Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh në një deklaratë për mediat se strukturat e policisë do të angazhohen plotësisht në mbarëvajtjen e sezonit turistik, pasi këtë të fundit e cilësoi edhe si kontribues për hapjen e negociatave me BE-në.
Lleshaj u shpreh se në të gjithë organizimin e sezonit turistik roli i prefektit do të jetë qendror, puna do të koordinohet dhe inspektimet individuale do të evitohen.
Vitin e kaluar kanë qenë 11.2 milionë qytetarë shqiptarë e të huaj që janë përfshirë në sezonin turistik sipas INSTAT-it. Pra llogarisni vetë se çfarë impakti mund të ketë nëse të gjithë këta njerëz shkojnë mbrapsht me një përshtypje pozitive për vendin ku kaluan disa ditë pushimesh. Sigurisht në të gjithë organizimin e sezonit, roli i prefektëve do të jetë rol qendror, sepse vetë funksioni i prefektit është funksion qendror; do të duhet të koordinojnë punën mes të gjitha agjencive të tjera qoftë atyre të pushtetit qendror, apo vendor në mënyrë që reagimi, veprimi i të gjithë strukturave shtetërore të jetë si një i tërë.
Është me shumë rëndësi të përmendim këtu faktin e inspektimeve për të thënë që duhet të evitojmë inspektimet individuale, ku çdo inspektorat shkon e bën një axhendë të vetëm inspektuese. Duhet që këto të organizohen nga prefektët në mënyrë që inspektimet të bëhen të përbashkëta, pra të bëhen të thelluara por të mos rëndojnë herë pas herë, pa fund, sa mbaron njëri, fillon tjetri dhe shqetësohet. Në vend që të luhet një rol pozitiv, nganjëherë kthehet në negativ për shkak të morisë së inspektorëve që rendin drejt subjekteve të ndryshme tregtare apo turistike.
Pra të kemi një plan të mirë akorduar nën drejtimin e Prefektit për të bërë inspektime me ekipe, jo me individë. Ekipe të përbashkëta nga policia, mjedisi, shëndetësia, ushqimi etj. me radhë në mënyrë që ky subjekt, kur shkohet një herë, të mbarohet punë me një herë.
Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm
Ministri i Brendshëm tha më tej se me rëndësi për funksionimin e sezonit do të jenë cështjet që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor, pasi flukset parashikohen një barrë e madhe. Teksa do të mbështeten turistët,operatorët dhe bizneset, strukturat sipas Lleshajt do të jenë të fokusuara edhe më shumë në fushën e krimit.
Me rëndësi të madhe do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor. Sigurisht që flukset e shtuara turistike janë një barrë e madhe për qarkullimin dhe duhet të merren masa që tani në bashkëpunim edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria përkatëse e Policisë Rrugore duhet të marrë që tani masat në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, me strukturat vendore në mënyrë që të gjithë ato projektet për përmirësime infrastrukturore në sistemet rrugore e të tjera me radhë, të marrin rrugë sa më shpejt dhe të ketë plane alternative për të devijuar dhe orientuar trafikun në rastet e ngarkesave të mëdha.
Këto plane duhen bërë që tani dhe koordinimet duhen bërë që tani. As sa do të duhet që strukturat e Policisë së Shtetit të merren dhe të mbështesin turistët, operatorët, bizneset në mbarë funksionimin e sezonit, po aq ato duhet të jenë të fokusuara edhe në fushën e krimit i cili shoqëron aktivitete të tilla që janë masive.
Nuk është ndonjë gjë e re që të themi se këto flukse të mëdha turistike shoqërohen edhe më përpjekje jo të vogla për spekulim nga subjekte të ndryshme, qofshin turistike, tregtare dhe të tjera me radhë, e këtu sidomos strukturat e krimit ekonomik financiar duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të mbajtur nën kontroll situatën, për të mos lejuar që turistët të manipulohen, të mashtrohen, të vidhen në ndonjë rast nga persona apo dhe subjekte të papërgjegjshme që ndonjëherë mundohen të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga flukset.
Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm