Segmenti i ri rrugor Palasë-Dhërmi është hapur për qarkullimin e automjete. Kështu njoftoi në Facebook kryeministri Edi Rama, të premten.

“Hapet për qarkullimin e automjeteve segmenti i ri rrugor Palasë-Dhërmi”, shkroi Rama, teksa bashkëngjiti një video të rrugës.


Punimet u inspektuan nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila tha se kjo rrugë do të jetë në funksion në javët e mbetura të sezonit turistik veror.

“Ndodhemi në aksin Palasë-Dhërmi. Kemi vendosur ta hapim në mënyrë provizore për javët që kanë mbetur në funksion të pushuesve. E kemi nisur një vit më parë. Kantieri ka ecur pa probleme. Kemi arritur në momentin për ta pasur të gjithë gjurmën të shtruar me konglomerat”, u shpreh Balluku.

Ministrja shpjegoi se rruga do të jetë në përdorim nga pushuesit deri në plazhin e Dhërmiut ndërsa pjesa tjetër do të lëvizin në rrugën tradicionale.

“Kjo rrugë është dizenjuar dhe ka qenë e menduar për t’i ardhur në ndihmë fshatrave turistikë që po ndërtohen në këtë zonë pjesë e investimeve strategjike. Ashtu kemi bërë edhe me këtë rrugë. Do të ndihmojë që të mos kemi më atë trafik të rënduar që kemi pasur në rrugën nga Palasa në Dhërmi. Kështu që të gjithë ata që do të aksesojnë zonën e Dhërmiut do të përdorin këtë rrugë ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë në rrugën tradicionale. Kjo është një rrugë që nuk shërben vetëm për lëvizje të automjeteve. Do të ketë vëmendje të plotë edhe te këmbësorët. Do të ketë pistë këmbësorësh dhe vrapuesish. Deri në 30 qershorin tjetër i gjithë projekti për këtë rrugë do të jetë i përfunduar me gjithë elementët që përmendëm përveç pistës së biçikletave. Për projektin tonë përfundojmë në datë 30 qershor të vitit të ardhshëm me të gjithë elementët e sigurisë”, tha Balluku.

Balluku bëri me dije se kanë përfunduar gërmimet për më shumë se gjysmën e tunelit të Llogarasë.

Ky segment ka një gjatësi prej 4.5 kilometrash dhe nis nga kryqëzimi i “Rrugë të Bardha” ku është parashikuar të jetë edhe dalja e Tunelit të Llogarasë dhe përfundon pranë ish-kampit të punëtorëve në Dhërmi.