Znj. Sharxhi, çfarë informacionesh ofrojnë këto harta?
-Koleksioni i vjetër i hartave ka vlera të rralla studimore. Përmes këtyre hartave jepen informacione për trojet shqiptare, ndryshimet historike të këtyre trojeve, ndryshimet gjeopolitike, etj. Veç asaj ato sjellin informacione me shumë rëndësi etnografike, informacion për toponiminë, sepse në to pasqyrohet toponimia e vjetër dhe si ka evoluar kjo toponimi nga shekujt e hershëm deri në fund të shekullit XVIII.
A mund të përmendim disa prej hartave më të rralla të këtij koleksioni dhe ç’informacion na sjellin ato për herë të parë?
Do të përmendja këtu një nga hartat më me vlerë albanologjike dhe studimore, të këtij koleksioni, hartën e Vincenzo Maria Coronelli-t , hartograf i njohur i Republikës së Venedikut, që ka hartuar një numër të madh hartash. Një prej tyre është dhe kjo që tregon rrjedhën e lumenjve Bunë dhe Drin në Dalmaci. Kjo hartë ka vlera të jashtëzakonshme për studimet albanologjike, sepse jo vetëm se jep rrjedhën e lumenjve Bunë dhe Drin që sot kanë ndryshuar shtratin por ka vlera shumë të mëdha edhe historike. Ajo na ofron gjithë toponiminë e këtij territori, domethënë qytete të ndryshme apo fshatra, le të përmendim këtu qytete si Shkodra, Ulqini, Tivari, etj. Po ashtu jepen të dhëna statistikore, demografike si p.sh sa shtëpi janë të besimit mysliman, s atë tjera që i përkasin të besimit katolik, apo ortodoks, apo sa prej tyre janë shqiptarë, gjithashtu jepen edhe të dhëna që lidhen me lundrimin apo me tërmetet që kanë rënë.
Pra i gjithë ky informacion i pasur ka vlera për studimet e ndryshme gjuhësore dhe etnografike, them gjuhësore sepse jepet topinimia e vjetër dhe si kanë evoluar sot emrat e lumenjve, të qyteteve, të maleve, fshatrave, etj.
Cilit vit i takon kjo hartë?
Harta i takon vitit 1688.
Më thatë se diku ems këtyre hartave është edhe një që i është dedikuar Papa Klementit XI, i cili kishte origjinë shqiptare, apo jo…?
Po, bëhet fjalë për një hartë me shumë vlerë, hartë e cila u realizua nga Giacomo Cantelli, një tjetër hartograf i Republikës së Raguzës, shumë i njohur për kohën. Ai ka botuar hartën “Shqipëria e mirëfilltë, ose e Sipërme, edhe këtu pasqyrohen trojet veriore shqiptare përfshi edhe një pjesë të territorit të Kosovës. Kjo hartë ka mjaft vlera sa i takon informacionit që sjell. Për herë të parë në këtë hartë jepet edhe toponimia e Shqipërisë së mesme dhe për herë të parë përmendet emri i Tiranës me toponiminë Terana. Ka evoluar pra kjo toponimi, që nga viti 1689 kur tek kjo hartë del për herë të parë me emërtimin Terana.
Kjo hartë ka vlerë dhe për faktin se botuesi që është Giacomo Rossi ia kushton këtë hartë Papa Klementit XI, i cili tashmë dihet është arbëresh nga familja Albani e Urbinos dhe në këtë kushtim, del qartë edhe origjina arbëreshe e Papa Klementit XI.
Po hartat e tjera?
Përveç këtyre ka dhe harta të tjera nga hartografë holandezë, francezë, ku paraqiten trojet shqiptare si pjesë perandorisë Osmane, ose harta ku paraqitet perandoria romake dhe trojet ilire, fiset e lashta ilire, toponimia, vendbanimet e vjetra ilire, apo kur hartografohen trojet serbe apo greke dhe si pjese e tyre paraqiten edhe trojet shqiptare.
Përveç këtyre elementëve të vyer sa i takon përmbajtjes, çfarë vlerash të tjera ka ky koleksion?
Janë harta që kanë vlera jo vetëm për përmbajtjen e tyre, por edhe për ilustrimet. Janë mjaft të bukura, me ngjyra, me gravura dhe kanë interes edhe për studiuesit e artit.
Ky koleksion do të vijojë të ruhet në Bibliotekën Kombëtare?
Ky koleksion ka qenë dhe është pjesë e Bliotekës Kombëtare, por për ta ruajtur e për t’ia zgjatur jetën këtij koleksioni u gjet një rrugë bashkëkohore që lexuesi, që mund ta shfletojë tashmë online dhe ta shfrytëzojë për interesat e tij. Sepse antikuare të tilla, kudo në botë ruhen me shumë kujdes dhe në këtë rast i ofrohen lexuesve e studiuesve përmes dixhitalizimit apo formave të tjera.
(aq/shqiptarja.com)