Në një reagim të publikuar në faqen "transparenca.al", qeveria ka sqaruar opinionin publik mbi akuzat e Partisë Demokratike për tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për monitorimin e hapësirës detare.
 
"Alternativa për të cilën Partia Demokratike pretendon se është abuzuar, është përzgjedhur si alternativa më e mirë nga grupi i punës dhe më pas i është dërguar kompanive të listuara nga NATO për çmim dhe disponibilitet. Vlen të theksohet se oferta e përzgjedhur fituese është 530 mijë euro më e ulët se oferta fillestare e dhënë nga e njëjta kompani dhe kjo falë negociatave të zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes", thuhet në reagim.
 
Qeveri gjithashtu sqaron se "lidhur me tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, ndryshe sa pretendohet në artikuj, kompania e përzgjedhur është përfaqësuesi zyrtar i kompanisë “GEM Elektronika”, prodhues i këtyre radarëve. Po e njëjta kompani, është marrë me mirëmbajtjen dhe riparimin e pajisjeve përgjatë periudhës 2010 - 2011".

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)