Thonë që ”miqtë njihen në ditë të vështira”. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe e jetuar jo vetëm nga shkruesi i këtyre radhëve, por i shumë shqiptarëve që në ditët më të vështira të ndërrimit të sistemit, arritën ta vërtetojnë këtë thënie të mënçur të njerëzimit. Por dhe një të vërtetë të madhe që në humusin e pafund të species së njeriut ka disa ndalesa të rëndësishme siç dhe janë miqësitë mes njerëzve dhe aq më shumë kur nuk ka kufij ndarës fizikë e materialë që i ndalojnë ato.

Por pasi lind një miqësi ka dhe një lloj identiteti që i bën këto miqësi dhe më të rëndësishme, biles ndonjëherë dhe orientuese. Si reflex miqësitë ngjajnë dhe motivohen nga prirjet, zgjedhjet, biles shpesh dhe nga një farë kimije dhe flirti për ta ndarë hapsirën e rrugëtimit tënd siç do dhe siç ndjen. Giuseppe de Siati, ose Beppo shkurt, mendoj se ishte në radhën e miqve, që në njëfarë mënyre ngriti para syve të mi mashtabin e një miku të mirë në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Giuseppe de Siati nuk është më.

Dhe në hapësirën mes ndërrimit të jetës dhe funeralit të përcjelljes së tij ka një hapësirë të mundshme për t’i lënë një shenjë a folur disa fjalë si mik i mirë që ishte. Nuk dua të flas për asnjë ngrehinë të profilit dhe personalitetit të tij pasi këtë punë mund ta bëjnë shumë mirë njerëz të letrave dhe filologë të profilit apo studiues, por desha të vë në dukje një raport krejtësisht njerëzor, se sa i rëndësishëm është ky raport sot mes njerëzve dhe sa i domosdoshëm është sot në lidhjet, idetë apo mardhëniet në llojindisi më ndryshe të artistëve, studiusëve, apo shkrimtarëve. Një lloj specie që lë dëshmi të një lloji disi më të veçantë për t’u shënuar dhe në një fare mënyre për t’u lidhur me historitë mes tyre si një likuid që do i bënte mirë dhe historisë mes këtyre krijesave të rëndësishme dhe të lakmueshme për historinë që ata vetë ngrenë.

Me Beppon u njohëm në 1993 në Berlin në një mbështetje nga ana e tij dhe miqve të tjerë gjermanë (Peter Platzmann) për të ekspozuar në galerinë ACUD bashkë me Edi Hilën, Edi Ramën, Artur Alinë. Ishin kontaktet e para me perëndimin si artistë. Kurioziteti ndaj Shqipërisë dhe gjithë lindjes në përgjithësi qe i madh dhe ne po përpiqeshim të krijonim profilet tona për të hyrë në një komunikim përmes artit në këto territore, por veç kësaj po njihnim dhe komunitete të ndryshme për të krijuar lidhje dhe forma komunikimi për t’u bërë prezent.

Një ndërmjetës i madh që luftonte me dashuri dhe durim qe dhe miku ynë Beppo. Njohjet me komunitetin e artit në Berlin me artistë, shkrimtarë, botën e medias dhe me Universitetet e artit, apo me galeri të shumta qenë një mbushje kuptimplotë për rrugën tonë të zgjedhur tashmë. Në kufijtë e egzistencës në atë shpërthim të viteve ‘90, ne gjetëm një mbështetje, të cilën nuk do ta harronim kollaj dhe do linte shenjë në të gjithë pothuaj kontaktet e ardhshme në vijim për ne.

Ashtu siç dhe ndodh në komunitetet e artit etja për të kapur kontakte dhe për të depërtuar jashtë kufijve me produktet tona qe mjaft në emergjencë edhe për shkaqe kulturore për të kapur “kohën e humbur”. Shtëpia e Beppos dhe mjedisi i kontakteve të thjeshta e të dashura do bënin të mundur për këto shkaqe një atdhe të dytë tonin pikërisht aty në një kodrinë periferike mu pranë Berlinit. Diskutimet, pragjet e reja të njohjeve, apo një rishikim të të gjithë figurave të përbashkëta që ndanim nëpër tavolina opinionesh për njerëzit me jehonë tashmë në botën e letrave të Berlinit.

