Andis Harasani dha dorëheqje nga mandati i deputetit të kësaj partie pak muaj më parë. Në një intervistë ekskluzive të detajuar tw publikuar nw faqen online studimepolitike.com, ai flet për angazhimin e tij në politikë, tërheqjen e përkohshme dhe rikthimin, për zhvillimet politike brenda PS në kohë të ndryshme, duke vlerësuar si një parti më të pastër nga e shkuara komuniste në raport me PD. Harasani flet për angazhimin e tij në PS në kohë të ndryshme, kur kjo parti drejtohej nga Fatos Nano dhe më pas nga Edi Rama, marrëdhëniet e tij me secilin dhe vlerësimin për dy liderët.
Arsyet e mungesës së demokracisë në Shqipëri ai i gjen tek mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike që trashëgohen nga e shkuara komuniste e Shqipërisë. E vlerëson si një përvojë mjaft pozitive angazhimin në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në PS, ndërsa për Ben Blushin dhe rolin e tij në këtë lëvizje, Harasani shprehet: “Kurse për Blushin kam vetëm një koment: çdokush është vetë përgjegjës për vendimet që merr dhe përfitimet apo humbjet për shkak të tyre”.
Për aktualitetin politik, Harasani thekson se PS duhet dhe do t’i fitojë zgjedhjet pa pasur nevojë për një aleancë me LSI.
Z. Harasani, prej pak muajsh jeni larguar nga PS duke lënë mandatin e deputetit. Ju u shprehet se kishit angazhime personale, a keni diçka për të shtuar lidhur me arsyet?
U bënë disa muaj që kreva një akt të tillë dhe kam përshtypjen se e kam shpjeguar mëse njëherë motivin se pse e kreva. Besoj se një gjë e tillë tashmë ka dalë nga vëmendja e publikut dhe interesi apo kureshtja e tij. Është një histori e mbyllur. E vetmja gjë që do të doja të thosha për këtë temë, ka të bëjë me bindjen e sotme, që dje kam vepruar mirë dhe drejt. Për më shumë do të shtoja se lënia e mandatit nuk do të thotë dorëheqje nga politika. Kjo zeje e vjetër e njerëzimit, politikbërja, nuk është si prania në një sallë koncerti për të shijuar apo mospëlqyer muzikën. Sot ka shumë më tepër mundësi të jesh i pranishëm edhe aty ku nuk ndodhesh fizikisht. Distanca që kam krijuar nga Tirana, tani që jetoj në SHBA, ndoshta jo çuditërisht më ka bërë që shumëçka ta shoh më qartë. Madje, edhe njerëzit, të njohurit e mi të shumtë në Tiranë me ngjajnë më të mirë. Ndoshta kjo është teknologjia e pashpjegueshme e mallit, ndoshta ashtu kanë qenë në të vërtetë, por pamja e tyre sfumohej nga “smogu” i përditshmërisë, ndoshta tani që jam larg, edhe unë i dukem më i mirë shumëkujt, që nuk më duronte më parë.
Pas kësaj, mendoj të kthehemi disa vite pas në kohë. Z.Harasani, si e vlerësonit ju PS-në si parti, kur ende nuk ishit angazhuar në politikë, a kishte ndikim tek ju fakti, se PS ishte trashëgimtare direkte e PPSH-së?
Po, ky fakt kishte shumë ndikim tek unë. Por kjo është një histori e gjatë. Shumë nga idetë njerëzore ngrihen mbi perceptime. PS konsiderohej dhe konsiderohet ende si trashëgimtare direkte e PPSH-së. Kështu mendoja dhe unë dikur. Sot e gjykoj ndryshe. PS trashëgoi muret e selisë, një bërthamë të gjerë votuesish, shpesh edhe mendësi e praktika të komunizmit, por duhet thënë, se ajo ishte e para që u divorcua që atëherë. Trashëgiminë e komunizmit unë e shoh të shpërndarë në të gjitha partitë shqiptare dhe sot, 22 vjet mbas rrëzimit të sistemit, tiparet komuniste të PPSH-së më së shumti gjenden tek partia që e përmbysi atë nga pushteti, tek PD-ja. Student në dhjetor, unë kam qenë pjesëtar i grevës së urisë. E rikujtoj këtë fakt për të dhënë një provë se nuk e kam pranuar komunizmin, jam kundër tij dhe se, kur u bëra pjesë e PS-së, ajo ishte absolutisht një parti jokomuniste. Ishte një parti e majtë e tipit liberal, ç’ka më përkonte edhe me mënyrën sesi e shihja dhe e shoh unë politikën.
