Profesor Gjon Boriçi flet për herë të parë për këtë botim të tijin, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Ai zbuloi dhe hapi më shumë se disa dokumenta dhe materiale që bëhen publike në botimin e tij për herë të parë, ekskluzivisht për emisionin Esencë në Report Tv. Më poshtë do të gjeni një pjesë të rrëfimit të Profesor Boriçit në Esencë.
Gjon Boriçi: -Ky botim studimor trajton procesin e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri në vitet 1944–1949, bazuar në librin Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri (Nëntor 1944 – Dhjetor 1949). Ideja për librin lindi nga mungesa e një studimi të thelluar mbi instalimin e regjimit monist në Shqipëri. Puna kërkimore zgjati tetë vite, duke përfshirë hulumtime në mbi shtatë fonde arkivore. Procesi ishte i lodhshëm dhe emocionalisht i rëndë, pasi dokumentet zbuluan një realitet më kompleks dhe më të brishtë sesa narrativa zyrtare e dekadave të mëparshme.
Eljan Tanini: -Kemi dokumenta që thonë të kundërtën?
Gjon Boriçi: -Sipas dokumenteve, pushteti i Enver Hoxha nuk ishte i konsoliduar në fillim, por i rrethuar nga frika, spastrime dhe përplasje të brendshme. Një rol të rëndësishëm në këtë periudhë kishte edhe Koçi Xoxe, i paraqitur si figura më pro-jugosllave në qeverinë shqiptare. Në shumë institucione shtetërore kishte këshilltarë jugosllavë, ndërsa dokumentet flasin për plane bashkimi monetar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, që i kushtuan vendit një pjesë të konsiderueshme të rezervave të arit.
Rrëfimi përshkruan gjithashtu klimën e terrorit dhe eliminimin sistematik të kundërshtarëve politikë. U krijua një kulturë frike që depërtoi në çdo shtresë të shoqërisë, ku denoncimet dhe servilizmi u kthyen në mekanizma mbijetese.
Në planin ndërkombëtar, përmendet ndërhyrja propagandistike e Britanisë së Madhe, si dhe ndikimi vendimtar i përplasjes midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Figura si ajo e Mehmet Shehut shfaqet në dokumente si kundërshtar i orientimit jugosllav, ndërsa konfliktet e brendshme politike e vendosën Shqipërinë në një situatë të pasigurt. Ndarja mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë rezultoi përcaktuese për fatin politik të vendit.
Hulumtova mbi shtatë fonde arkivale. Dokument pas dokumenti, letra, procesverbale, mbledhje sekrete, shumë prej tyre të shënuara me laps të kuq, materiale që dikur nuk lejoheshin të qarkullonin. Në ato faqe kuptova se pushteti i Enver Hoxhës nuk ishte aq i konsoliduar sa është paraqitur për dekada. Përkundrazi, ishte i brishtë, i rrethuar nga frika, spastrime dhe përplasje të brendshme. Një nga zbulimet më tronditëse ishte niveli i ndikimit jugosllav.
Koçi Xoxe rezulton të ketë qenë figura më pro-jugosllave në qeverinë shqiptare. Në çdo institucion shtetëror kishte këshilltarë jugosllavë, jo një, por shpesh dy në të njëjtën zyrë. Dokumentet flasin për bashkimin monetar Shqipëri–Jugosllavi, një proces që i kushtoi vendit rreth 45% të arit të vet. Madje përmendet edhe një shifër tronditëse: 21 miliardë dinarë si “blerje” ekonomike e Shqipërisë nga jugosllavët. Në ato vite nisi eliminimi sistematik i kundërshtarëve politikë. Klima e frikës u përhap në çdo qelizë të shoqërisë. Kam lexuar letra ku bashkëshortët denonconin njëri-tjetrin. U ndërtua modeli i “njeriut servil”, i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për të mbijetuar.
Eljan Tanini: -Ishte kjo fryt i politikave të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes? Dokumentet tregojnë se fryma e terrorit ishte e organizuar dhe e mirëstrukturuar.
Gjon Boriçi: -Ndërkohë, Britania e Madhe hodhi fletushka nga ajri mbi territorin shqiptar, një përpjekje për ndikim politik dhe psikologjik në një vend që po rrëshqiste drejt izolimit. Përplasja mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë do të ndryshonte fatin e Shqipërisë. Mehmet Shehu ishte ndër të parët që u shpreh kundër orientimit jugosllav, ndërsa Xoxe kërkonte eliminimin e tij. Shqipëria ishte në një fije peri. Nëse ndarja mes Moskës dhe Beogradit nuk do të kishte ndodhur, historia jonë mund të kishte marrë një tjetër drejtim, ndoshta edhe më tragjik. Gjatë kërkimeve hasa edhe narrativa të debatueshme historike, si pretendimet për rolin e Vladimir Leninit në marrëdhënie me Gjermaninë gjatë Luftës së Parë Botërore, çështje që vazhdojnë të diskutohen nga historianët. Ajo që më ka mbetur më shumë është pyetja: si nuk e kuptuan njerëzit se çfarë po ndërtohej përpara syve të tyre? Apo ndoshta frika ishte më e madhe se vetëdija? Ky libër nuk është thjesht një studim historik. Është përpjekje për të kuptuar rrënjët e një sistemi që formësoi mendësinë, institucionet dhe jetët tona për dekada. Tetë vite punë më mësuan se historia nuk është bardh e zi, dokumentet flasin, nëse ke durimin t’i dëgjosh.
Komente