Bisedohej për histori miqsh dhe artistësh që me veprën e tyre në një farë mënyre e kishin bërë prezent veprën e tyre jashtë kufijëve, por dhe qasjen e artistëve gjermanë në informacionin tonë. Dritëro Agolli ,Ismail Kadare, Robert Shvartz, Fatos Arapi, kishin arritur ta preknin vehten me përkthime të veprave të tyre në këto treva dhe qenë pjesë e tavolinave kulturore. Po ashtu Fatos Lubonja, Veiz Ceci si ish të dënuar të sistemit (veçanërisht për Lubonjën kishte një vëmendje të posacme) qenë pjesë e këtyre tavolinave, por edhe Ardian Klosi, Besnik Mustafaj, Xhevahir Spahiu dhe të tjerë shkrimtarë më të rinj, deri dhe Ervin Hatibi dhe një poeteshë e re, e cila sapo kish bërë prezent prurjet e para në letërsi, Lindita Arapi.

Një komunitet i veçantë kosovarësh që flisnin për pavarësi dhe flamur që na u gjendën pranë dhe na shihnin me dashuri si bashkëatdhetarë. Një botë ku flitej për Shqipërinë e për shqiptarë në një interesim të dukshëm për të ndihmuar njerëz që sapo kishin dalë nga një sistem krejtësisht i mbyllur dhe ku këto botë mezi pritej të zbuloheshin nga një botë krejt tjetër në përceptimin tonë. Përkushtimi i madh i Beppos dhe i miqve të tij për gazetarin dhe artistin e veçantë Fatos Baxhakun kronikanin njerëzor të pas 90 –tës, siç e quante ai atë.

Do ngelet e paharrueshme shtëpia e Beppos, si shtëpi ëndërrash e vogël racionale e plot shenja të librit, të muzikës dhe pikturës. Hauri i nëndheshëm i tij me çaj mali, raki e konjak shqiptar, por dhe ndonjë erëz që të kujtonin filmat neorealistë italianë. Një patinë e përkorë që do mund ta gjesh në shtëpi të tilla shkrimtarësh dhe poetësh me një aromë të mirë kafeje gjithnjë. Do mbetet e pashlyer e gjithë përkujdesja e tij monumentale për mikun e tij të ngushtë Robert Shvarc në minutat e fundit të jetës, ku i shërbente me një përkushtim jo të zakontë.

Janë gjëra që ndodhin në shumësin njerëzor, por kur ndodh atje larg në Berlin të duket si një vlerë e rikthyer që e kishim nëpër këmbë dhe disa gjërave i ja kemi vënë shqelmin të qenit njeri. Ja kështu desha ta ndaj në një shkrim lamtumire për mikun tim të dashur Beppon si një histori e bukur njerëzore me aksidentet që të sjell jeta dhe si duhet pranuar nganjëherë vetë ajo si dhe është. Do ta ruaj në kujtesë disi masiv në shëndetin e tij me një uri të pashembullt për gjërat bazike dhe të thjeshta për një stimë të veçantë në zgjedhjet e tija muzikore, muzikën klasike , xhazin, bluz , kafenetë e birraritë e Berlinit që ndanim me të, letërsinë dhe pikturën e kavaletit.

Dashurinë për njerëzit dhe shqiptarët në veçanti. Një mik i madh njerëzor si toka, i butë nganjëherë dhe delikat me të metat dhe dobësitë njerëzore. Gruan e tij Brigitta e djalin e tij Philip një sfond mikpritjeje për ne që hapën shtëpinë dhe na dhanë kurajë dhe dashuri dhe hapën një histori miqësie të pakthyeshme e të gjatë si një aleancë njerëzore për të mos u harruar lehtë si një sprovë miqësie duke vënë në ripohim të palëkundur shprehjen e madhe e të vërtetë se “Miqtë duhen në kohë të vështira” dhe po ata janë busulla orientuese dhe sprove në truallin e shumëngjyrtë të fateve dhe historive njerëzore. Kontakti i fundit qe në box tim të fb “Beppo ci sei?”. Një heshtje që zgjati deri në telefonatën e mikut të tij Ed Hila që më lajmëroi që Beppo nuk asht ma…..vdiq.

Fjalët ndonjëherë janë një melhem i mirë për të qenë me njerëzit që do dhe ke dashur le t’i lemë në mes të gjithëve ne, e miqve të Giuseppe de Siatit për të shpërndarë sado pak dhimbjen për Atë, si një homazh njerëzor para funeralit të tij të largimit…
Kjo është dhe një letër që do lexohet në këtë funeral të ndarjes nga jeta e miqtë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)