Nuk menduat të angazhoheshit në PD?
Nuk kam qenë i angazhuar me këtë parti dhe mendoj se është nga të paktat gjëra të mira që kam bërë ose thënë ndryshe, nga të paktat gabime që nuk kam kryer. PD është një mutacion, është qarku i mbyllur i kthyer në pikën e fillimit. Dhe besoj, se demokracia shqiptare ka gjithashtu një nevojë të dëshpëruar për dekomunistifikimin e Partisë Demokratike.
Cilat ishin arsyet që ju u angazhuat në PS, duke pasur parasysh se ju i përkisnit botës së ekspertëve, ose shoqërisë civile, pra kishit angazhimet të mjaftueshme?
Nëse ftesa e zotit Nano për të drejtuar KESH-in në një moshë shumë të re kishte brenda edhe pak fat dhe një mundësi të dhënë, përfshirja më pas në zgjedhjet e 2005-ës, ishte një ring në të cilin u ndesha edhe me vetveten. Së bashku me mikun tim Shpëtim Idrizi fituam në dy nga zonat më të vështira të kryeqytetit, në një sprovë të vërtetë elektorale. Kishim shumë rrethana kundër, por megjithatë fituam. Keqardhem kur mendoj se sot PS i ka humbur të dy këto zona. Pra, me një fjalë, angazhimi im në PS nisi me një mundësi që më dhanë dhe vazhdoi më pas thjesht me shërbesë dhe luftë për të fituar atë çfarë nuk ta dhuron dot askush.
Ju gjetët një PS, që ishte në beteje të vazhdueshme debatesh të brendshme. Në krye të saj ishte Fatos Nano, i cili e quan veten liberal. Ishte në të vërtetë i tillë, gjithnjë duke iu referuar mënyrës se si ai e drejtoi këtë parti dhe ngjarjet, që u zhvilluan brenda saj përgjatë 15 viteve?
Absolutisht po, Nano ishte dhe është liberal në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Duke thënë këtë, nuk ndikohem as nga mirënjohja për mundësinë që më dha profesionalisht vite më parë dhe as nga fakti që e konsideroj mik. PS ishte një parti, që të jepte gojë për të folur, por të mësonte të kishe edhe veshë për të dëgjuar.
Por megjithatë, gjatë drejtimit të Nanos, PS u nda më dysh, prej saj lindi LSI, një fenomen që solli edhe humbjen e PS në zgjedhjet e 2005, edhe ato të 2009.
Humbja e 2005-ës mendoj se ishte logjike dhe fund i ciklit të radhës në PS. Humbje të tilla në politikë dhe rotacioni qeverisës, lejojnë një parti të rikompozohet, të rikrijohet, të rikorrigjohet dhe të rivitalizohet. Ndarja me LSI-në ka qenë pjesë e këtij cikli, që nuk ishte i ri për PS-në, kështu ka ndodhur me çdo forcë politike në vend. Në fund të fundit, politika është bashkim vullnetar, nuk mund të mbahet brenda dikush, që do të dalë jashtë.
A funksiononte në të vërtetë demokracia e brendshme në PS, duke pasur parasysh se në finale, statuti ndryshohej gjithnjë sipas preferencave të kryetarit (këtë konstatim e kam nga një studim, që kam kryer për demokracinë e brendshme në PS bazuar në ndryshimet në statut)?
Ky është një problem jo vetëm i PS-së. Madje në PS është shumë më i vogël se gjetkë. Sipas standardit evropian të demokracisë së brendshme në një parti politike, mund të thuhet troç, se në asnjë parti politike shqiptare nuk funksionon demokracia e brendshme. Dhe meqë nga partitë burojnë politika dhe politikë, institucionet dhe njerëzit e institucioneve, këto të fundit janë të dobëta, të brishta dhe jo demokratike e funksionale.
Kemi folur për një periudhë të rëndësishme të historisë politike në Shqipëri. Pas kësaj, cilat mendoni se janë arsyet e mungesës së funksionimit të demokracisë në Shqipëri?
Fillon me mungesën e demokracisë së brendshme në të gjitha forcat politike, ku më shumë, e ku më pak. Nga ana tjetër, faktor është mentaliteti ynë i vjetër: o me mua, o kundërshtari im. Në këtë pikë ne jemi ende si në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Ndryshimi është, se nëse atëherë të vrisnin, sot të përjashtojnë.
A është e shkuara komuniste e Shqipërisë, një faktor bazë i kësaj mungese, pra funksionimit të demokracisë?
Ndoshta është normale një gjë e tillë. Ndoshta duhet më shumë se një brez për t’u ndarë nga ajo trashëgimi. Ndoshta do ta bëjnë fëmijët tanë.
Roli i liderit në partitë politike në Shqipëri ka rëndësi të veçantë. A kanë trashëguar liderët aktualë nga e shkuara komuniste e paraardhësve të tyre tipare totalitare? Është fjala për liderët e dy partive kryesore: PD e PS, Berisha, Nano, Rama?
Për fat të keq po. Ashtu siç ka trashëguar secili nga ne një gjë të tillë, ashtu siç secili nga ne ka ende në gjak pak nga ai opium i hershëm që na ka trallisur e dalldisur, që na ka helmuar të djeshmen dhe po na helmon të sotmen. Besoj se ka vetëm një recetë, që të shpëtojmë nga kjo sëmundje, ta kuptojmë diagnozën e saj dhe të jemi të bindur, se ka ardhur koha që të shërohemi.
Të kthehemi sërish tek angazhimi juaj në politikë. Ju i përkisni asaj kategorie rekrutimesh në PS, në kohën kur kryetari Fatos Nano kishte përplasje pa pushim me grupin e Ilir Metës. Ju mbajtët gjithnjë krahun e tij në PS. Sot pas kaq vitesh, mendoni se keni gabuar? A e meritoi Nano përkrahjen tuaj, por edhe të disa deputetëve të tjerë socialistë, apo edhe zyrtar të tjerë të kësaj partie?
Po të ripërsëritej ajo kohë do të bëjë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Kam bërë atëherë, atë që kam menduar se ishte më e drejtë pa u nisur të mendoja, se veprimet e mia ishin në interes të njërit apo të tjetrit.
Në 2005 erdhi Edi Rama në krye PS, nisi të bëjë ndryshime thelbësore. Si i përjetuat ju këto lëvizje, dhe si i vlerësoni sot ato?
Marrëdhënia ime me Edi Ramën ka qenë si një monedhë me dy anë; ka qenë politike dhe miqësore. Në asnjë rast, dhe kam përshtypjen se të njëjtën gjë mund ta thotë edhe Rama, ato nuk kanë ndërhyrë tek njëra-tjetra dhe nuk kanë ndikuar njëra-tjetrën. Shumë nga veprimet e mia në politikë do t’i bëja sërish në të njëjtën mënyrë edhe nëse Rama nuk do të ishte miku im. E përsëris, kam vepruar gjithmonë sipas bindjeve të mia edhe kur jam grindur politikisht me të, gjithmonë duke tentuar të ruaj thelbin e miqësisë. Rama më ka mbështetur politikisht dhe i jam mirënjohës. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të isha anëtar kryesie i PS-së dhe sekretar për programin. Në gjenezë të kësaj karriere partiake ishte, besoj bindja e Ramës, se mund të isha i dobishëm në këto detyra dhe jo miqësia e përbashkët. Megjithatë, Rama ishte një votë e rëndësishme në zgjedhjen time në këto forume, do të ishte e padrejtë të mos falenderoja gjithë ata që më votuan për këto detyra. Shpesh kam gabuar, shpesh ka gabuar dhe kryetari i PS-së në përditshmërinë tonë të përbashkët politike. E rëndësishme është, se kemi ditur të mësojmë nga gabimet dhe unë jam i bindur se PS sot është e gatshme të përballet me pushtetin, të marrë pushtetin dhe t’i sjellë Shqipërisë rilindjen e saj, mbas kësaj lëngate, që i ka sjellë keqqeverisja e PD-së.
Angazhimi juaj në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në PS, ishte një periudhë intensive, por e shkurtër. Cilat janë arsyet që ju u tërhoqët nga ai aksion politik? Ju la në “baltë” Nano, apo “u lodh” Ben Blushi?
LMN nuk ishte një lëvizje për qëllime dhe përfitime personale. Ajo arriti të realizojë objektivin e saj themelor dhe besoj se me Malajn, Islamin dhe në një pjesë kohe edhe me Bellon, kemi bërë gjënë e duhur. LMN ishte një projekt i guximshëm, vetësakrifikues dhe emancipues për politikën shpesh kuadratike shqiptare. Sa për Nanon nuk ka asnjë arsye të mendohet se na la në baltë, sepse ai nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj lëvizjeje. Kurse për Blushin kam vetëm një koment: çdokush është vetë përgjegjës për vendimet që merr dhe përfitimet apo humbjet për shkak të tyre.
Në se do të duhej të bëje një analizë, cilat do të ishin anët pozitive dhe negative të drejtimit të PS nga Fatos Nano dhe nga Edi Rama?
Është një analizë, që do të duhej të nisej që nga personaliteti i ndryshëm i të dyve. Nano është tipiku i politikanit liberal, një menaxher që merret e fokusohet me strategjinë e lëvizjeve në përgjithësi, duke lënë pas dore detajet, kurse Rama është natyrë shumë më e kontrolluar dhe që shpenzon shumë kohë në mikromenaxhim.
Pyetja e radhës ka të bëjë me të ardhmen e afërt, atë të zgjedhjeve të 23 qershorit. A do të jeni ju pjesë e listës së kandidatëve për deputet të PS, apo të ndonjë partie tjetër?
Jo, nuk do të jem pjesë e asnjë liste. Për momentin ky është një kapitull i mbyllur për mua. Po investoj tek vetvetja dhe ndjehem mirë me jetën që bëj aktualisht.
E shihni të mundshëm një bashkëpunim mes PS dhe LSI, dhe a është sipas jush e vetmja zgjidhje, që e majta të vijë në pushtet?
Në politikë nuk ka asnjë gjë të pamundur, ndaj e shoh të mundshëm një bashkëpunim mes këtyre dy partive. Por nga ana tjetër, shoh probleme morale në një koalicion të tillë të mundshëm. Rikthimi i LSI-së në aleancë me PS-në do të rihapte shumë plagë të vjetra në PS, të cilat sot dhembin ende. Në radhë të parë, këto plagë i ka vuajtur elektorati socialist dhe për të respektuar këtë vuajtje, PS e Rama janë të destinuar të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013 edhe pa LSI-në.
Si i parashikoni rezultatet. Sa shanse ka PS t’i fitojë këto zgjedhje, duke iu referuar edhe mënyrës, sesi kjo parti po shpalos strategjinë e saj elektorale?
Jam i bindur që PS e ka të garantuar triumfin në zgjedhje. Në radhë të parë, sepse historikisht në Ballkan, zgjedhjet i humbet pozita dhe nuk i fiton opozita. Shikoni zgjedhjet e 2005-ës. Nuk fitoi Berisha atëherë, atëherë humbi PS-ja. Shihni çfarë ka ndodhur në Serbi e Greqi dhe do të bindeni për këtë që ju them.
Intervista u publikua në Studimepolitike.com
(Titulli origjinal i Intervistës: Harasani: Nuk jam larguar nga politika)
Redaksia online
sg/shqiptarja.com