Më 8 qershor 2014, për herë të parë flamuri shqiptar u valëvit në Adriatikun Venecian, në morinë e flamujve nga bota. Flamuri ynë u mbajt nga sportisti me aftësi të kufizuara, Haki Doku, emigrant në Itali, i cili përfaqësoi Shqipërinë në veprimtarinë “Vogalogna di Venecia”. Është mungesa e këmbëve në fizikun e tij, të cilën Hakiu e ka kthyer në oportunitet çka e ka bërë sot atë të famshëm.
 
Në një intervistë për mediat italiane, Doku ka shprehur pasionin e tij për sportin duke thënë se aftësia e kufizuar nuk është një tragjedi. Mikja më e ngushtë e 45-vjeçarit Doku është “Handbike”, një lloj biçiklete ku në vend të lëvizjes së këmbëve përdor duart.
 
Haki Doku është shumë aktiv, edhe pse jeta e ka detyruar të qëndrojë në karrige me rrota. Aktualisht ai jeton në Itali me bashkëshorten dhe 2 fëmijët. Puna në të zezë ka bërë që në moshën 27-vjeçare të mbetet i paralizuar duke humbur të dyja këmbët, por jo dëshirën për të qenë një atlet i zoti.
 
Siç thotë dhe Doku, ky nuk ishte fundi i çdo gjëje, por vetëm një fillim i ri, siç dëshmohet nga sukseset e shumta.
 
Arritje e 45-veçarit ishte edhe pjesëmarrja në Lojërat Paraolimpike në Londër. Këtu Doku u paraqit me biçikletën e tij të dorës, duke përfaqësuar njeriun proverb i cili arrin të shfrytëzojë më së miri aftësitë dhe pasionet e tij. Ai është shembulli më i mirë për t’i treguar kujtdo se asgjë nuk mund ta ndalë, kur diçka e bën me shumë dashuri.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)