjatë viteve të fundit nga krizat e njëpasnjëshme (tërmeti, pandemia dhe lufta e Ukrainës) nëse nuk do të ketë reflektim dhe ekonomia jonë nuk do të orientohet nga prodhimi dhe njerëzit e saj të punës e të vlerës së tregut, pas kësaj proteste hajduti i protestave me shumë mundësi do të jetë i pari në radhë, në pritje që të dekorohet me titullin e lartë ‘mjeshtri i madh i punës’.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Babs: 13/03/2022 18:19

    Kush ishte ky hajduti i protestave? Edi me charsllikun e tij propagandist apo saliu me charsllikun e lypsarit dhe te padeshirueshmit?

    Përgjigju
  • redi: 13/03/2022 16:02

    Analize perfekte .Qeveria e mire e le hajdutin e protestave jashte loje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja