Ambjentalistët kanë protestuar ndaj ndërtimit të 5 pallateve me 17 kate në zonën pranë digës së liqenit artificial në Tiranë. Një ditë më parë “A1 Report” denoncoi këtë projekt në zonën buferike ku nuk lejohen ndërtimet, pasi zona është e brishtë dhe duhet të jetë hapësirë e gjelbër dhe çlodhëse.

“Ky plan urban i 2013 e ka simbolizuar këtë zonë si të paprekur, ndërsa në një vendim tjetër duket sikur ka edhe ndërtime deri në 9 kate. Kjo quhet zonë buferike, zonë tampon dhe zonat tampon nuk janë as liqene, as parqe por as ndërtime, kjo bie në kundërshtim edhe me një ligj tjetër që në zonat buferike nuk lejohen ndërtimet. Zona të tilla të brishta me biodiversitet të lartë kërkohen të miratohen jo nga grupe teknike të bashkisë, por të mbrohen nga Këshilli Bashkiak dhe nga KRTRSH”, ka deklaruar dje për mediet Sazan Guri. Sipas ambjentalistëve gjithçka bëhet për përfitim ekonomik dhe nuk llogaritet dëmi që I bëhet natyrës dhe njerëzve. “Gjithë kjo hapësirë e ndërtuar kërkon që kjo hapësirë publike të ngelet hapësirë e gjelbër, hapësirë për një luna-park, hapësirë për lodra fëmijësh, hapësirë për shlodhje, zonë kreative, dhe jo të përfitohet nga biodiversiteti i larë që ka zona për shitjen e apartamenteve me 3-4 mijë euro metër katrori.”- tha më tej Sazan Guri.